Të gjithë drejt Gjermanisë, zbrazen bangat e shkollave

223
Sigal

Shqiptarët arratisen drejt Gjermanisë dhe vendeve të BE. Zyrtarisht në 3 vjet janë larguar nbi 27 mijë qytetarë. Bashkë me prindërit po ikin edhe fëmijët, ku vetëm në klasat e para për vitin shkollor 2021-2022 janë ulur mbi 12 mijë fëmijë më pak. E njëjta situatë po ndodh edhe me gjimnazet dhe universitetet. Programi i Ushqimit në OKB deklaron se varfëria ekstreme do 10-fishohet në Shqipëri deri në vitin 2050

Të gjithë drejt Gjermanisë, 27 mijë shqiptarë arratisen zyrtarisht në 3 vjet

Shqipëria po mplaket, fshatra dhe qytete të tëra po shpopullarizohen, sepse në Shqipëri nuk ka të ardhme, as për të mbijetuar, ka pllakosur mjerimi, papunësia, pjesa më e madhe e trurit po largohet

Gjatë viteve të qeverisjes së ‘Rilindjes’ Socialiste, janë shpërngulur nga Shqipëria mbi 700 mijë shqiptarë, ndërsa mbi 70 % e të rinjve në Shqipëri, shprehin dëshirën, që të emigrojnë nga vendi. Shqipëria po mplaket, fshatra dhe qytete të tëra po shpopullarizohen, sepse në Shqipëri nuk ka të ardhme, as për të mbijetuar, ka pllakosur mjerimi, papunësia. Në fund të vitit 2021, në shtetet e Bashkimit Europian kishte të regjistruar 566 mijë shqiptarë, pa përfshirë Greqinë, sipas statistikave të publikuara nga Bashkimi Europian.Pjesa më e madhe e tyre është në Itali, ku deri në fund të vitit 2021 ishin të regjistruar 433 mijë shtetas, ose 76% e deklarimeve totale të Eurostat (pa Greqinë).Eurostat nuk i ka publikuar të dhënat për Greqinë, por së bashku me Italinë, mbetet shteti që ka pritur në vite më shumë shtetas, në nivele të ngjashme me Italinë.Në tre vitet e fundit, numri i shqiptarëve që jetojnë në shtetet e Bashkimit Europian është rritur me gati 30 mijë persona. Ajo që vihet re qartë është tendenca e re për të ikur drejt Gjermanisë.Nga 30 mijë persona që kanë arritur të regjistrohen në një vend të BE-së në tre vitet e fundit, rreth 27.3 mijë prej tyre kanë ikur drejt Gjermanisë, duke e çuar numrin në total në gati 77 mijë persona, të tretin pas Italisë e Greqisë për numrin e shtetasve shqiptarë në total që jetojnë në një vend të BE-së.

Franca është shteti i dytë pas Gjermanisë që ka parë rritjen më të lartë të shtetasve shqiptarë me rreth 8500 persona që janë shtuar, në një total prej 33 mijë personash.

Ndryshe nga Gjermania, ku shkojnë përgjithësisht personat që kanë një kontratë pune, dhe si rrjedhojë figurojnë të regjistruar si rezidentë, në Francë është shumë më i lartë numri i personave që kërkojnë azil dhe si rrjedhojë mund të mos figurojnë në regjistrimet e shtetasve jo të BE-së që jetojnë në Francë.Për të njëjtën periudhë është ulur me rreth 7 mijë persona numri i shqiptarëve në Itali, që mbetet gjithsesi shteti kryesor pritës me rreth 433 mijë shtetas shqiptarë.Në vendet e tjera të BE-së janë të regjistruar më pak sesa 7 mijë persona. Pas Francës renditen Belgjika (6,807), Suedia (6,184) dhe Austria (3,038).

