Zgjedhjet e parakohshme do të bëjnë katharsin e politikës nga krimi

468
Vlerësimin më të qartë për ecurinë 2 vjeçare të qeverisjes së mazhorancës së Majtë, e dha Raport Progresi i Komisionit Europian, i publikuar pak ditë më parë. Shqipëria pas marrjes së statusit kandidat, në këtë, ndërkohë, pas 2013 nuk ka bërë asnjë progres, nuk ka plotësuar asnjë nga 5 kushtet që BE i ka vënë Shqipërisë për hapjen e negociatave për pranimin e saj në BE. 
PD-PS sabotojnë reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit
Reforma në drejtësi, është vonuar dhe ende nuk miratohet. Shkaqet e kësaj vonese i tha qartazi, para një jave vetë ambasadori amerikan Donald Lu, i cili shprehu edhe qëndrimin zyrtar të DASH. Sipas ambasadorit Lu, reformën në drejtësi nuk e duan deputetët kriminelë. Në fakt, janë po vetë deputetët e PD-PS që kanë një vit, që bllokuan dekriminalizimin, madje, në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, shumë kandidatë për kryebashkiakë, u akuzuan publikisht si persona me rekorde kriminale. Prof. Sabit Brokaj në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohoi se personat që mbartin krime u ftuan nga kryetarët e partive, të bëheshin deputetë. Pra, është absurde që po këta kryetarë të partive, sot, me vullnetin e tyre, të bëjnë katharsin nga njerëzit kriminelë, që ata me dashje i bënë deputetë. Ndaj, Brokaj, tha për “Telegraf” se edhe “Debati që u bë deri tani edhe pse zgjati kaq shumë për dekriminalizimin, tregoi që secila palë bënte ndonjë hile, që të shpëtonte për vete dhe të kapte ndonjë peshk te pala tjetër. Tashmë u arrit konsensusi (PD-PS), që peshku të jetë po në ato ujëra dhe natyrisht, që të merren me …Shullazin”. 
Ndërkombëtarët, fajësohen për mjerimin e demokracisë tonë
Edhe pse në Shqipëri, gjatë 24 vjetëve ndërkombëtarët kanë qenë të pranishëm në çdo hap të zhvillimeve politike, e kanë mbikëqyrur procesin, por nuk kanë bërë të mundshëm, sepse kështu vetë kanë dashur. Diplomati Abdi Baleta, në një intervistë për “Telegraf” thotë se për gjendjen e mjerueshme të demokracisë në Shqipëri fajëson mbikëqyrjen ndërkombëtare “Por nëse demokracia jonë, gjatë 25 vjetëve, me gjithë këto kujdestaritë e shumta ndërkombëtare kanë arritur në këtë pikë, duhet kërkuar njëherë defekti në mbikëqyrjen ndërkombëtare. Për këtë gjendje të mjerueshme të demokracisë në Shqipëri unë fajësoj shumë mbikëqyrjet ndërkombëtare. Diplomacia Europiane dëshiron që në Shqipëri të mos ketë stabilitet demokracia, as integritet, por të ekzistojë përherë një gjendje amullie”.
Qeverisin ministra të korruptuar
PS në opozitë kishte flamur të oponencës, luftën kundër korrupsionit dhe premtimi më i madh që i bëri elektoratit në 2013, ishte se do të sillte një qeverisje ndryshe dhe se do të luftonte korrupsionin në çdo hallkë. Mirëpo, PS në qeverisje, jo vetëm që nuk e luftoi, por mbërriti në këto 2 vjet, që të qeverisë me ministra të korruptuar, siç akuzoi Donald Lu, një javë më parë dhe deri më sot, askush nga qeveria nuk e ka përgënjeshtruar këtë akuzë, duke heshtur fajësisht. Prof. Shefqet Muçi, ish-ministër i Drejtësisë, në intervistë për gazetën “Telegraf” thotë se “Dëmin më të madh këtu politika e bën, sepse po të shikojmë çështjet për të cilën akuzohen gjykatat, janë çështjet që kanë të bëjnë me politikanët, me çështjet që kanë të bëjnë me ministrat. Pra, nuk po çojnë në gjyq ministrat, edhe kur çohen kallëzimet penale në gjyq për ministrat, paskëtaj, bëhen lloj-lloj makinacionesh për të mbyllur çështjet e tyre në hetim, në gjykim.”
Qeverisë i ikin shqiptarët, azilkërkues nëpër botë
Shqiptarët ishin të parët në Europë, si shtet, që kërkuan të iknin nga vendi i tyre dhe të shkonin të emigronin në SHBA, në Lotarinë Amerikane 2015. Sipas të dhënave zyrtare të SHBA, 200.000 mijë emigrantë shqiptarë dëshirojnë të ikin nga Shqipëria, për shkak të mjerimit të madh, papunësisë dhe humbjes së shpresës për një progres. Ndërkohë vetëm në 2015 mbi 70.000 mijë shqiptarë të tjerë kanë kërkuar azil në Gjermani dhe në shtetet e tjera të Europës. Shqipëria, sipas kancelares gjermane Merkel, në vizitën e saj në Shqipëri në korrik, tha se në Shqipëri nuk ka klimë të favorshme për biznes dhe investitorët e huaj tremben në Shqipëri me këtë Gjyqësor të korruptuar. 
