Dr. Ndriçim Mehmeti/ Formulari, A2, A3, dhe kuotat në arsimin e lartë

556
Sigal

Ende edhe sot KM nuk ka miratuar dhe shpallur këto kuota. Po ashtu ka një ndryshim në plotësimin e Formualrëve.

Pas bujës së madhe të vetëkënaqësisë për 300 ditët e paharruara të arsimit, besoj se kishte ardhur koha që MAS, të kthehej me këmbë në tokë, nga fluturimi imagjinar, të nisur prej shtatorit 2013. Duke qenë se e filluan dhe e mbaruan shpejt Maturën Shtetërore (padyshim si gjithnjë vetëm me sukses e fitore të panjohura më parë), besova se do t’u jepnin mundësinë maturantëve, kandidatëve dhe prindërve të tyre, të kishin më shumë kohë, për të menduar plotësimin e Formuarit A2 si dhe për t’u njohur me kuotat dhe tarifat për çdo program studimi në IALP. Edhe pse jemi në datën 25 korrik dhe ende KM dhe MAS, nuk kanë mundur të gjejnë kohë për një çështje shumë thelbësore: Kuotat e nxënësve në IALP dhe shpalljen e Formulari A2 .

A është e justifikueshme vonesa në publikimin e Formularit A2
Përgjigjja e menjëhershme është jo! Përkundrazi, vonesa e tij ka future në kaos, të gjithë sistemin e përzgjedhjes së maturantëve/kandidatëve në IALP. A ka të bëjë kjo vetëm me paaftësinë e drejtuesve të MAS dhe në tërësi të Këshillit të Ministrave, që mban peng këtë proces? Edhe ka paaftësi, ashtu sikundër, mbrapa çdo zvarritje, ka diçka që nuk shkon. Duke lënë mënjanë hamendësimet, jam i bindur se e para peshon më shumë se e dyta. Ka një paaftësi totale, përgjegjësi e kreut të MAS dhe Komitetit të MSH, që shoqëroi të gjithë menaxhimin e procesit të MSH dhe që kulmon me vonesën e pajustifikueshme, të plotësimit të Formularit A2. Prej vitit 2011, Formulari A2, plotësohej prej datës 22-30 korrik. Kjo periudhë kohore prej 8 ditësh, konsiderohej e mjaftueshme, për konsultimin e maturantëve/kandidatëve me prindërit dhe mësuesit e shkollës e më pas të vendosnin se cilat do të ishin preferencat e tyre. Ik, të gjithë maturantë/kandidatët kishin marrë rezultate e tyre dhe kishin bërë përllogaritjet e pikëve, duke krijuar një ide se ku mund të shkonin me pikët e grumbulluara. Në Maturën Shtetërore 2014, kur provimet përfunduan më 18 qershor dhe korrigjimet më 28 qershor, cila është pengesa e madhe, që Formulari A2, nuk plotësohet?
Nuk ka ndonjë mister të madh. Ai gjendet tek deklaratat kaotike, dhënë një pas një nga drejtuesit e MAS. Njëherë thuhej se do të kemi ulje kuotash dhe njëherë jo. Njëherë thuhej se nuk kemi nevojë për më shumë juristë por për më shumë njerëz në fushën e shkencave të natyrës. Edhe pse pati shumë propagandë, që në shumë raste rrallë njerëz e merrnin vesh ç’thuhej, e vërteta është se sot e gjithë dita, askush nuk di të na japi një datë për plotësimin e Formularit A2. Përveç një deklarate të kryetares së Komitetit të Maturës Shtetërore, për fillimin e procesit të plotësimit të Formularit A2, nuk ka asnjë të dhen tjetër. Por ku qëndron në të vërtetë ngërçi? Formulari A2, nuk mund të plotësohet pa kuotat dhe kuotat nuk kanë dalë.
