U propozua për shkarkim, Balluku emëron kreun e Albpetrolit

815
Sigal

Kreu i ri i Albpetrol – KLSH kërkoi shkarkimin, Ministrja Balluku e ngre në detyrë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku emëroi disa ditë më parë në krye të Albpetrol-it, Dritan Spahiun, mirëpo ky i fundit dy muaj më parë është kërkuar të shkarkohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në postin që ai mbante në Alpetrol Fier. Në raportin e hartuar nga KLSh në tetorin e vitit të kaluar thuhet se në Drejtorinë e Marrëveshjeve të Hidrokarbureve në Albpetrol ku titullar ishte Spahiu janë konstatuar parregullsi të dukshme dhe projekt programet nuk janë kryer në studime dhe reflektime reale por kryhen në mënyrë sipërfaqësore. “Nga shqyrtimi i projekt-programeve të dërguar nga Qendrat e Prodhimit u konstatua në pjesën më të madhe se këto programe nuk argumentonin me shpjegime dhe llogaritje të kontrollueshme shpenzimet që kërkonin. Në pjesën më të madhe të projekt-programeve ishin paraqitur tabela me sasi të hekurit, saraçineskave, tubave, llamarina, profile hekuri, materiale hekuri si dhe shpenzime për riparime pa pasur detaje se çfarë do të bëhej me këto materiale si dhe cilat objekte do të riparoheshin si dhe pa situacionet përkatëseraportohet në relacionin e KLSH-së. Gjithashtu shtohet se programimi me rezerva jo i argumentuar dhe i pabazuar në llogaritjet e kontrollueshme dhe të besueshme ka sjellë që këto të dhëna financiare teknike që merr drejtimi i shoqërisë për vendimmarrje të mos favorizojë shfrytëzimin maksimal të kapaciteteve të Albpetrol. Si pasojë nuk janë evidentuar përgjegjësit për mos realizimin e të ardhurave në prodhimin e naftës në sasinë 12 mijë 742 ton me vlerë rreth 363 milionë lekë. Sipas KLSh, parregullsi janë konstatuar dhe në kontratat e shitjes. Produkti është llogaritur sipas parashikimeve të kontratave të hidrokarbureve por që nuk është lëvruar fizikisht në depozitat e Albpetrol. Drejtimi i shoqërisë është justifikuar se për arsye të mospasjes së kapaciteteve magazinuese ose arsye të marrëdhënieve me shoqërinë nënkontraktore nuk është bërë e mundur tërheqja e produktit nga të tretët, por KLSh shprehet se drejtimi i shoqërisë në këtë situatë duhet të merrte masat për shitjen e të gjithë produktit që është detyruar të magazinojë në shoqëritë kontraktore përkatëse. Ndaj, si pasojë e këtyre veprimeve apo mos veprimeve nuk kanë hyrë të ardhura nga shitja e naftës bruto në llogari të Albpetrol. Pas publikimit të këtij raporti Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkoi marrjen e masave administrative deri në shkarkimin e drejtorit të Hidrokarbureve, por ministrja Belinda Balluku duket se ka qenë e kënaqur me punën e Spahiut, saqë vendosi ta ngrejë në detyrë duke e vendosur drejtor të Albpetrol.