VATRA:Shteti u vu në shërbim të partisë në pushtet për të fituar zgjedhjet

214
Sigal

VATRA INKURAJON HETIME GJITHËPËRFSHIRËSE PËR TË VËRTETËN ELEKTORALE NË SHQIPËRI

– INTERVISTË E GAZETËS”DIELLI” ME KRYETARIN E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS”VATRA” PAS KTHIMIT NGA SHQIPËRIA-

– ELMI BERISHA: VATRA DO TË INFORMOJË ME KORREKTËSI INSTITUCIONET AMERIKANE PËR ZGJEDHJET E 25 PRILLIT-

Elmi Berisha, kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, në një rrëfim të gjatë për gazetën “Dielli” dhënë gazetarit Sokol Paja, pas kthimit nga vizita në Shqipëri, skanon ecurinë dhe takimet intensive që delegacioni i Vatrës zhvilloi në Shqipëri me rastin e zgjedhjeve Parlamentare të 25 prillit. Sipas kryetarit z.Elmi Berisha, Vatra inkurajon hetime gjithëpërfshirëse për të vërtetën elektorale mbi zgjedhjet në Shqipëri, pasi e vërteta u bën mirë institucioneve dhe qytetarëve të republikës së Shqipërisë. Z.Berisha tregon me detaje për vizitën e delegacionit të Vatrës në familjet e prekura nga termeti dhe ndihma që do japë Vatra për këto familje, tregon detaje të kontributit për zgjedhje të lira dhe demokratike në Shqipëri, takimet me Presidentin e Republikës Meta, ish-kryeministrin Berisha, liderin e opozitës Basha, vizitën në Autoritetin e Dosjeve, takimin me akademik Beqir Metën, pjesmarrjen në takimin elektoral dhe mbeshtetjen e dhënë kandidates, që kishte mbështetjen e të përndjekurëve politikë Ledina Fratari, si dhe takimi me simbolin e qëndresës antikomuniste në Shqipëri Simon Mirakajn.

z.Kryetar si ndjeheni pas kthimit nga vizitat e rëndësishme në Shqipëri dhe Kosovë?
Ndjehem jashtëzakonisht i lumtur për vizitat që patëm në Shqipëri me një pjesë të Kryesisë së Vatrës. Kjo ishte një vazhdimësi e shkëlqyer e traditës vatrane, ndjekur prej vitesh me radhë.
Vatra nuk mund të mungojë dhe nuk mund të qëndroj larg në momente të rëndësishme, siç janë zgjedhjet, apo procese të ndryshme kombëtare si në Shqipëri, Kosovë apo vise të tjera kombëtare. Vatra ka dhënë dhe jep kontributin e saj për të mirën e shqiptarëve në shtetet amë. Ajombështet proceset demokratike dhe monitorimi i zgjedhjeve dhe mbarëvajtja e tyre kanë një rëndësi për Vatrën dhe çdo shqiptar kudo që jeton e punon. Ndjehem shumë i gëzuar që së bashku me përfaqësuesit më të denjë të Vatrës kryesuam një delegacion për të monitoruar dhe mbështetur proceset demokratike në Shqipëri.

A e përmbushi Vatra misionin e saj gjatë kësaj vizite të rëndësishme në Shqipëri me rastin e zgjedhjeve parlamentare?
Vatra bëri një vizitë historike dhe një përfaqësim dinjitoz në Shqipëri në një kohë shumë të rëndësishme për qytetarët shqiptarë siç ishin zgjedhjet parlamentare.Vatra e përmbushi më së miri misionin,qëllimin dhe angazhimin e saj në dobi të qyytetarëve shqiptarë, proceseve demokratike dhe betejës për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Vatra ka kërkuar institucione të forta dhe të qëndryeshme, zgjedhjet të lira dhe me standarte, sundim të ligjit, respektim të drejtave të njeriut, luftë krimit e korrupsionit, zhvillimin e ekonomisë, krijimin e një shpresë të re në shqipëri që të mos shpopullohet Shqipëria, zhdukjen e nepotizmit dhe kryerjen e reformave të qënësishme që zhvillojnë Shqipërinë dhe e afrojnë atë me Perëndimin.