Formulari A3 do të hiqet
Kjo ishte një tjetër reformë me të cilën u morrin gjatë në ministrinë e arsimit. Duke e quajtur si një arritje të madhe, Formulari A3, u quajt i panevojshëm, i politizuar (që një Zot e di sesi mund ta argumentojnë) dhe tërësisht i panevojshëm. Do të mjaftojnë dy fazat e Formularit A2 dhe mbyllet gjithçka. Ja ta zëmë se e gjithë kjo është një ndryshim për mirë. Por kush do t’i jap përgjigje këtyre pyetjeve: Përse një nxënës me rezultate shumë të mira, që ka qenë i shtruar në spital dhe nuk ka dhënë një apo dy provime, privohet nga e drejta për të fituar në të drejtë studimi? Përse një nxënësi shumë i mirë apo edhe i mirë e mesatar, i cili për shkaqe të ngjarjeve të rënda familjare (aksidente, vdekje të papritura), nuk i hiqet e drejta për një vit për të përfituar në të drejtë studimi? Përse një nxënës që vjen nga jashtë vendit, pasi prindërit mezi që pritën që ai të mbaronte shkollën e mesme, dhe ka për të dhënë një ose dy provime nuk i lejohet të plotësojë Formularin A3 dhe të provojë veten në një nga programet e studimit, ku kuotat mbeten të paplotësuara? Mos vallë kjo hyn në lehtësitë për emigrantë që kthehen në vendin e tyre? Përse një maturant, i cili ka fituar të drejtën për të konkurruar në Itali apo gjetiu, i cili, nuk arrin, nuk përshtatet, ose ndryshon mendim dhe kthehet në Shqiëpri, brenda muajit shtator, i hiqet e drejta të plotësoj Formularin A3, për të ndjekur studimet në vendin e tij, edhe pse i plotëson kushtet e mesatares e pikëve, përcaktuar nga MAS?
Kush do të më thotë se kjo masë është e vlefshme edhe për nxënësin e shkëlqyer, fitues të olimpiadave kombëtare dhe ndërkombëtare, Genti Gjika, i cili, për arsye thellësisht familjare nuk mundi të japi një pjesë të provimeve të MSH? Çfarë do t’i themi këtij djali në shtator që na ka nderuar çdo vit me paraqitjet e tij në Olimpiadën e Matematikës në Ballkan, Evropë dhe botë? Apo le të pres një vit, se reforma ka edhe të sakrifikuarit e vet. Mbaj mend që ministrja e arsimit, për të quajtur sa më të suksesshëm administrimin në MSH 2014, solli për referencë, Kevinin, që do të shkonte në Harvard për studime. Ju garantoj zonja Nikolla, se vlerat e Gentit nuk janë më të pakta se të Kevinit apo cilitdo maturant tjerët. A është ky trajtimi që meritojnë nxënësit e shkëlqyer (apo ekselentë siç ka qejf t’i quaj ministria jonë e arsimit)? Unë njoh rastin e Gentit edhe pse e njoh vetëm përmes letrave, kur emri i tij spikaste gjithnjë si fitues. Të tjerë mund të ofrojnë edhe rastet e tyre. Prandaj them që veprimi ishte shumë i nxituar. Nuk ka asnjë të drejtë ligjore Ministri i Arsimit, t’i heq një të drejt që ja jep ligji, cilitdo shtetasi. Në rast se kuotat nuk plotësohen, pra kërkesa është më e vogël se oferta, kjo e fundit, rilidhet përsëri në treg, për të gjetur kresat që i mungojnë. Është e padrejtë që një nxënës, që për shumë arsye, qoftë edhe thjesht emocionale, të humbas një provim e për pasojë edhe një vit, në kërkim të një ëndrre për të studiuar. Jo më larg se një javë më parë, bëri bujë të madhe lajmi, se një të burgosuri në Shqipëri ju dha mundësia që të japi provimin e doktoraturës në Itali, përmes Skyp-it. Kjo u quajt një arritje e madhe drejt trajtimit të të burgosurve në Shqipëri. Po përse është kaq e vështirë dhe e pamundur, që maturantëve të cilët janë në liri, t’u japësh mundësinë të jenë studentë, me rezultatet që i kanë fituar vetë, pa i rënë askujt në qafë dhe pa kryer asnjë krim, përveç të mësuarit?
Përse nuk janë publikuar kuotat?
Rreth kësaj pyetje, ka shumë përgjigje. Ka mendime se kuotat vonojnë për shkak të rritjes që do të kenë tarifat e studimeve në ciklin e parë dhe që ende nuk janë përllogaritur prej MAS në bashkëpunim me IALP. Të tjerë mendojnë se shpallja e kuotave, do të bëhej në përputhej me një tjetër studim: Numrin e nxënësve që kishin kaluar, sa është numri i atyre që kanë mesataren 6 e lart dhe më pas të bëhej një lloj planifikimi për shpërndarjen e kuotave. Po ashtu vendosja e një kriteri siç është mesatarja, për të qenë një kandidat i mundshëm për të fituar një të drejtë sutdimi në IPALP, mund të jetë një faktor pengues për shpalljen e kuotave. Por justifikimi për mes këtij argumenti, mbart me vete një pikëpyetje të madhe.
