Zona më e madhe e karantinimit në Shqipëri, ruhen me ushtarë

455
Sigal

Që nga shpallja e pandemisë së Covid-19, shumë masa u morën dhe mijëra shqiptarë mbetën jashtë, pa mundësi që të rikthehen në atdhe, pasi qeveria mbylli kufijtë. Por që prej 18 prillit, qeveria nisi procesin e riatdhesimit të qytetarëve shqiptarë dhe akomodimit të tyre në njësitë hoteliere në Durrës. Deri më tani, janë rreth 514 persona të riatdhesuar të akomoduar në 14 hotele.

Përse nuk u përfshi shtëpia e pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes në këtë proces? “Marrjen e këtij vendimi e ka pasur pushteti qendror. Bashkia nuk ka rol”, tha Florian Tahiri, nënkryetar i Bashkisë Durrës.

Të riatdhesuarit mbahen nën mbikqyrjen e forcave ushtarake dhe ato të shëndetësisë, të cilët nuk lejojnë daljen e asnjë prej të karantinuarve. Plotësimi i nevojave të tyre kryhet nga stafi i hotelit, i cili gjithashtu është i karantinuar brenda ambienteve të hotelit.

Brunilda Isufi, një prej të riatdhesuarve pohon për “A2” se ka munguar kontrolli shëndetësor. Të riatdhesuarit kërkojnë që t’u bëhen edhe testet, në mënyrë që ato që rezultojnë negative nga Covid-19 të lejohen të shkojnë në banesat e tyre, por kjo kërkesë në kushtet e pandemisë mbarë botërore duket e parealizueshme.