Si u prit Vatra në Shqipëri ?
Në këtë vizitë shumë të rëndësishme që ne si Vatër zhvilluam në Shqipëri, u pritëm në mënyrë të shkëlqyer, siç është pritur gjithmon Vatra në këta 30 vite.Vizitën e filluam nga Shkodra ku nderuam vëllain e nën/kryetarit të Vatrës, studjuesin Eduard Grishaj i cili u nda tragjikisht nga jeta pak javë më parë dhe më pas kemi vazhduar në Tiranë duke u takuar me Presiodentitn e Republikës z.Ilir Meta, ish kryeministrin Prof.Dr Sali Berisha, liderin e opozitës Lulzim Basha, kryetaren e Autoritetit të Dosjeve znj.Gentiana Mara Sula, qëndrestarin e persekutimit komunist në shqipëri z.Simon Mirakaj, Akademik Beqir Metën që po përgatit një studim të shkëlqyer mbi historinë e Vatrës, kemi vizituar familjet e prekura nga termeti dhe në fund kemi mbështetur publikisht kandidaten për deputete të shtresës së të përndjekurve politikë znj. Lediana Fratari. Zhvilluam bisedime dhe takime intensive ku Vatra këmbënguli fort në misionin e vizitës së saj. Dua të theksoj ftesën nga Doktor Berisha i cili u ndje shumë i respektuar dhe na falenderoi pafund për ndihmën që po jep Vatra jo vetëm në histori por edhe në këtë moment shumë të rëndësishëm për shtetin dhe popullin shqiptar. Doktor Berisha parashtroi vështirësitë për zgjedhje të lira dhe të pamanipuluara dhe ne i premtuam se do të jemi kurdoherë aktivë në proceset vendimmarrëse të shtetit e kombit shqiptar.

Ju kanë etiketuar në shtyp për njëanësi politike dhe lidhje me të djathtën, çfarë komenti keni për këtë?
Vatra ka qenë gjithmonë më afër të djathtës për shumë arsye historike, shpirtërore dhe ideologjike. Me të majtën nuk kemi pasur asnjëherë qasje të afërt. Vatra shkoi natyrshëm në misionin dhe qëllimin e saj. Vatra përkrah çdo shqiptar pa dallim. Ne nuk kishim asnjë ftesë nga e majta në Shqipëri. Të majtët edhe kur vijnë në New York, nuk kujtohen për Vatrën. Qasja jonë është e qëndrës së djathtë. Vizita jonë dhe kontributi ynë në Shqipëri ishte i natyrshëm dhe shumë i përshpirtshëm. Uroj në të ardhmen që institucionet dhe të majtët në Shqipëri të kujtohen dhe të ndërgjegjësohen se Vatra punon për çdo shqiptar dhe jo vetëm për individë të caktuar apo parti politike. Vatra do të bashkëpunojë dhe punojë me të gjtihë ata që do ta kërkojnë ndihmën dhe bashkëpunimin tonë. Fakti që opozita ka kërkuar të takohet me ne do të thotë se ata ndjehen më të afërt me ne. Të majtët më kanëbërë presion dhe më kanë kërkuar gjatë vizitës, që të mos ndërhyj në punët e brëndshme të Shqipërisë, por ua kam bërë të qartë se Vatra është mbi partitë dhe ka synim të kontribuojë për mirëqënien e çdo qytetari në Shqipëri, Kosovë e në viset shqiptare. Vatra ka misionin, qëllimin, filozofinë dhe qëndrimet e saj dhe nuk i ndryshon për askënd pavarësisht se kujt i pëlqejnë apo jo. Ne do ta japim ndihmën dhe bashkëpunimin tonë në çdo rast kur kërkohet për të mirën e mbarë qytetarëve shqiptarë dhe jo individëve të caktuar.

