Studentët denoncojnë “mafien” e universiteteve

287
Sigal

Universiteti shpenzon 52 mln. lekë për aheng dhe nuk shpenzon asnjë lekë për kartonat e diplomave. Paratë e tarifave të studentëve shkojnë për festa, mobile, udhëtime luksi, karburante, teksa me dhjetëra laboratorë ndodhen në gjendje të mjerueshme

 

Qeveria është ngelëse në arsim: Nuk kanë fonde për kartonat e diplomave, laboratorët në gjendje të mjeruar, por Universitetit të Tiranës i teprojnë nga paratë e studentëve për ‘ahengun’ e 65-vjetorit

 

Gati katër vite më parë studentët e Universitetit të Tiranës, por jo vetëm, u ngritën në protestë në lidhje me kushtet e fakulteteve. Ata kërkonin realizimin e disa pikave dhe një prej tyre ishte shtimi i laboratorëve të Informatikës. Kryesisht drejtuesit e Universitetit të Tiranës, ankoheshin për mungesë fondesh, edhe pse tarifat e studentëve në një vit shkollor ishin goxha të larta sidomos në ciklin e masterit.

Protestuesit e nisnin tubimin  duke hedhur parrulla si “arsim publik falas”, “hiqni tarifën” dhe “universiteti nuk është pronë private”. Ata mbanin gjithashtu në duar pankarta ironike për qeverinë dhe situatën e arsimit të lartë në Shqipëri.“Qeveria është ngelëse në arsim,” -shkruhej në një pankartë.

E teksa protesta u shua nga të rinjtë e Fresh-it dhe politikanët e infiltruar, Universiteti i Tiranës, ka lënë sërish në harresë dhjetra laboratorë që mund t’i vijnë në ndihmë studentëve, e ndoshta sërish për mungesë fondesh. Përpos kësaj në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë , ndihet era e abuzimeve që te i ashtuquajturi shatërvan, ku u shpenzuan paratë e studentëve për t’u ndërtuar, ndërkohë flitet se gjithë kohës është bosh. Titullarët do e kenë menduar si investim strategjik, por me siguri kanë harruar t’i kushtojnë dhe rëndësi burokracive dhe mungesës së letrës për të nxjerrë diplomat. Studentë të pyetur nga “Telegraf” bëjnë me dije se teksa kanë nisur regjistrimet për studimet master, ende nuk kanë marrë në dorëzim diplomat e dhëna në korrik, dhe dalin diku pas tre muajsh.

Mirëpo, nëse i hedh një sy tenderave të kontraktuara nga Univesiteti i Tiranës, duket se rektori Artan Hoxha nuk interesohet shumë për laboratorët apo përmirësimin e kushteve në fakultete. Në një tender të fundit, Universiteti i Tiranës ka dhënë më shumë se 52 milionë lekë për ceremoninë e 65-vjetorit të Universitetit të Tiranës, duke vërtetuar se fondet nuk mungojnë, por shpërdorohen dhe përdoren për qoka. Por ndërkohë nuk kanë fonde për të zhvilluar festën e diplomimit të studentëve, siç ndodh në universitet private.

Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-38003-05-08-2022 dhe me objekt “Organizim Ceremonia e 65-vjetorit të UT-së”. Fituesi i këtij tenderi është Iceberg Communication, që administrohet nga Rafaela Rica, e cila është ngopur mirë me tenderat shtetërorë. Fondi limit i tenderit është 54 milionë lekë të vjetra dhe Rafaela Rica ka fituar duke ofruar 97% të vlerës së fondit limit sipas joq.

Ndoshta ky tender nuk ka vlerë marramendëse krahasuar me tenderat e firmosura nga institucione të tjera shtetërore, por kur sheh që paratë e studentëve harxhohen për festa përvjetore dhe jo për cilësinë e mësimdhënies, është të vësh duart në kokë.