Dy lopë një diplomë; sekserët e universiteteve të pangopur me para

529
E ndërsa mediat, politikanët, deputetët, dhe gjithkush flet sot për “korrupsion”, duke shigjetuar kryesisht njerëzit me pushtet apo segmente të tjera brenda llojit, duket se një tjetër sektor që shpesh mbetet në hije dhe që e ka trashur shumë “zullumin” është ai i arsimit, dhe veçanërisht ai i arsimit të lartë, janë universitetet. Janë një armatë e madhe të korruptuarish që zënë fill nga sekserët, rojet e fakulteteve, asistentët e pedagogëve, pedagogët, rrethi i tyre farefisnor, dekanët etj. Një rreth kaq i madh njerëzish që klasifikohen si “shtresa e shkolluar e shoqërisë”, nga e cila duhet të marrin veç dijeve dhe formimit profesional, shembullin e mirë brezat që shkollohen. Kudo biseda mbi paranë, mbi aferat e korrupsionit, mbi mundësinë e nxjerrjes së parave duke shfrytëzuar postin e pedagogut, dekanit, shefit të departamentit apo dhe më lart. Kudo biseda mbi favore dhe oferta të ndyra, mbi emërime dhe kalime të vitit akademik për një notë 5, dhe në fund edhe për një diplomë. Pavarësisht arrestimeve dhe diskreditimeve nga mediat, duket se “klasa” e të korruptuarve në universitetet tona nuk ndalet. Ata bashkëpunojnë me cilindo, duke i rekrutuar si sekserët e tyre përgjatë vitit shkollor. Tek bisedon me studentë, me sekserë dhe tek-tuk edhe me ndonjë pedagog pijetar, mëson se “vlera e një provimi varet nga lënda, paraqitja fizike e studentit, e cila tregon pasurinë e tij dhe pse jo edhe gatishmëria për të mbledhur i pari lekët e pista ditët e provimit”. 
Shumica e pedagogëve me sekserë privatë
Pothuajse shumica e pedagogëve në universitetet tona publike ka sekserët e tij, format dhe mënyrat e veta të mbushjes së xhepave. Diploma ose më saktë, provimi i diplomës, ka vajtur 1000 deri 1500 euro dhe kjo nuk varet nga aftësia e studentit, si e ka përvetësuar lëndën ose leksionin e kopjuar në faqet e internetit, por nga tekat dhe përkëdhelitë e pedagogut. Madje, ky i fundit ka arritur deri atje sa të mos pyesë fare as për Dekanin dhe as për frikën e Rektorit dhe ligjit. Llumi i korrupsionit që ka përfshirë shumicën dërrmuese të stafeve në universitetet tona publike, mbetet problemi kronik, që Ministria e Arsimit nuk ka shanse ta zgjidhë edhe për shumë vite të tjera, pasi nuk mund të përballet dot me të. Kjo, pasi shumë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë lidhje dhe interesa me Rektorët dhe Dekanët e universiteteve tona publike, japin dhe marrin prej tyre të mira materiale, shkurt, para. Kjo marrje dhe dhënie, nis nga ndërhyrjet e emërimeve, dhe mbyllet tek mbylljet e skandaleve financiare dhe shkeljet ligjore, duke nisur nga emërimet e papritura të miqve dhe ndonjë militanti që ka patur vite që kërkonte me ngulm të ishte pjesë e stafit akademik. Aferat e pista në universitete shpesh e kalojnë limitin e duhur logjik, duke i ngjarë në formë dhe përmbajtje aferave banale dhe vulgare të shtresave të paarsimuara të shoqërisë. Gjithçka duket se u është lënë në dorë sekserëve, një staf akademik i mbajtur dhe pasuruar me para nga sekserët. Natyrshëm lind pyetja e çdo studenti dhe qytetari, pse nuk ndëshkohet korrupsioni në universitetet tona publike?! Përgjigja vjen po kaq natyrshëm, ai mbrohet nga segmente të stafit, dekanët, përgjegjësit e departamenteve, dhe deri rektorët. Një miku im pedagog në një nga universitetet tona publike më tha se, “vetëm në 2 vitet e fundit kemi patur trefishin e kolegëve të mi të hetuar dhe përgjuar nga organet kompetente, 6 arrestime dhe 4 të ndaluar, të cilët jo vetëm nuk janë ndëshkuar dhe kanë dalë pas 72 orësh, por ende vazhdojnë të zhvatin para, kur dhe ku të munden dhe nuk i hyn gjemb në këmbë, pra gjithçka ka marrë fund”. Si ka mundësi të përhapet kaq shumë epidemia e korrupsionit në universitetet tona, duke mos patur kurrë asnjë të ndëshkuar, kurrë asnjë të dënuar, kurrë asnjë të diskredituar publikisht nga dekanatet dhe rektoratet, por gjithmonë janë marrë në mbrojtje. 
