Kompetenca e drejtuesit të institucionit arsimor rrit vlerat e tij

603
Sigal

Karrierë dhe përvojë e shkëlqyer e Dr. Reshit Koburja në arsim

Një gjë të tillë e vëmë re te veprimtaria profesionale shkollore, pedagogjike, shkencore didaktike e intelektualit elbasanas z.Reshit Koburja. Ai mbaroi Shkollën Pedagogjike në Elbasan në vitin 1955, ndërsa në vitin 1959, Universitetin e Tiranës për Gjuhë dhe Letërsi ruse. Karrierën e mësuesisë e filloi në gjimnazin e Himarës më 1959-1960, më pas në shkollën e mesme në Gramsh: mësues, zv.drejtor i shkollës dhe drejtor. Në vazhdim punoi inspektor dhe shef arsimi po në rrethin e Gramshit. Në gusht të vitit 1972, u transferua në rrethin e Elbasanit me detyrën e drejtorit të Kabinetit Pedagogjik dhe në vazhdim inspektor, kryeinspektor e shef arsimi i rrethit të Elbasanit, ku doli dhe në pension. Siç shihet, karriera arsimore e z.Reshit ka ardhur në rritje të vazhdueshme, të shkallëzuar dhe jo me kapërcime. Çdo detyrë e re kishte garanci vlerat e detyrës paraardhëse, që ishin rrjedhojë e kompetencës profesionale, pedagogjike e didaktike të z.Reshit, të cilat shënonin arritje cilësore dhe e veçonin nga të tjerat për vlera të arritura. Në pozicionin e drejtorit të Kabinetit, vëmendjen e drejtoi në forcimin e disiplinës shkencore të këtij institucioni, duke u ndalur në përmbajtjen dhe metodikën e drejtimit të punës në shkollë nga drejtori i shkollës. Kjo del qartë nga materiali, studimi i botuar në Revistën Pedagogjike nr.3, viti 1980 për drejtimin e punës në shkollë, si dhe në studimin “Mbi kontrollin e brendshëm në shkollë”, botuar në Revistën Pedagogjike nr.1, viti 1980. Veç botimeve, këto studime u referuan nga z. Reshit në seminare kombëtare me drejtorë të shkollave të mesme. Si specialist, didakt e metodist, z.Reshit i pëlqente të merrej me të renë, “të vështirën”, për t’ i bërë objekt të punës me drejtorët e mësuesit. Kështu për shembull, studimi për zbatimin në mësimdhënie të lidhjeve ndërlëndore, botuar në gazetën “Mësuesi” më 14.03.1973, është i pari në përvojën pedagogjike të vendit që trajton këtë problem. Në mënyrë shkencore, në këtë studim, theksohet nevoja e përgatitjes shkencore të mësuesve më gjerë se profili i tyre, për të qenë të aftë që lëndën ta trajtojnë në një këndvështrim global, të lidhur ngushtë me njohuritë që nxënësit marrin nga lëndët e tjera. Veç kësaj ndalon në konceptet lëndë mësimore, shkencë, ekuivalent didaktik e të tjera. Veprimtaria arsimore, drejtuese dhe pedagogjike e dr. Reshit Kobures, e ka bazën e vet në përgatitjen e tij të lartë profesionale, në aftësitë drejtuese, organizative e komunikuese, në përpjekjet e vazhdueshme për t’ u aftësuar në fushën e pedagogjisë e të psikologjisë. Në vitet 1970-1980, ka qenë pedagog i jashtëm i Institutit të Lartë Pedagogjik “A.Xhuvani”, sot universiteti me të njëjtin emër. Po në këto vite, ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të studimeve Pedagogjike në Tiranë. Ai është gjithashtu hartuesi i programit të psikologjisë për shkollat e mesme pedagogjike. Në detyrën e pedagogut ka mbuluar disiplinat psikologjike, si dhe didaktikat e lëndëve, duke dhënë kështu një kontribut tjetër në përgatitjen profesionale të studentëve si mësues të ardhshëm. Dr. Reshit Koburja veçohet për kompetencën profesionale e didaktike, nivel të lartë shkencor dhe si implementues i studimeve të tij, aftësi këto që u manifestuan edhe në disertacionin për gradën shkencore “Doktor i shkencave”, që e mbrojti me sukses dhe vlerësim maksimal në vitet ‘80. Doktoratura e tij, për kontrollin e njohurive dhe dijeve në shkollat 8-vjeçare, nuk përbën një studim të thjeshtë që përmbush cilësinë e marrjes së gradës, por ka pasur dhe ka aktualisht karakter aplikativ për mësuesit. Në tërë veprimtarinë e tij, z.Reshit veçohej për modesti dhe komunikim njerëzor. Inspektimi dhe vëzhgimi i tij nëpër shkolla dhe orë mësimi, ishte i mirëpritur: dëgjonte çdo mësues, përtypte mendimin e tyre dhe me tolerancë jepte mendimin e vet pa rënduar mësuesin. Ajo që e dallonte z.Reshit, ishte dëshira e radhës për të zbuluar pozitiven tek mësues pasionantë, që kërkonin të bënin karrierë profesionale. Gëzohej kur gjente të tillë, bisedonte gjatë, i ndiqte me kujdes, i ngarkonte me detyra shkencore e didaktike, i aktivizonte në Kabinet dhe i këshillonte se si duhej të ecnin. Mjaft prej tyre u bënë drejtues shkollash, pedagogë, drejtues departamentesh, madje edhe rektorë në universitet. Një fushë tjetër studimi, veç didaktikës, ku kontributi i tij është i dukshëm, është fusha e traditës arsimore, sidomos ajo e Elbasanit. Puna e tij për hartimin e veprës “Elbasani-enciklopedi”, duke qenë anëtar i Redaksisë së përgjithshme dhe përgjegjësi i redaksisë së arsimit, është për t’u lavdëruar. Ai jo vetëm ka studiuar shumë figura të arsimit, por ka evidentuar edhe mjaft vlera e kontribute të arsimit të Elbasanit në nivel kombëtar. Z.Reshit në të gjithë veprimtarinë e tij arsimore e didaktike, ka qenë i respektuar jo nga detyra zyrtare, por nga ajo që bënte. Temat, analizat, referatet që mbante, sillnin kënaqësi kur dëgjoheshin, debatet me të ishin burim dijesh. Mësuesit e dëgjonin, sepse mësonin prej tij, ndërsa ai i respektonte.