Zgjidhja e vetme, zgjedhje të parakohshme
Nuk mundet gjithsesi, që ky parlament me deputetë kriminelë, të bëjë autokatharsin, qoftë edhe me një ligj për dekriminalizimin. Nuk mundet që kjo qeveri, që ka ministra të korruptuar të bëjë reformat e përshtatshme, që t’u japë shqiptarëve shpresën e progresit, ndaj e vetmja rrugë për kthesën që i kërkohet politikëbërjes në këto moment është që të pranojë nga ndërkombëtarët të hartojnë ata draftin e reformës në drejtësi dhe ndryshimin e Sistemit Elektoral, paskëtaj, t’i miratojnë ato me konsensus dhe menjëherë të shpërndahet ky parlament i kriminalizuar. Politikëbërja në Shqipëri, nuk ka më kohë për të humbur, nëse duan vërtet që Shqipëria të vazhdojë procesin e integrimit në BE. 
Kanë thënë për gazetën “Telegraf”
Sabit Brokaj:
Besoj, nëse ata e kanë seriozisht për ta bërë Shqipërinë, t’u imponojnë votimin e një reforme në drejtësi, e cila cenon drejtpërdrejt kontingjentet që kanë hyrë në parlament e në politikë, duke u thënë deputetëve: Merreni reformën, votojeni dhe dilni përjashta nga parlamenti.
Zamira Çavo
Kambanat e alarmit bien për Prokurorinë, Gjykatën, për Presidentin, për kryetarët e partive, që kanë kandiduar elementë me rekorde kriminale në Parlamentin shqiptar. Sepse asnjërit prej këtyre nuk u intereson një sistem Drejtësie i vërtetë
Idajet Beqiri
Politika, Gjykata, Prokuroria, të tria, veç e veç dhe së bashku gjithashtu, për fatin e keq, janë të kapura prej krimit dhe korrupsionit, prej mafies së paskrupullt, duke e lënë Shqipërinë vrimën e fundit të kavallit. 
***
Tritan Kalo: Dy sëmundje sistemrrënuese
KLEPTOMANIA dhe MITOMANIA, po veçohen si dy sëmundjet më vrastare të këtyre pseudo-socialistëve, që po mbajnë në mazhorancë pusht-shtetin e sotëm. Të dyja këto sëmundje, si dje edhe sot, përbëjnë tabanin e një sistemi të “bojatisur” me fjalime dhe reklamime për arritje të pafundme, të cilat janë më pak reale dhe më shumë imagjinare. Të vetëshpallurit socialist, nuk i jep askujt mburojën për t’u mbrojtur nga mos zbatimi platformave socio-ekonomike, për të cilën ju votuan jo pak, por rreth 1.000.000 votues, të zhgënjyer deri më 23 qershor 2013 nga “pusht-shteti familjar, ose klanor” i instaluar nga pseudo-demokratët e PD-së dhe kukullave partiake rreth saj. Moszbatimi i premtimeve të bëra, thellimi i krizës socio-ekonomike, që ka përfshirë të gjithë vendin, me përjashtim të zagarëve në dhe rreth pushtetit, si të djeshëm, po ashtu edhe të sotëm, shumë shpejt do ta thellojë edhe më tej hendekun social te ne, që edhe kështu është shumë i thellë. Skamja dhe mungesa e perspektivës për një mirëqenie socio-ekonomike, nuk do të vonojë, që si kudo në Europë, edhe te ne të nxisë lindjen e lëvizjeve socio-politike të llojit “Podemos, Syriza, etj”. Pak nga pak po piqen kushtet socio-politike për një “Lëvizje të Vërtetë Demokratizuese” (LVD) të Shqipërisë sonë, të vjedhur e grabitur pa mëshirë në këto 25 vite zhagitjeje tranzicionale pseudo-demokratike të keqdrejtuar nga ish të privilegjuarit e sistemit 45 vjeçar, 1945-1990, të cilët u kapilarizuan në të gjitha Partitë, apo Partiçkat politike, si të e Majta, edhe të Djathta. Shqiptarëve duhet t’u dalë urgjentisht “narkoza” e kafeve që gjerbin pa fund, apo “të drogerave të ndryshme”, të cilat ata realisht përdorin, ose në mënyrë figurative ua injektojnë me propagandën e shfrenuar, sidomos atë vizive, Nëse ata nuk duan që një dite ta shohin veten të huaj në një vend, i cili po shitet, apo koncesionohet dita ditës, në çdo skaj të tij dhe në çdo sektor të ekonomisë së tij. Shumë shpejt do të vijë dita që në vërtetë do të vijojmë të quhemi Shqiptarë, por vendi ynë i copëzuar mes koncesioneve të pafundme vetëm Shqipëri nuk do të jetë më!….It is now or never!!!!
Sigal