Rritja e lejeve të qëndrimit nga Gjermania

Gjermania, e cila po përballet me kufizime në tregun e brendshëm të punës, po tërheq vitet e fundit shtetas nga e gjithë bota, përfshirë dhe shqiptarë. Specialitete si mjekë, infermierë, specialistë të teknologjisë së informacionit janë ndër profesionet më të kërkuara në Gjermani.Të dhëna të tjera të Eurostat, që janë të disponueshme deri në vitin 2020 tregojnë se lejet e qëndrimit që Gjermania ka dhënë ndaj shtetasve shqiptarë janë rritur ndjeshëm duke filluar nga viti 2018.Në atë vit mbi 10 mijë shtetas shqiptarë u pajisën me leje për të jetuar e për të punuar në ekonominë më të madhe të Europës. Në 2019-n, numri i tyre i kaloi 12 mijë. Në 2020-n, ndonëse në pandemi dhe kufizime të forta në lëvizje, u dhanë rreth 8,300 leje qëndrimi.

FAO: Varfëria ekstreme do 10-fishohet në Shqipëri deri në vitin 2050!

Tregtia ka luajtur një rol të madh në uljen e varfërisë në të kaluarën. Një alokim më i mirë global i burimeve dhe shfrytëzimi i avantazheve krahasuese kanë rritur produktivitetin dhe rrjedhimisht kanë rritur të ardhurat, ndaj në shumë vende grupe të mëdha njerëzish dolën nga varfëria.Megjithatë, tregtia nuk ka qenë gjithëpërfshirëse në grupet vulnerabil, të cilat janë në rrezik të mbeten prapa dhe pabarazia e të ardhurave është në rritje në shumë vende.Për këtë arsye të Programi Botëror i Ushqimit në Kombet e Bashkuara (FAO) ne studimin “Modelimi i tregtisë dhe të ardhurave shpërndarja në gjashtë vende në zhvillim” parashikon që varfëria ekstreme në Shqipëri do të rritet ndjeshëm deri në vitin 2050 pavarësisht se të ardhurat mesatare për frymë të popullsisë së vendit do të rriten me rreth 135 për qind gjatë periudhës.Ndërsa ekonomistët pajtohen gjerësisht se liberalizimi i tregtisë po rrit mirëqenien në total, ka të dhëna se jo të gjitha rajonet, sektorët apo familjet kanë përfituar nga globalizimi, përveç Kinës dhe Indisë që arritën të arritën të transformohen në vende me të ardhura të mesme dhe të larta. Vende të tjera, si në Afrikë dhe Shqipëria shfaqin rritje të ulët ekonomike, integrim të kufizuar tregtar dhe përqindje të larta të familjeve që jetojnë në varfëri.FAO simuloi disa skenarë për Shqipërinë, Bolivinë, Etiopia, Malavi, Nikaragua dhe Vietnami se rritja e tregtisë më jashtë i zvogëlon të ardhurat sidomos në zonat rurale, pasi ul përdorimin e tokës. Për këtë arsye përqindja e familjeve që jetojnë në varfëri absolute do të arrijë mbi 7.8 % në vitin 2050 nga 0.8 % në vitin 2011 (shih. tabelën bashkëngjitur). Nga pesë vendet në studim varfëria ekstreme do të jetë në rritje vetëm në Shqipëri dhe në Malavi.

Për shkak të tregtisë në rritje dhe rritjes së konkurueshmërisë nga importet, vlera e tokës në Shqipëri do të bjerë edhe me 25 për qind deri në vitin 2050, përllogarit FAO.FAO bën thirrje se, aktorët privatë dhe publikë në vendet në zhvillim duhet të marrin vendime me ndikim të gjerë, si p.sh se si duhet të promovohen sektorët e brendshëm, duke përfshirë bujqësinë (të mbrohen nga konkurrenca e jashtme).Nivelet e varfërisë dhe shpërndarja e të ardhurave varen, jo vetëm nga shkalla e zhvillimit ekonomik, por edhe mbi ndryshimin strukturor të ndodhur me kalimin e kohës brenda sistemi ekonomik.Parashikimet e FAO-s janë bazuar në tendencat e dekadave të fundit kur vendet u përfshinë në tregtinë globale. Nga analiza për 6 vendet në zhvillim FAO tregon se të ardhurat për frymë të Shqipërisë do të kenë ritmet më të ulëta të rritjes.Studimi vlerëson se rritja e të ardhurave reale për frymë, gjatë gjithë periudhës 2011-2050, do të jetë 134 për qind për Shqipërinë, 309 për qind për Bolivinë, 480 për qind për Etiopia, 378 për qind për Malavinë, 377 për qind për Nikaraguan dhe 413 për qind për Vietnamin.