 Ja disa vlerësime për figurën e Dr. Reshit Kobures nga disa intelektualë elbasanas:

 Z. Bashkim Paheshti, ish- shef arsimi, sot drejtor i artit në Bashkinë e Elbasanit.

“Për mua, Reshiti ishte baras institucion;

  • menaxhonte në mënyrë të përsosur çdo problem
  • është argumentues e bindës për çdo problem. Mësoje nga ai njeri dhe nuk kishe çfarë të shtoje pas fjalëve të tij
  • ishte prodhues idesh për punën
  • ndihmonte, komunikonte me një gjuhë që të ngjallte respekt
  • materialet që përgatiste ishin me nivel shkencor e didaktik
  • institucionet e larta e aktivizonin, merrnin nga përvoja e tij”.

 

Z. Alqi Çabiri, ish -drejtor shkolle, sot kryeinspektor në DAR Elbasan

“Na ka lënë mbresa kompetenca e tij profesionale

  • personalitet teorik e praktik, i zhveshur nga çdo formalizëm, kërkues në metoda e dije për të renë
  • dallohet për komunikim të përsosur e motivues
  • punonte shumë me bashkëpunëtorët e të rinjtë, ndihmonte që ata të arrinin suksese
  • modestia e tij nuk duhet të jetë dhe të ishte pa kufij”.

 

Z. Shpëtim Kurmaku, ish -drejtor shkolle.

“Reshiti mbetet personalitet i kompletuar në didaktikë;

  • ai ka dhënë metodën e organizimit dhe drejtimit të punës në shkollë;
  • Eja të diskutojmë si është më e mira, po mohove, poho motoja e tij”.

 

Z.Mandir Dule, drejtor shkolle e zone për shumë vite shkollore.

“Është specialist me kokën plot, i heshtur e pavetëmburrje

  • zotëron një takt pedagogjik për t’u pasur zili
  • futi punën shkencore në shkollë në çdo profil dhe për elemente të veçanta të orës së mësimit;
  • kuadër shumë i kompletuar, i përkushtuar plotësisht për zhvillimin e arsimit.

Për punën e personaliteteve  të tilla si e Dr. Reshit Kobures, çdo brez ka nevojë të njihet dhe të marrë shembull”. 

Ismet LlAPUSHI Elbasan