Denoncimi: “Mësuesja do 6-10 mijë lekë ora, për 3 herë në javë”

523
Komisarët e Rilindjes, kurse private edhe për klasat e para
Nga MAKSIM  TUFA
Komisarët e Rilindjes në Elbasan, po u bëjnë kurse private edhe nxënësve të klasave të para. Prej një muaji, rilindëset, mësueset e punësuara nga portalet, kanë nisur presionet në shkolla ndaj nxënësve të ciklit të ulët,  për të nisur kurset private, madje qysh nga klasa e parë. Dhoma apartamentesh, kioska dhe ambiente të tjera, po merren me qera nga komisaret e Rilindjes dhe po përshtaten për kurset private të cilat zhvillohen pasditeve. Duke rinisur avazin, duke shkelur ligjin, dhe rregulloren e MAS, qysh me klasat e para dhe deri tek klasat e 9, ata  rekrutojnë edhe  pastrueset e shkollave, për të mbledhur  firmat dhe emrat e atyre prindërve që duan të nisin kurset private për fëmijët e tyre. Ata që janë kundër pasi kanë edhe probleme ekonomike në familje, futen në rrethin e kuq, kurse fëmijët e tyre denigrohen gjatë gjithë vitit shkollor. Vitin e kaluar shkollor, ka patur shumë ankesa dhe denoncime  në DAR Elbasan për komisaret e Rilindjes, të punësuara në vitet e fundit nga portali, dhe gjithçka ka mbetur në fazën e hetimeve. Vitin e kaluar edhe Prokuroria e Elbasanit ka nisur  edhe  procedimin penal ndaj katër mësuesve të dy  shkollave të mesme, të cilët u denoncuan  nga nxënësit dhe familjarët e tyre, por gjithçka u mbyll në heshtje. Një prind nga Elbasani deklaroi  disa ditë më parë  për “Telegraf” se “mësuesja e djalit  tim në klasën e 9, kërkon që ta paguajmë 6-10 mijë lekë të vjetra orën e kursit privat, dhe kjo gjë 3 herë në javë, llogariteni sa shkon muaji, ndërkohë që ne jetojmë vetëm me ndihmën ekonomike dhe KEMPI-n tim, sepse jam e sëmurë, kjo është skandaloze, djali më vjen çdo ditë i sikletosur, pavarësisht se është shumë mirë në mësime, dhe nuk dimë nga t’ia mbajmë, sepse mësuesja ka mbrojtje politike, është aktiviste e fushatës PS”. E njëjta situatë stresante është edhe për shumicën e nxënësve të tjerë në shkolla, të cilët pavarësisht faktit se janë keq nga ekonomia i   detyrojnë  prindërit  të futen madje edhe në borxhe për të mos i bërë djalit padrejtësi në vlerësimin me notë nga mësuesit. Kurset private janë përhapur si epidemi në shkollat 9 vjeçare, madje nisin qysh nga klasa e parë. Shpesh mësuesit që guxojnë të bëjnë kurse private, patjetër kanë mbështetje  politike. Në  shkollat e Elbasanit  ky fenomen negativ  pranohet edhe nga drejtues shkollash, por së fundi janë pikërisht ata që marrin në mbrojtje mësuesit e emëruar nga  Rilindja,duke mos  patur guximin të denoncojnë asnjë prej tyre. Skandalet e mësuesve në shkolla me kurse private, deri sot nuk janë marrë seriozisht nga organi i akuzës, i cili i ka konsideruar ato si “denoncime gjysmake”, por në rastin konkret, nxënësit dhe prindërit, kërkojnë ndërhyrjen e organeve kompetente  për të penalizuar mësuesit e korruptuar. Sipas Kodit Penal dhe akuzave të cilat mund të ngrihen ndaj mësuesve, parashikohet gjobë ose burg deri  3 vjet, gjë e cila mund të kishte pasoja pozitive duke ndalur  korrupsionin. Pavarësisht paralajmërimeve edhe nga Ministria e Arsimit dhe zonja Nikolla, duket se komisaret e Rilindjes në Elbasan, nuk i tremb asgjë, pasi  kanë  mbështetje politike, pasi në zgjedhje janë ato që shkojnë në takimet elektorale dhe derë më derë, për të marrë dhe blerë votat e pushtetit. 
Sigal