Arsimi në ethet e largimit të nxënesve dhe reformave të dështuara që zëvendësuan cilësinë me burokracinë e shkresave

Edukimi dhe shkollat kanë mbetur peng i qeverive pa vullnet dhe me zyrtarë demagogë ministrie, të cilëve u janë bashkangjitur dhe qindra e mijëra punonjës e arsimtarë militantë të partisë në pushtet. Arsimi është parë si hambar votash apo si burim drejtuesish politikë në fushata elektorale nga një palë zgjedhje në tjetrën. Dështimi nxorri krye si kurrë më parë me periudhëne pandemisë ku i ashtuquajturi mësim online veçse rrëzoi karabinanë e mbetur nga reforma gjysmake. Në universitete shumica e degëve janë bosh pa studentë, gjatë viteve të fundit, me qindra shkolla mbyllën dyert për shkak të migracionit dhe lindshmërisë në rënie, duke sjellë vështirësi në rritje për prindërit në përpjekjen e tyre për të shkolluar fëmijët.  Siç dihet, çdo vit emigrojnë nga Shqipëria, në vendet e ndryshme të botës, kryesisht në Evropë, afërsisht 700 mijë shqiptarë kanë ikur që prej 2018 sipas Eurostat, së bashku me fëmijët e tyre, shumica e të cilëve nuk kthehen më në Shqipëri. Në mbyllje të 21 viteve të Mileniumit të ri, Shqipëria rrezikon të mbesë një vend I privuar nga dy shërbimet më kyc për stabilitetin dhe vijueshmërinë normale të një shoqërie.. Pa mësues dhe pa mjekë.

1-12 mijë fëmijë më pak janë ulur në bankat e shkollës për vitin 2021-2022

12 mijë fëmijë dhe gjimnazistë më pak janë ulur në bankat e shkollës në shtator të vitit 2021. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në vitin shkollor 2021-2022, u regjistruan në arsimin zyrtar 577.869 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 2,0 %, krahasuar me vitin shkollor 2020-21. Prej tyre, 8393 fëmijë më pak në arsimin 9-vjeçar. Sipas niveleve arsimore, struktura e pjesëmarrjes në arsimin zyrtar është pothuajse e njëjtë, gjatë tre viteve të fundit shkollor/akademik.

Arsimi parauniversitar

Në vitin shkollor 2021-22, u regjistruan në arsimin parauniversitar 453.989 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 2,5 %, krahasuar me vitin shkollor 2020-21. Në arsimin parashkollor, gjatë këtij viti shkollor marrin pjesë gjithsej 72.384 fëmijë, 1,5 % më shumë krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Në arsimin 9-vjeçar, u regjistruan 278.138 nxënës, 55,4 % në arsimin fillor dhe 44,6 % në ciklin e lartë të arsimit bazë. Krahasuar me vitin shkollor 2020-21, marrin pjesë në arsimin 9-vjeçar 2,9 % më pak nxënës. Në vitin shkollor 2021-22, 90,3 % e nxënësve të arsimit 9 vjeçar u regjistruan në institucionet e arsimit publik dhe 9,7 % në institucionet e arsimit privat. Ndër nxënësit e regjistruar në arsimin 9 vjeçar, vajzat përbëjnë 47,7 % të totalit. Në vitin shkollor 2021-22, u regjistruan në arsimin e mesëm 103.467 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4,2 %, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Në vitin 2021-22, pjesën më të madhe të nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm e përbëjnë nxënësit e gjimnazit dhe të arsimit të mesëm social-kulturor prej 82,3 %. Ky proporcion ka mbetur pothuaj në të njëjtin nivel përgjatë tre viteve të fundit. Pjesa më e madhe e nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm ndjek arsimin në institucionet arsimore publike (86,6 %) Në vitin shkollor 2021-22, numri i mësuesve në arsimin 9 vjeçar është 24.400, ndër të cilët 76,7 % janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin fillor publik është 16,1 dhe në atë privat është 14,6. Ndërsa në ciklin e lartë të arsimit 9 vjeçar, raporti nxënës për një mësues në publik është 8,5 dhe në atë privat 7,3. Numri i mësuesve në arsimin e mesëm është 8.658 prej të cilëve 69,2 % janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin e mesëm është 12,8 në arsimin publik dhe 8,3 në atë privat.

