Nisin regjistrimet në universitete, afati i fundit më 23 shtator

470
Sigal

 MASH/Publikohet udhëzimi për aplikimin on-line të fituesve

Fituesit e universiteteve do të kenë afat deri në datën 23 shtator për t’u regjistruar. Regjistrimi ka nisur në mëngjesin e të enjtes dhe është on-line, ashtu si dhe një vit më parë. “Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) njofton se: Të gjithë fituesit në universitet të publikuara më datë 18.09.2013 në Web Site-et e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve www.mash.gov.al dhe www.akp.gov.al, kanë afat të regjistrohen on-line deri në datën 23.09.2013 ora 24.00” thuhet në njoftimin për shtyp. Të gjithë fituesit kanë të drejtë të regjistrohen duke ndjekur procedurat në faqen përkatëse që ka vendosur Agjencia Kombëtare e Provimeve, dhe kanë të drejtë të aplikojnë vetëm një herë. Në rast se gjatë procesit të regjistrimit do të konfirmohen gabime, atëherë të gjithë të rinjtë duhet t’i drejtohen sekretarive përkatëse të universiteteve për të kryer regjistrimin. Pas 23 shtatorit pritet të shpallet lista përfundimtare e fituesve në universitete dhe vetëm pas kësaj faze do të shpallen kuotat që nuk janë realizuar. Në këtë fazë pritet  ashtu si dhe në vitet e kaluara t’u jepet një mundësi atyre që nuk kanë fituar një vend në universitete, nëpërmjet formularit A3. Megjithatë ende nuk dihet se do të ketë të njëjtin format  dhe  si do të plotësohet ai. Një ditë më parë u shpallën nga Ministria e Arsimit fituesit e fazës së parë të universiteteve, të cilët janë rreth 31 mijë. Por ky nuk do të jetë numri  përfundimtar i atyre që do të ndjekin arsimin e lartë, pasi gjatë fazës së parë ka të rinj që nuk regjistrohen, por edhe nga ata që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë vendit, të cilët përafërsisht shkojnë në rreth 4 mijë studentë që kanë shfaqur preferencat për të ndjekur studimet jashtë vendit.

Udhëzimi për regjistrimin on-line

Ministria e Arsimit ka publikuar dhe udhëzimin sesi fituesit e shpallur tashmë, duhet të veprojnë për t’u regjistruar on-line, regjistrim që zgjat deri në datën 23 shtator. Për të kryer regjistrimin on-line duhet të shkoni tek linku: http://matura.akp.gov.al; Pasi të identifikoheni, duhet të të klikoni te butoni : “Regjistrohu në fakultet” ku duhet të plotësohen me kujdes të dhënat e kërkuara. Pas plotësimit, klikoni te butoni: “Identifikohu”. Nëse të dhënat tuaja janë të sakta, do ju dalë dega në të cilën jeni fitues dhe kështu do të vazhdoni procedurat e regjistrimit on-line sipas hapave që ju kërkohen.

Kujdes!

Nëse jeni shpallur fitues te një preferencë e ndryshme nga preferenca e parë dhe dëshironi të regjistroheni në mënyrë përfundimtare aty, pra të mos vazhdoni konkurrimin për një preference më të lartë, duhet të zgjidhni (klikoni) opsionin: “Konfirmoj regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar” dhe më pas të klikoni tek butoni: “Ruaj”. Nëse doni të vazhdoni konkurrimin për preferencat më të larta zgjidhni (klikoni) opsionin: “Vazhdoj konkurrimin për një preferencë më të lartë” dhe klikoni butonin: “Ruaj”.  Veprimi i regjistrimit on-line lejohet të kryhet vetëm njëherë. Studenti/ja, gjatë javës së parë të frekuentimit të studimeve universitare në programin e studimit ku është shpallur fitues, dorëzon pranë sekretarisë mësimore të fakultetit përkatës, dokumentet plotësuese të mëposhtëm: a) Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e njërit prej dokumenteve të identifikimit (e panoterizuar); b) 2 fotografi; c) Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekësh.