Nëpërmjet shkrimit në gazetën “Telegraf” të datës 9 korrik 2014, u njoha me një kërkesë që vetëm një të padituri, të marri mund t’i shkojë mendja për pezullim vendimesh gjyqësore, në Gjykatën e Lartë. Mësohet se, është fjala për gjyqet e fituara në të gjitha shkallët e gjyqësorit, nga rreth 2000 ushtarakë në rezervë e më konkretisht për mënyrën e llogaritjes të pensionit të parakohshëm. Se kush është i padituri dhe i marri nuk e kuptova, se në shkrim ndoshta për etikë nuk përmendej autori, por cilësohej si kërkesë administrative e sigurimeve shoqërore. Nëse kjo kërkesë buron nga paaftësia e juristëve të sigurimeve shoqërore, mund të pranohet pasi e kam konstatuar dhe unë në disa seanca gjyqësore, por të kërkohet mohimi i të drejtave të fituara, me akte ligjore dhe me vendime gjyqësore, është më tepër si marrëzi e si duket të marrët janë humbësit e vërtetë të proceseve ligjore. Nuk janë ushtarakët në rezervë që paskan shkaktuar gropën e zezë në buxhetin e sigurimeve shoqërore, por është kokëfortësi e drejtuesve dhe padituria e juristëve, që i kanë humbur 2000 procese gjyqësore. Në këtë rast u kujtoj autorëve të kërkesës administrative, se dëmi ekonomik, vetëm për shpenzimet gjyqësore (avokat + përmbaruesit + ekspert kontabël), mesatarisht për çdo gjyq të humbur është 200.000 lekë të reja herë 200, është e barabartë me rreth 400.000.000 lekë. Ky dëm financiar do të ishte mirë të vihej në ngarkim nga KLSH-ja, drejtuesve të sigurimeve shoqërore dhe juristëve të tyre, që nuk mundën të rrëzojnë kërkesë paditë e rreth 2000 ushtarakëve në rezervë. Pa qenë nevoja të zgjatemi, për argument po përmend: Vendimin Nr 9, datë 26.02.2007, në faqen 9, në të cilin shkruhet: Gjykata kushtetuese çmon se ndryshimet e bëra në ligjin nr. 9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, nuk kanë respektuar kërkesat kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të fituara. Bëhet fjalë për ligjin nr. 8087, datë 13.03.1996 në të cilin janë përcaktuar gjithashtu edhe kriteret e caktimit të pensioneve të parakohshëm, që morën në konsideratë gradën, pagën referuese, vështirësi në shërbimet si ushtarak etj. Por, fatkeqësisht sa herë janë ndërruar qeveritë janë ndryshuar rregullat dhe formula e llogaritjes së pensioneve të parakohshme. Por, siç duket, tashmë me kërkesën e vet, drejtuesja e lartë e sistemit të sigurimeve shoqërore, kërkon të çojë në vend një amanet të z. Sali Berisha, por këtë herë me drejtimin e z. Edi Rama, i cili me votat e marra nuk e pastroi administratën e sigurimeve shoqërore. Unë shpresoj dhe besoj se Gjykata e lartë, kërkesës administrative do t’i përgjigjet me vendimin e vet për të unifikuar pensionet e parakohshme bazuar në vendimet e 2000 trupave gjykues, duke u njohur këtë të drejtë fituar në rrugë gjyqësore edhe ushtarakëve të tjerë që për arsye të ndryshme nuk mundën të ndjekin rrugën gjyqësore. Në këtë rast i kujtoj Kryeministrit Rama, të kujtojë premtimet e bëra në fushatën e vitit 2013 për të rregulluar anomalitë në pensionet e ushtarakëve. Le ta fillojë me shfuqizimin e aktit normativ të vitit 2010, të cilën e përmendi shumë herë në fushatë, le të THËRRESË përfaqësuesit e grupit të interesit sa nuk është vonë dhe jam i bindur se do ta gjejë zgjidhjen e shumë fituar nga mijëra ushtarakë.
*President Nderi i Shoqatës KURSH
****
Si i përçau pushteti ushtarakët në rezervë
Besnik Fusha
Me apo pa ndihmën e strukturave qeverisëse, por sigurisht në interes të pushtetit e në dëm të mijëra ushtarakëve në rezervë e lirim, ashtu siç ka ndodhur me partitë, shoqatat e grupimet, dhe ushtarakët u përçanë duke u grupuar në dy shoqata. E kjo ndodhi pikërisht në momentin kur u duk se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ushtarakëve në rezervë dhe lirim iu njoh ligjërisht trajtimi financiar sipas kërkesave të Statusit të Ushtarakut, duke i quajtur antikushtetuese vendimin e qeverisë Berisha për bllokimin e këtij trajtimi. E në momentin kur pritej që vendimi i Kushtetueses të zbatohej, një grup ushtarakësh shkëputen nga Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve Rezervë të Shqipërisë (SHKURSH) dhe krijuan Aleancën Kombëtare të Ushtarakëve Shqiptarë. Nuk është vendi për të analizuar nëse kjo shkëputje erdhi si pasojë e paaftësisë së shoqatës ekzistuese për tu përballur me pushtetin (gjë që në fakt deri atëherë e bëri me dinjitet, ku veçohen protestat masive në Tiranë e rrethe), apo për shkak të joshjes së pushtetit ndaj një grupi ushtarakësh, në mënyrë që ti mbante nën kontroll e tu mohonte, siç edhe po ua mohon zbatimin e ligjit për pensionet. Por një gjë është e sigurt, dueli mes krerëve të shoqatave se kush ka anëtarësinë më të madhe e kush duhet ti përfaqësoj si palë në Ministrinë e Mbrojtjes (!?), ka asfiksuar forcën e dikurshme të ushtarakëve në rezervë, gjë e cila po I jep mundësi pushtetit jo vetëm të mos respektoj Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ushtarakët në Rezervë, por të shkojë deri atje, që nëpërmjet institucioneve shtetërore, të ndërhyjë në Gjykatën e Lartë dhe tu bllokoj pensionet rreth 2000 ushtarakëve në rezervë, të cilin e kanë fituar me vendimin e formës së prerë të gjykatave shqiptare. Krerët e këtyre shoqatave, pothuaj i kanë harruar interesat e kolegëve, por rendin se kush të fitoj më shumë kredite tek titullarët e Ministrisë së Mbrojtjes, kush të pijë një kafe me Ministren apo Shefin e Shtabit të Përgjithshëm. Domosdo, të trokasin në zyrat e ministrisë për të kërkuar si lëmoshë ndonjë fletë kampi pushimi për vete, familjarë apo shokë të tyre. Le të jenë dy, tre apo më shumë shoqata, se sot është bërë modë një gjë e tillë… Por nëse pretendojnë se mbrojnë interesat e ushtarakëve, le të bashkëpunojnë me njeri-tjetrin, le të formulojnë drejt kërkesat dhe të hartojnë strategjinë e përbashkët për të vënë në vend dinjitetin moral e financiar që po ua nëpërkëmb pushteti, ai i djeshmi dhe ai i sotmi. Përflitet se disa drejtues të këtyre shoqatave kanë gëlltitur ‘një lugë çorbë të prishur’ tek pushteti, e tashmë, i duan vulat për privilegjet e tyre. Ndërkohë, revolta e ushtarakëve të thjeshtë po rritet nga dita në ditë, e ka gjasa që drejtuesve aktualë, në një forma apo në një formë tjetër ligjore, t’u ngelë vula në xhep. Ndërsa këta ish-ushtarakë që rrahin gjoksin për kontribute (na ishte një herë) janë në gjumë, pushteti është komod pasi ata nuk e shqetësojnë.



















