150 euro kush vaksinohet / Nisma e Greqisë për të bindur të rinjtë

164
Sigal

Të rinjtë në Greqi janë indiferentë ndaj vaksinave anti-Covid, pavarësisht se vendi ka doza të konsiderueshme stok, të cilat nuk po i përdor dot për shkak të refuzimit të të rinjve. Për të nxitur të rinjtë që të vaksinohen qeveria greke njoftoi se do të ofrojë 150 euro për të gjitha ata persona nga mosha 18 deri në moshën 25 vjeçare që vaksinohen me një nga vaksinat anti-Covid.

Nisma është njoftuar nga vetë kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, që tha se ajo do të hyjë në fuqi nga data 15 korrik.

“Për të rinjtë tanë hapet një dritare tjetër e lirisë. Me dozën e parë të vaksinës që do të bëjnë ata automatikisht do të marrin një kartë të parapaguar me vlerë 150 euro. Do të mbulojë biletat për udhëtimet, shpenzime për hotele dhe bileta për hyrjen në vendet kulturore, koncerte, kinema, teatro, muze”, tha kryeministri grek.

Greqia ka vaksinuar rreth 4.8 mln qytetarë me të paktën një dozë, ku 3.5 mln prej tyre kanë marrë të dyja dozat, ose janë vaksinuar me Johnson&Johnson. Megjithatë, ekspertët vendas kërkojnë përshpejtimin e procesit duke tejkaluar të paktën 70 për qind të mbi 11 mln banorëve brenda muajit gusht, në mënyrë që të reduktohet rreziku nga varianti Delta i Covid.

Fushata synon që të ndihmojë edhe në mbajtjen nën frendim të pandemisë mes përpjekjeve të vendit për të rigjallëruar industrinë e turizmit.

Mediat greke thonë se veç kësaj, qeveria greke po shqyrton edhe nxjerrjen e një liste me privilegje për ata që janë të vaksinuar plotësisht.