Viron Bezhani: Kushte moderne për studentët

483
Sigal

Gazeta telegraf/

Qendrat
studentore, mjedise të kulturuara dhe kushte sa më të përshtatshme

Mirë se vini në
Qendrën Studentore nr. 2

Viron Bezhani

Sot konviktet
duhet të jenë më shumë se një shtëpi për ta, një mjedis funksional dhe i
domosdoshëm për të kaluar orë të tëra në kushte normale.

 

Viti i ri
akademik për arsimin e lartë ka nisur dhe tashmë e gjithë vëmendja e rinisë
shqiptare është kthyer te auditori. Një rini e cila kërkon, me ato mundësi që
ka, të ecë përpara dhe të japë kontributin e saj në zhvillimin e këtij vendi.
Një Shqipëri ende me shumë probleme për të zgjidhur, por që nuk duhet të lërë
absolutisht pas dore të ardhmen e saj, rininë. Për këtë arsye, ndaj këtij brezi
duhet një vëmendje shumë e madhe, përtej të zakonshmes, sidomos tani, në
kushtet e fillimit të vitit të ri akademik. Pikërisht me rinisjen e mësimit në universitete
duhet që të rinjtë dhe të rejat që studiojnë të ndihen më komod në shumë gjëra.
E kjo veçanërisht vlen për ata që studiojnë larg shtëpive të tyre, për ta
ndjerë veten në një mjedis të ngrohtë dhe sa më të mirë.

Për këtë arsye,
sot konviktet duhet të jenë më shumë se një shtëpi për ta, një mjedis
funksional dhe i domosdoshëm për të kaluar orë të tëra në kushte normale. Kjo
është ajo që të gjithë ne duhet t’u japim sot këtyre të rinjve, që na kanë
besuar, atyre prindërve që kanë besuar fëmijët e tyre tek ne. Konviktet nuk
duhet të jenë thjesht një “hotel”, por më shumë, një mjedis ku studimi të jetë
sa më komod dhe të gjithë ata që punësohen në këto mjedise të jenë në shërbim
të studentëve. Jo vetëm se për këtë paguhen, por sepse po i shërbejnë të
ardhmes së vendit, e cila ka nevojë të ndihet e mbështetur dhe e përkrahur. U
shërbejnë mijëra të rinjve që kanë këtë personel si njerëzit më të afërt, ku
besojnë dhe me të cilët ndajnë hallet e tyre të përditshme.

Për të qenë
student sot e rëndësishme është banimi. Kjo mbetet vështirësia më e madhe edhe
për ne drejtuesit, kjo është sfida kryesore, pasi ne kemi në duart tona
“brumin” e së ardhmes, rininë. Nëse një student nuk i ka kushtet e ka tepër të
vështirë të arrijë sukses. Dhe me fjalën “kushte” nuk duhet të nënkuptojmë
vetëm një strehim për studentët, por një mjedis të kulturuar dhe edukativ, për
krijimin e të gjitha mundësive për argëtim, lexim, aktivitet fizik e më gjerë.

Në mjediset ku
këta studentë do të qëndrojnë dhe studiojnë ka shumë probleme, të cilat duhen
trajtuar me kujdes e me radhë, për të mos i lënë asgjë rastësisë dhe të mbyllin
sytë para tyre. Shumë mjedise sot brenda, jashtë dhe pranë konvikteve janë
kthyer në qendra tregtie, ndërkohë që ato mjedise duhet të jenë të lira dhe në
funksionim të studentëve. Kjo ka sjellë edhe një papastërti në shumë mjedise,
pa gjelbërim dhe nuk është kjo edukata e duhur me të cilët ne si punonjës dhe
studentët duhet të rritemi. Për këtë arsye nga të gjitha palët duhet një
bashkim forcash e idesh, për të krijuar një mjedis që na rrethon të kulturuar e
mbi të gjitha edukativ. Për këtë arsye, unë si drejtues do të bashkëpunoj edhe
me Bashkinë e Tiranës për lirimin e mjediseve publike të pushtuara dhe për të
patur një mjedis përreth konvikteve të pastër.

Mjaft mjedise e
kushte brenda konvikteve nuk janë normale, pasi mungojnë salla studimi, të
cilat ndoshta janë por jo në gjendje normale dhe funksionale. Të lëna në
mëshirë të fatit dhe që nuk janë vënë në dispozicion të studentëve, duke mbetur
kështu thjesht salla sa për numër. Masat e para për rregullimin e riparimin e
tyre kanë nisur, duke nisur nga “A”-ja, nga karriget, për të bërë atë që jemi
ngarkuar të bëjmë, t’i shërbejmë studentëve. Duhen krijuar mundësi që studentët
të kenë më shumë aktivitete kulturore, sportive e argëtuese, për të shijuar
kohën e lirë dhe jo ta kalojnë atë kohë kafeneve, basteve apo kazinove. Një
rini me më shumë aktivitet fizik është një rini e shëndetshme dhe e kulturuar.
Rinia është e ardhmja e kombit dhe ne duhet ta edukojmë atë si duhet dhe për
këtë, në radhë të parë, duhet t’i krijojmë kushtet normale për studim e jetesë,
për ta bindur që të ndjekë rrugën që ne po i tregojmë.

Sot kudo ka vend
për përmirësim të punës, mjafton dëshira, vullneti dhe bashkëpunimi mes të
gjitha palëve. Vetëm kjo do të na japë atë rezultat që ne kërkojmë, që
studentët dhe prindërit e tyre kërkojnë nga ne. Ata na kanë besuar fëmijët dhe
ne nuk duhet t’i zhgënjejmë, duke u dhënë thjesht një dhomë, por duke u dhënë
më shumë kulturë e edukatë. Duhet t’u japim vlerësimin e merituar, për t’i
orientuar falë kulturës tonë këta të rinj drejt rrugës së duhur.

Të nderuar
studentë, do t’iu ishim mirënjohës nëse do të na thonit mendimet tuaja për
krijimin e kushteve sa më të mira dhe për një aktivitet sa më të larmishëm të
qendrës studentore.