Mbyllet Akademia e Arteve Shkodër

603
Sigal

Studentët transferohen tek UA Tiranë, pedagogët në Universitetin e Shkodrës

Mbyllet Akademia e Arteve Shkodër, pas përfundimit të vitit akademik 2014-2015. Studentët që ndjekin këtë universitet, sipas vendimit të qeverisë nr. 17, datë 14.1.2015, (i cili ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare), do të transferojnë studimet e tyre pranë Universitetit të Arteve në Tiranë. Ndërsa për studentët që përfundojnë vitin e fundit të studimeve të ciklit të parë dhe kanë shlyer të gjitha detyrimet e parashikuara për programin përkatës të studimeve, Akademia e Arteve, Shkodër, duhet të mundësojë diplomimin e tyre brenda vitit akademik 2014 – 2015. Pedagogët të brendshëm apo të jashtëm, do të qëndrojnë në detyrë deri në përfundim të veprimtarisë akademike dhe më pas do të integrohen në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, sipas nevojave të këtij universiteti.

Vendimi i Qeverisë

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 41, të ligjit nr. 9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Mbylljen e Akademisë së Arteve, Shkodër, në përfundim të vitit akademik 2014 – 2015.

2. Studentët e regjistruar në Akademinë e Arteve, Shkodër, kanë të drejtë të transferohen në Universitetin e Arteve, Tiranë, pas përfundimit të semestrit të parë ose në përfundim të vitit akademik 2014 – 2015, në programe të njëjta apo të ngjashme studimi, të ofruara nga institucioni i arsimit të lartë.

3. Studentët që do të vijojnë studimet e tyre deri në përfundim të vitit akademik 2014-2015, pranë Akademisë së Arteve, Shkodër, transferohen në vitin akademik 2015 – 2016, në programe të njëjta ose të ngjashme, në Universitetin e Arteve, Tiranë, ose në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.

4. Akademia e Arteve, Shkodër, detyrohet që brenda afateve, sipas pikave 2 dhe 3, të këtij vendimi, të përgatisë dosjen për çdo student që do të kërkojë të transferohet, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.

5. Akademia e Arteve, Shkodër, të vijojë veprimtarinë akademike, deri në përfundim të vitit akademik 2014 – 2015, për ato programe studimi për të cilat do të ketë studentë të pa transferuar.

6. Universiteti i Arteve, Tiranë, të regjistrojë studentët që kërkojnë transferim, sipas pikës 2, të këtij vendimi.

7. Për studentët që përfundojnë vitin e fundit të studimeve të ciklit të parë dhe kanë shlyer të gjitha detyrimet e parashikuara për programin përkatës të studimeve, Akademia e Arteve, Shkodër, të mundësojë diplomimin e tyre brenda vitit akademik 2014 – 2015.

8. Me mbylljen e veprimtarisë, Akademia e Arteve, Shkodër, të hartojë pasqyrat financiare, për vitin financiar 2015 dhe, pas konfirmimit të tyre në Degën e Thesarit, Shkodër, të dorëzojë të gjithë dokumentacionin administrativ dhe financiar në Arkivin e Shtetit. Një kopje e tyre duhet të dorëzohet në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.

9. Me mbylljen e veprimtarisë akademike, të gjitha pasuritë e luajtshme të Akademisë së Arteve, Shkodër, transferohen në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.

10. Akademia e Arteve, Shkodër, të shlyejë të gjitha detyrimet e prapambetura me palët e treta, deri në përfundim të vitit akademik. Asaj i ndalohet prokurimi i mallrave dhe i shërbimeve për vijimin e veprimtarisë operacionale, nëse kontrata nuk është mbuluar 100% nga buxheti i vitit 2015.

11. Stafi aktual, pa rekrutuar staf të ri të brendshëm apo të jashtëm, do të qëndrojë në detyrë deri në përfundim të veprimtarisë akademike. Stafi aktual, pas kësaj periudhe, të integrohet në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, sipas nevojave të këtij universiteti.