Hyqmet Zane : Arsimi i sotëm i turpëruar para arsimit të dikurshëm, nga mbështetja e ministrisë , korrupsioni e braktisja e shkollave

36
Sigal

Arsimi i sotëm i turpëruar para arsimit të dikurshëm

Panoramë për shkollat fillore në qytetin e Elbasanit pas Pavarësisë (1912) deri në vitin 1939

Prolog

Gjendja e padëshiruar në të cilën ka arritur arsimi ynë kombëtar, është një shqetësim për rrethet intelektuale, që janë marrë me problemet e arsimit. Specialistë dhe ekspertë të mirënjohur kanë lëshuar alarmin e përfundimeve që ka pasur sistemi arsimor në këto 10 vjetët e fundit dhe më tej, ku po dominon mungesa e profesionalizmit tek trupat pedagogjike, që kanë humbur interesin, sepse mbështetja e ministrisë përkatëse nuk ka asnjë interes në lidhje me këtë gjendje të padëshiruar për nivelet e mësuesve dhe pedagogëve që kanë dalë nga shkollat e kaluara që për hir të së vërtetës kanë qenë të niveleve të mira, duke mos pranuar futjen e ideologjisë komuniste në shkolla.

Por sot braktisja e shkollës nga nxënësit familjet e të cilëve kanë emigruar dhe boshatisja e klasave dhe mbyllja e jo pak shkollave në rang kombëtar, po ashtu si edhe mbyllja e degëve të mësuesisë në universitetet e vendit, flet për një dështim të politikave arsimore të qeverisjes së Edi Ramës me titullarë të dështuar. Edhe ata mësues dhe drejtues, që vazhdojnë në sistemin arsimor, janë nën trysninë e patronazhizmit si filozofi dhe praktikë e dështuar, për t’i korruptuar ata dhe për t’i pasur si ushtarë votash. Edhe nxënësit janë bërë të agresuar dhe mosdisiplinimi është bërë normë e ditës në tërësinë e shkollave ku edhe familja ka rolin e vet negativ. Të mendosh se sistemi ynë arsimor ka pasur traditë sistemin arsimor të Normales së Elbasanit, ndërsa sot jemi në primitivizmin e një sistemi që ka “shkalluar” mësues, drejtues dhe nxënës që mendohet se merren me arsimin, por janë bërë të padëshiruar në marrjen e dijeve dhe të sjelljeve jashtë etikës shkollore. Në këto kushte do të bëja një retrospektivë të hapjes dhe funksionimit të shkollave dhe arsimit kombëtar në Elbasan.

***

Funksionet e shkollave në Elbasan në gjysmën e parë të shekullit XX

Elbasani ka të regjistruar në kujtesën historike një nga ngjarjet më të rëndësishme për ardhmërinë kombëtare. Arsimi fillor dhe ai i mesëm kanë qenë dhe mbeten krenari për këtë qytet për të cilin flasin faktet.

Dhaskal Todri, mësuesit të sakrificave për hapjen e shkollës shqipe dhe i Kostandin Kristoforidhit, babait të gjuhës shqipe, ka më shumë arsye dhe të drejta të krenohet për arsimin dhe shkollimin me emër në historikun e arsimit kombëtar shqiptar.

Shpesh janë bërë konstatime të rëndësishme për mbështetjen që ka dhënë popullsia e rajonit dhe veçanërisht qyteti i Elbasanit në hapjen e shkollave fillore me shkrimin e gjuhës shqipe që pati si frut edhe mbledhjen e Kongresit të Elbasanit që institucionalizoi hapjen e shkollës Normale si pionerja e Universitetit të Parë Shqiptar. Me të drejtë akademiku elbasanas, ish kryetari i Akademisë së Shkencave, prof.dr. Ylli Popa është shprehur më 1 dhjetor 2002 në Universitetin “A. Xhuvani” në Elbasan se “Normalja ishte fëmijëria dhe rinia e Universitetit, ashtu si një i rritur nuk ka kuptim pa fëmijërinë dhe rininë e tij”.

Të dhënat historike flasin me fakte për shkollat fillore, që kanë gjeneruar në Elbasan, në gjysmën e parë të shekullit 20, veç shkollës normale që u hap më 1 dhjetor 1909.

Në mesin e Luftës së Parë Botërore ndonëse në okupacionin e huaj, dëshira e popullit të Elbasanit për arsim e për dije, si kudo nuk u ndal. Vendi i rrënuar dhe niveli ekonomiko – shoqëror tepër i ulët, nuk pengoi hapjen e shkollave për fëmijët e popullit në shtëpi private, thuajse pa orenditë më të domosdoshme. Mësuesit të mësuar me dashurinë e pakufishme për popullin dhe atdheun nga shkolla Normale, iu përkushtuan me ndërgjegje të lartë këtij lloj misioni.Veç shkollës së parë shqipe zyrtare (1908 Naim Frashëri), në vitin 1916 në lagjen Shënkoll hapet shkolla “Zgjimi”, që mbante një emër simbolik dhe kuptimplotë. Në lagjen kala hapet shkolla fillore (Kristoforidhi) si dhe shkolla femnore e qytetit. Në vitin 1925 në Elbasan numëroheshin këto shkolla: 1) shkolla Plotore (Naim Frashëri) me 6 fuqi mësimore, 2). Ushtrimorja me 5 klasë, 3) shkolla e Qoshes “Agimi” me 3 klasë, 4) shkolla e Shënkollit “Zgjimi” me 3 klasë, 5) Shkolla femërore me 4 klasë.