Cili është qëndrimi juaj për zgjedhjet në Shqipëri?
Zgjedhjet Parlamentare në Shqipëri u zhvilluan në një klimë tensioni dhe parrregullsish të theksuara. Partia në pushtet vodhi të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë dhe i përdori për të fituar pushtet. Kjo është diçka e rëndë dhe e papranueshme ne një shtet demokratik. Kjo është një gjë shumë serioze dhe nuk i bën legjitime këto zgjedhje pasi qeveria duke përdorur fuqinë e pushtetit institucional ushtroi presion mbi zgjedhësit nëpërmjet eksponentëve të caktuar të veshur me pushtet ekonomik dhe politik dhe bleu votat. Ky fakt e ka shqetësuar tejmase Vatrën. Shqiptarët kanë nevojë për të vërtetën mbi zgjedhjet. Uroj dhe shpresoj që sa më parë e vërteta sesi u votua dhe kush fitoi realisht në Shqipëri të zbulohet sa më shpejt. Vatra inkurajon hetime të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse për të vërtetën elektorale në Shqipëri. E vërteta u bën mirë institucioneve dhe qytetarëve të republikës. Është një domosdoshmëri e panegociueshme që në një shtet demokratik të sigurohen të dhënat personale të qytetarëve dhe të mbrohen me ligj. Patronazhimi, vjedhja e database të qytetarëve shqiptarë është shkelje e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Qytetarë të survejuar dhe të intimiduar kudo e ngado. Pushteti përdori çdo mjet për të fituar zgjedhjet me çdo kusht edhe në kundërshtim me ligjin. Gjithësesi ne do të informojmë institucionet amerikane rreth situatës parazgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve.

Si e gjykoni përfshirjen e institucioneve shtetërore në zgjedhje, pra si pushteti përdori shtetin për të fituar zgjedhjet?

Institucionet shtetërore dhe njerëzt të lidhur me pushtetin kanë shantazhuar e bërë presion për votën.Dora e pushtetit dhe shtetit ndjehej ngado e kudo. Ne kemi pasur informacione të sigurta si nga opozita dhe ambasadat ndërkombëtare për atë që po përgatitej të ndodhte në Shqipëri. Shteti u vu në shërbim të partisë në pushtet për të fituar zgjedhjet. Shteti me të gjitha fuqitë dhe kapacitetet u vu në shërbim të partisë në pushtet. Këto zgjedhje u zhvilluan në një klime të tensionuar dhe jo demokratike. Është mëse e qartë që pushteti përdori shtetin për të fituar partia shtet. Është abuzuar me votën e qytetarëve. Ne jemi në një vijë me denoncimet e OSBE-ODHIR, se përveç shit-blerjes së votës, njësimi i shtetit me partinë në pushtet,mbetet një rrezik permanent për ta mbytur demokracinë dhe zgjedhjet e lira. Vatra do të vazhdojë misionin e qëllim e vet. Vatra do ta duartrokasë atë parti që bën gjëra të mira për qytetarët shqiptarë dhe do ta kritikojë me gjithë fuqinë e saj atë parti që nuk u shërbën qytetarëve. Vatra do ta ngrejë gjithmonë zërin për të mirën e përgjithshme të shtetasve shqiptarë kudo ata gjenden.

Pse Vatra mbështeti hapur vetëm kandidaten e ish të përndjekurve politikë Lediana Fratari?

Për Lediana Fratarin ishte mbështetje me ndërgjegje, me zemër dhe me shpirt.E kishim mision të parardhësve vatranë që diktatura i vrau, i pushkatoi, i burgosi, dhe i syrgjynosi kampeve të internimit.Të përndjekurit e regjimit komunist në Shqipëri janë heronjt të vërtetë. Askush nuk mund ta imagjinojë persekutimin e padrejtë që ata kanë përjetuar mbi kurriz. Ne u pritëm në mënyrë të shkëlqyer nga të gjithë të përndjekurit në Shqipëri dhe Vatra vendosi ta pëkrahë hapur këtë kandidate dinjitoze. Ne kemi qenë gjithmonë pro të përndjekurve politkë në Shqipëri. Ne i kemi përkrahë dhe do ti përkrahim në të gjitha proceset dhe kauzat që ata ndjekin e kërkojnë. Kjo mbështetje është e drejtë morale jona, mbi të gjitha për atë që Lediana përfaqësonte në këtë kandidim për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Ne ende besojmë se vajza si Lediana do ta sjellin ndryshimin në Shqipëri.

