Gazeta Telegraf/ Degradimi i disiplinës, këmbanë alarmi në shkolla

521
Sigal


Kërkohet më shumë
përgjegjësi nga institucionet qendrore dhe vendore


Artur AJAZI


E ndërsa viti i ri shkollor 2016-2017 ka nisur, me problemet
dhe shqetësimet e veta, duket se një tjetër problem jo i fshehur por i paprekur
sa duhet nga MASh, dhe DAR-et në rrethe mbetet degradimi i disiplinës në
shkollat tona. Degradimi disiplinës në shkollat e sistemit 9 vjeçar dhe të
mesëm, ka vite që ka nisur, dhe çdo ditë vjen duke u thelluar si problem, duke
marrë trajtën e një problem social dhe jo institucional. Kjo për faktin sepse
ajo ç’ka demonstrohet sot në rrugë dhe ambiente publike nga të rinjtë dhe
nxënësit e shkollave, përshfaqet dukshëm në klasat dhe ambientet e shkollave,
madje shumë natyrshëm. Përballë kësaj problematike kaq delikate, janë vetë
mësuesit ata që kanë ngritur disa herë zërin dhe “kokën” fshehurazi dhe në
ndonjë rast edhe hapur, por asnjëherë të përkrahur nga drejtoritë arsimore dhe
MAS, pasi me rregulloret e reja nxënësi në klasë sot është më fuqiplotë se
mësuesi. Ecuria dhe mbarëvajtja e procesit edukativo-mësimor, janë të lidhura
natyrshëm me rolin e padiskutueshëm të mësuesit në shkolla, i cili po kthehet
shpesh në gur shahu, madje po trajtohet si i tillë shpesh edhe nga nxënësit.
Tashmë është fakt se mësuesit në praktikën e përditshme të mësimdhënies,
ndeshen hapur me probleme e vështirësi nga më të ndryshmet, që duhet t’i
kapërcejnë me durim, vullnet, pasion dhe së fundi edhe me vetënënshtrim
profesional. Mësuesit në shkollat e sistemit 9 vjeçar dhe të mesëm, përballen
çdo ditë me kontigjente të ndryshme nxënësish, duke nisur nga ata që janë të
zellshëm, të vëmendshëm, të rregullt, të disiplinuar e të impenjuar për tu arsimuar
e përvetësuar në maksimumin e mundshëm dijet që shpjegon mësuesi. Por veç tyre,
mësuesit përballen edhe me nxënës të pavullnetshëm, dembelë e krejtësisht të
pamotivuar, si dhe nxënës që manifestojnë sjellje të papranueshme për ambientet
shkollore, duke përshfaqur arrogancë, kërcënim për shokët dhe shoqet e klasave,
apo provokojnë zhurma dhe sherre, ofendojnë madje duke demonstruar xheste
rrugaçeske duke e vështirësuar seriozisht procesin e mësimdhënies. Këta janë
nxënësit problematikë, numri i të cilëve po rritet me shpejtësi sot në çdo
shkollë të vendit, kryesisht në qytete. Realisht konstatohet një prirje
negative e një kontigjenti të caktuar nxënësish, ku në vend të merren me
pergatitjen e tyre mësimore, merren më tepër me lojëra të rrezikshme dhe aspak
të lejuara në shkolla si ato kompjuterike, merren përgjatë gjithë orëve të
mësimit me dërgimin e SMS-ve duke u larguar nga librat, e për pasojë kjo ka
sjellë rritjen e mediokritetit që pengon në përgatitjen dhe formimin e tyre
arsimoro- edukativ. Mësuesit dhe specialistët e sistemit arsimor, mendojnë se
përballë këtij realiteti alarmant duhet një impenjim maksimal nga të gjithë,
duke filluar nga stafet e shkollave, prindërit, dhe nxënësit, institucionet
arsimore deri tek Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Aktualisht shkollat tona
pergatitin vetëm 65 per qind të nxënësve të aftë për të vazhduar arsimin e
lartë, pjesa tjetër mbetet peng i veseve dhe problemeve të trashëguara qysh nga
klasat e ulëta të 9 vjeçares deri në mbarimin e shkollës së mesme. Mësuesit si
misionarë të dijes, mbeten sot figura kryesore në përgatitjen dhe arsimimin e
brezit të ri, por mbetet me rëndësi ndërtimi i raporteve të drejta ligjore
mësues-nxënës, të cilat sot janë deformuar. Shkollat tona duket se kanë humbur
shumë dhe humbja më e madhe mbetet ajo e disiplinës brënda klasave. Kërkesat e
mësuesve duhet të jenë të forta, brenda rregullores dhe etikës, të jenë me takt
pedagogjik dhe jo imponues, jo autoritar dhe jo denigrues, jo brutal jo
burokratik. Por të gjitha këto kërkesa kërkojnë natyrisht durim, vullnet,
qetësi mendore dhe fizike, dhe përkushtim. Mungesa e masave shtërnguese dhe
ndëshkuese ndaj nxënësve problematikë, mbetet sot “thembra e Akilit” që nuk po
gjen zgjidhje nga asnjë structure qëndrore dhe vendore e arsimit. Realiteti
brënda klasave në shkolla tona sot është alarmant, pasi edhe MAS dhe DAR-et në
rrethe duket sikur nuk merret seriozisht me rivlerësimin e figurës së mësuesit,
dhe forcimin e disiplinës në klasa. Mësuesi ka sot një rol të veçantë në
misionin e tij, pasi merret çdo ditë me formimin e personalitetit dhe
identitetit të nxënësit nga cikli i ulët deri në përfundimin e maturës. Nga ana
tjetër mbetet fakt se mësuesi vitet e fundit po përballen me realitete të cilat
kërkojnë ngritjen e tyre profesionale, përgjegjshmëri, dhe mbi të gjitha
autoritet të padiskutueshëm, për të ndikuar pozitivisht në procesin e edukimit
dhe formimit të çdo nxënësi. Drejtuesit e shkollave dhe strukturave arsimore
nga qendra deri në bazë, duhet të jenë mbështetësit kryesor të mësuesit, për
t’i dhënë atij jo vetëm autoritetin e duhur, por edhe performancën
profesionale. Rëndësi të madhe ka puna në ekip, pasi edhe procesi edukativ i
çdo nxënësi në shkolla, do të jetë i sigurtë. Drejtori i shkollës, duhet të
ketë parasysh jo vetëm të drejtat europiane të nxënësve të shkollave, por të
forcojë edhe rolin e mësuesit, dhe autoritetin e tij në klasë. Në dekadën e
fundit realiteti në klasat e shkollave ka qenë shpesh i trishtueshëm, me pasoja
të rënda për figurën e mësuesit, ndaj mungesa e komunikimit mes drejtuesit të
shkollës dhe dyshes mësues-nxënës mbetet domosdoshmëri urgjente, në të
kundertën nuk do të arrihet kurrë të realizohet projekti I edukimit dhe
formimit të nxënësit në shkollat tona.