Pas vitit 1930 ishin këto shkolla: Plotore, Naim Frashëri me 5 klasë, Ushtrimorja me 5 klasë, Femërore me 5 klasë, Agimi me 5 klasë (Shkolla Qoshes), Zgjimi me 5 klasë dhe Sheh Hyseni me 3 klasë.

Sipas një proçesverbali të gjendur në muzeun e shkollës “Naim Frashëri”, në vitin 1935 – 1936 është vënë emri nga shkolla Plotore në Naim Frashëri. Aty jepet edhe njoftimi se në veri të qytetit do ngrihet edhe një shkollë e re. Është fjala për shkollën Sheh Hyseni në Lagjen Hysen – Dylgjer, tek pusi që lahet vetë, në rrapin shekullor. Sheh Hysen Sula ka qenë patriot elbasanas që veprimtarinë e tij në dobi të atdheut e ka shfaqur me rilindasit e shquar.

Mësuesit që shërbyen në këto shkolla ishin: Abedin Çaushi, Vasil Llapushi, Shefqet Bejtja, Spiro Popa, Ali Tola, Margarita Dema, E.Paparisto, Hysni Stringa, Sejdin Vyshka, Marie Papajani, Shyqyri Domi, Adem Jahja, Ali Myftiu, Abdyl Kajanaku.

Mësuesi Abdyl Kajanaku solli një risi që më vonë u kthye në traditë të bukur në shkollat e qytetit tonë.

Në vitin shkollor 1928-1929 A.Kajanaku emërohet mësues në qytetin e Durrësit në shkollën mashkullore. Lindi ideja që me nxënësit e klasës së 4-të dhe të 5-të fillore të ngrinte një grup me mandolina (vegla muzikore) që do të shoqëronte ceremoninë e mbylljes së vitit shkollor, teatrin e veprimtari të tjera.

Në vitin 1931-1932 transferohet në Elbasan dhe punon në shkollën Agimi. Ai ngriti grupin me mandolinë të shkollës duke punuar me grupin e nxënësve 1 deri në 2 herë në javë mbas ditës, jashtë orëve të mësimit.

Ai ngriti edhe një grup tjetër në shkollën fillore femërore.

Mësuesi Spiro Popa në shkollën e tij Zgjimi ngriti grupin e tij. Në shkollën Plotore (Naim Frashëri) grupin e ngritën mësuesët, Adem Jahja dhe Ali Myftiu.

Jo vetëm numri i shkollave në qytet, por veçanërisht cilësia e të mësuarit në këto shkolla janë risia më e veçantë që e dallon arsimin në Elbasan. Këtë fakt dhe këto frute në mësimdhënie dhe në të nxënit e njohurive në këto shkolla, e kanë dalluar Elbasanin në historikun e arsimit kombëtar. Ky ishte rrjedhim i asaj që mësuesit e këtyre shkollave ishin të arsimuar në shkollat më të mira europiane si në Itali, në Zvicër, në Austri, në Gjermani, në Turqi dhe gjetkë. Përmendja e këtij realiteti të shkollave në Elbasan, është edhe një shërbim me vlerë që i bëhet historikut të arsimit tonë.

Epilog.

Kur ideologët e Rilindjes Kombëtare menduan dhe punuan për rilindjen e kombit, këtë e bënë duke vënë në themelet e filozofisë së tyre gjuhën dhe shkollën shqipe. Ndaj dhe i madhi Sami Frashëri shprehej “… nëse doni të ardhmen dhe të krijoni shpresë për kombin, “mbillni” arsim e kulturë se prodhimin e saj e merrni në shekuj”.

Këto mësime i shkatërroi e ashtuquajtura “rilindja” e qeverisjes socialiste si manipulatore e së shkuarës dhe shkatërruese e së ardhmes që i ka dhënë frytet e saj me boshatisjen e vendit dhe arsimit kombëtar. Para këtij realiteti arsimi i sotëm duhet të turpërohet para arsimit të dikurshëm për të cilin hodhën themelet rilindasit e vërtetë dhe po i shkatërrojnë “rilindasit” me patronazhistët.

Shënim – Ndihmoi me të dhënat e këtij shkrimi “Mësuesi i merituar” Hyqmet Shingjergji, sot në moshën 90 vjeçare.