Procesi Maturës Shtetërore, që ishte më i miri, më i arriri për administrim, që maturant e dinin që në fillim me sa pikë do të kalonin etj, etj. Pse nuk ju tha po këtyre maturantëve, që në fillim se askush që nuk kishte mesataren 6, nuk do të plotësonte Formularin A2. Pra si të thuash rregullat u vendosën pas përfundimit të lojës. Jo më larg se një vit më parë, në shtypin tonë, specialistë të arsimit të lartë, ankoheshin se kuotat duhet të publikoheshin 3 muaj përpara provimeve të MSH, përndryshe kishim të bënim me tendencën për të kryer korrupsion e dallavere për pushtetarët e atëhershëm. Mirëpo, koha iku pa u ndier, provimet e MSH 2014, mbaruan, fotokopjet e testeve ende nuk janë shpërndarë, koha e plotësimit të Formularit A2, ka kaluar së paku me tre ditë dhe ende kuotat nuk janë shpallur. Të njëjtët specialistë që qaheshin deri vjet, sivjet nuk kanë asnjë qëndrim. Tani nuk ka quhet më e padrejtë mos shpallja tre muaj përpara e kuotave, nuk ka korrupsion dhe çdo gjë shkon vaj. Pse nuk ankohen specialistët e vjetshëm?
Mbase për faktin se janë pjesë e kësaj loje, mbase nuk duan t’i prishin ministres së arsimit dhe kryeministrit, qejfin dhe gëzimin e madh të 300 ditëve. Mbase.. kush e di se si e kanë hallin. Më mirë është një aprovim i gjendjes, sa të zgjidhim ca amendime të ligjit të nëpunësit dhe të shpallim konkurset në administratën publike, sesa të zihemi me qeverinë e të na marrë zët ministrja. Kështu që specialistë e djeshëm, të rikthyer si burokratë plotë energji të rilindur, nuk bëzajnë, qoftë edhe atje ku shqiptarët bëhen më trima: Në kafene dhe në shtëpi me gruan. Një tjetër faktor shumë i rëndësishëm, është edhe fakti që udhëheqësit tanë nuk kanë fëmijët në Maturë, kështu që interesi është më i pakët. Por edhe sikur t’i kishin ata e kanë të zgjidhur problemin: I dërgojnë jashtë shtetit me paret e tyre të kursyera nga “djersa e ballit” dhe për të tjerët vlen shprehja e një filmi “të ngrohen në diell”. Kishte një gjë për të cilën shpresoja shumë të ndodhte: Kërkesa e llogarisë së prindërve dhe mësuesve ndaj MAS, DAR/ZA-ve dhe ndonjë institucioni tjetër. Kjo për fat të keq ose të mirë nuk ndodhi dhe ka pak gjasa të ndodhi. Prindërit dhe fëmijët e tyre, nuk u ankuan as për notat as për testet as për mbetjen në lëndët e detyruara dhe me zgjedhje, as për mungesën e këshillimit të karrierës, e le më të ankohen për pak gjë: Një copë Formular e ca kuota. Tani po jep shpirt edhe shpresa se të rinjtë, revoltohen nga padrejtësitë. Maturantët, nuk përtojnë të marrin në telefon, komunikojnë në FB, të rrëkëllejnë nga një gotë tek ish-Blloku, nga sikleti i të ardhmes që i pret, por e kanë të vështirë të kërkojnë të drejtën që jua njeh ligji. Më parë ishin më trima, më kurajoz, bashkë edhe me prindërit e tyre. Më kujtohet që nga “revolta e madhe” që kishin, thyen edhe derën e Ministrisë së Arsimit, pavarësisht se pastaj iknin duke kërkuar falje të panumërta, që i kishin gënjyer fëmijët e tyre, ose nuk e kishin kuptuar mirë, sistemin meritë-preferencë. Maturantët pranuan fatin e tyre dhe presin daljen e kuotave. Tani të gjithë heshtin në pritje të mrekullisë së madhe: Kuotave dhe tarifave padyshim. Po gjene prisni, se më mirë kështu si tani, sesa vite më parë kur kuotat shpalleshin të paktën një muaj më parë. E në fund të fundit, ç’kuptim ka fjala surprizë?!