Rënien më të madhe ndër nivelet e arsimit në vendin tonë e ka pësuar arsimi i mesëm, me 4.2%. Rënie vihet re edhe në arsimin e mesëm profesional, me 3.9%, nga 19,024 nxënës në vitin akademik 2020-21, në 18,279 nxënës në vitin akademik 2021-22

Arsimi i lartë

Në vitin akademik 2021-22, vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 123.880 studentë, duke shënuar një rritje prej 0,1 % krahasuar me 2020-21. Studentët që marrin pjesë në arsimin e lartë publik, përbëjnë 76,3 % të numrit total të studentëve. Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në vitin akademik 2021-22, marrin pjesë 73.493 studente femra, ose 59,3 % e numrit të përgjithshëm të studentëve në arsimin e lartë. Në programet bachelor, për të njëjtën periudhë, morën pjesë në arsimin e lartë 72.852 studentë duke shënuar një ulje prej 2,1 % krahasuar me 2020-21.

2- Universiteti, tendenca drejt “zanateve”. Mjekësia, inxhinieria, informatika, biznesi, me rritjen më të lartë të regjistrimeve, socialet me rënie

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në vitin akademik 2021-22 kanë vazhduar studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 123,880 studentë. Shifrat tregojnë se studentët që marrin pjesë në arsimin e lartë publik, përbëjnë 73.3% të numrit total të studentëve. Është analizuar numri i studentëve të regjistruar sipas fushave të studimit për të parë se si paraqitet ndryshimi vjetor dhe cilat fusha kanë qenë më të preferuarat për këtë vit. Fusha e studimit “Shëndet dhe Mirëqenie” vazhdon të jetë me rritje dhe këtë vit akademik me 4.4%. Rikujtojmë se gjatë vitit akademik 2020-21, kjo fushë ishte e vetmja me rritje, dhe kjo mund të shpjegohet si pasojë e ndërgjegjësimit nga pandemia, por edhe për faktin se kjo fushë ka marrë prioritet gjatë viteve të fundit në vendet e tjera. Nga një panoramë e përgjithshme vihet re se studentët tërhiqen drejt shkencave ekzakte pasi rritjet janë shënuar në fusha si inxhinieria apo teknologjia e informacionit. Kështu, rritja më e madhe e numrit të të regjistruarve është në fushën “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 9.8%, ndjekur nga “Mjeksia” dhe “Biznes, administrim dhe ligj” me 3.4%. Për fushën “Teknologji e informacionit dhe komunikim”, rritja për vitin akademik 2021-22 është 1.4%. Po cilat janë degët pak të preferuara? Duket se fusha “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” është më pak e preferuara për studentët pasi shënon dhe rënien më të madhe të regjistrimeve me 19.9%. Me rënie gjithashtu paraqiten edhe fushat “Arte dhe shkenca humane” me 13.1% si dhe “Shkencat Sociale, gazetari dhe informacion”, me 10.4%. Kjo padyshim është e ndikuar dhe nga trendet e tregut të punës kohët e fundit, të cilat janë krysisht te drejtuara në teknologji informacioni apo dhe biznes. Shifrat tregojnë se në vitin shkollor 2021-22 janë regjistruar 577,869 nxënës dhe studentë, duke pësuar një rënie me 2%, krahasuar me vitin shkollor 2020-21. Të dhënat e përpunuara  tregojnë se rënia regjistrohet në të gjitha nivelet e sistemit arsimor, përveç kopshteve dhe arsimit të lartë. Numri i regjistrimit të fëmijëve në kopshte, gjatë vitit shkollor 2021-22, është rritur me 1.5%, krahasuar me një vit më parë. Gjatë periudhës 2020-21 janë regjistruar 71,332 fëmijë në kopshte, ndërsa gjatë vitit aktual shkollor rezultojnë 72,384 fëmijë të regjistruar. Nga ana tjetër, në arsimin e lartë rritja për këtë vit shkollor është regjistruar në 0.1%. Rënien më të madhe ndër nivelet e arsimit në vendin tonë e ka pësuar arsimi i mesëm, me 4.2%. Rënie vihet re edhe në arsimin e mesëm profesional, me 3.9%, nga 19,024 nxënës në vitin akademik 2020-21, në 18,279 nxënës në vitin akademik 2021-22.