Çfarë mbresat ju ka lënë vizita në familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri?
Vizita e delegacionit të Vatrës në familjet e prekura nga termeti ishte shumë domethënëse për tu gjendur pranë vëllëzërve e motrave tona në ditë kaq të vështira. Një ndër qëllimet kryesore të vizitës në Shqipëri ka qenë kontakti dhe komunikimi me këto familje në mënyrë që Vatra tu ndërtojë shtëpi këtyre familjeve me fondet që Vatra ka grumbulluar dhe pse jo të fillojë një fushatë tjetër për mbledhje fondesh shtesë. Jemi ndjerë tepër të trishtuar për gjendjen në të cilën shteti kishte lënë në mëshirë të fatit qytetarët e tij. Njerëz të braktisur, që kishin mbi 1 vit e gjysmë që jetonin në çadra, fëmijë pa shkollë, dhe jetësë në kushte skandaloze. Qeveria kishte harruar qytetarët e saj. Familjet kishin nevojë emergjente për ndihmë.Gjendja reale ishte e tmerrshme. Dimër e verë një jetësë e rëndë në çadër. Takuam njerëz fisnik dhe të dashur. Jemi mallëngjyer nga këto takime. Nuk e përshkruaj dot emocionin që kemi përjetuar si delegacion. Familja Jaku kishte nevojë imediate për ndihmë dhe sidomos fëmijët për shkollim. Ne do i gjendemi pranë kësaj familje. Ne do të bëjmë gjithçka tu gjendemi pranë. Shqipëria ka nevojë për solidaritet.

Si po shkon kërkimi shkencor për botimin e librit studimor për historinë e Vatrës?
Një ndër objektivat e vizitës së delegacionit të Vatrës në Shqipëri ishte edhe takimi me Akademik Beqir Metën i cili po punon fuqishëm për librin shkencor të historisë së Vatrës. Patëm një takim shumë frytëdhënës dhe u njohëm nga afër me punën voluminoze shkencore të Akademikut Beqir Meta i cili dëri më tani ka bërë një punë kolosale. Historia e Vatrës po del në dritë dhe i shprehim mirënjohjen dhe falenderim profesor Beqir Metës për punën fisnike që është duke përgatitur. Shpresojmë dhe kemi besim se libri do të jetë gati në vitin e 110 vjetori të Vatrës, pra vitin e ardhshëm. Po përgatitet një punim shkencor dinjitoz, jemi me fat për këtë bashkëpunim dhe libri studimor që do jetë shumë shpejt në dorën e vatranëve dhe studjuesve shqiptarë e të huaj.
Çfarë mbresash ju la vizita në Autoritetin e Dosjeve?
Në autoritetin e dosjeve patëm një vizitë shumë mikpritëse dhe miqësore. Dua ta falenderoj Kryetaren e Autoritetit Gentiana Mara Sula e cila u shpreh e gatshme për bashkëpunim dhe na ofroi çdo qasje në dokumentacion për hulumtime dhe kërkime sipas ligjit dhe procedurave të marrjes së informacionit dhe njohjes me dokumentet. Ishte një takim shumë emocional ku u njohëm me disa dosje persekutimi të njerëzve të pafajshëm. E pa imagjinueshme vuajtja e padrejtë me të cilën janë përballur qytetarët shqiptarë gjatë diktaturës komuniste. Persekutime rrënqethëse. Falë bashkëpunimit të ngushtë me Autoritetin e Dosjeve, Vatra në vazhdim do të ketë akses që të bëjë vetting për strukturat e saj, veçanërisht për të gjithë ata që e sulmojnë apo hedhin baltë mbi Vatrën. E vërteta i bën mirë secilit prej nesh.

Një mesazh për vatranët dhe të gjithë shqiptarët
Vatra do ta ruajë misionin e saj të shenjtë duke qenë gjithmonë një institucion shpirtëror, patriotik dhe atdhetar me qëllim për të punuar ditë e natë për kombin shqiptar. Vatra do të kontribuojë në vazhdim në proceset demokratike dhe do kërkojë rritjen e mirëqënies për shqiptarët në Kosovë, Shqipëri e trevat shqiptare. Vatra do të punojë fort që të mbrojë interesat kombëtare të shqiptarëve dhe të kontribuojë për shtete të forta, reforma të thella dhe institucione funksionale që garantojnë zhvillim ekonomik, barazi para ligjit dhe garantim të lirive e të drjetave themelore të njeriut.