Rastet ekstreme të padëgjuara të korrupsionit
Përgjatë gjithë ekzistencës së tyre, universitetet tona publike, nuk kanë përjetuar kurrë një përhapje kaq të madhe të korrupsionit, kaq sa kanë sot. Kurrë universitetet tona publike nuk kanë qenë sa janë sot, të akuzuara, të denoncuara, të diskredituara, të shigjetuara nga mediat dhe opinioni publik. Varësia nga korrupsioni, i ka kthyer edhe ata që prej vitesh mbajnë (shpesh edhe të pamerituara) grada shkencore dhe poste në universitetet tona publike në “ushtarë” të bindur të sekserëve, tek mbushin me para xhepat dhe çantat e tyre në ditët e provimeve. Vlera e parave të pista (sepse të tilla janë) ndryshon nga njëri universitet publik tek tjetri, dhe pastaj nga njëra lëndë tek tjetra. Mjafton të përmendim faktin se vlera e një provimi në Tiranë shkon edhe 400 euro, kurse në Shkodër, Vlorë, Korçë dhe Elbasan dhe Durrës, ajo varion nga 150 deri 200 euro. Vlera e një provimi diplome në Tiranë shkon nga 1500 deri 2000 euro, kurse në rrethe shkon nga 600-800 deri 1500 euro. 
Pazari i një provimi
Ndërkohë ja vlen të përmend edhe një fakt, sa të turpshëm aq edhe dhimbshëm të ndodhur në një nga universitetet tona publike, që lidhet me pazarin e një provimi diplome të një studenti nga Përrenjasi. Sekseri kishte kohë që priste përgjigjen nga studenti, që edhe rrobat e trupit i blinte tek gabi ose ja falnin, pasi ishte fukara nga familja. Me një baba të gjymtuar, nënë të sëmurë dhe 2 motra në shtëpi të papuna, studenti bënte përpjekje të kota tek studionte dhe mësonte për provimin e diplomës, pasi diçka tjetër i ishte rezervuar atij nga sekseri, që në 4 vitet e shkollës i kishte marrë e pakta rreth 1.5 milionë lekë për disa provime. Por me provimin e diplomës sekseri kishte rezervuar një ofertë të re, kur studenti i kishte kërkuar notën 8, pavarësisht se kishte mësuar. Në takimin e fundit sekseri i kërkoi diçka të paimagjinueshme “shko shit 2 lopët dhe e ke të marrë provimin dhe notën që kërkon”. Kjo natyrisht ishte e papritur për studentin nga Përrenjasi, i cili ishte ndër më të mirët e kursit të tij, duke u futur në siklet, por që për hir të notës, e cila i vlente për Masterin dhe të ardhmes së tij. Ai e kishte vendosur t’ia thoshte prindërve të vërtetën e hidhur. Shkurt, lopët u shitën, provimi doli me “sukses”, duke i vënë notën 8. Paratë u dhanë një pasdite përpara ditës së provimit të diplomës, në një nga lokalet e preferuara të sekserit. Një turp, një fyerje e madhe për cilindo pedagog që punon me punën e ndershme dhe që kolegë të tillë i kanë vënë njollën e zezë stafit akademik dhe universitetit, ku ata japin mësim. Nga këtu duhej të kishte nisur reforma në arsimin e lartë, nga këtu duhej të kishte nisur hartimi i ligjit mbi arsimin e lartë, për t’i ndalur dorën seksero-pedagogëve, që çdo ditë e më shumë po ngjajnë me rrugaçët apo xhepistët e autobusëve dhe trenave, sesa me njerëzit e shkolluar që shkollojnë djemtë dhe vajzat tona në auditorët e universiteteve. 
Sigal

Ilir DURMISHI