Zhduken 39 fëmijë shqiptarë, BBC: Humbën pas mbërritjes ilegalisht në Britani

329
Sigal

Emigrimi masiv i shqiptarëve në rrugë ilegale drejt Britanisë po shoqërohet me shifra shqetësuese të zhdukjes së fëmijëve. BBC thekson në një artikull se pothuajse 20% e fëmijëve emigrantë të pashoqëruar nga Shqipëria, kanë humbur gjurmët. Humbja e kontakteve ka ndodhur pas zbritjes së të miturve në tokën britanike pasi ata ishin vendosur në qendrat e pritjes. Deri në 31 tetor, autoritetet britanike kanë marrë 197 fëmijë shqiptarë, ndërkohë për 39 prej tyre nuk ka më asnjë gjurmë. Një organizëm, që bën fushatë për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi, theksoi se këto shifra janë tejet shqetësuese. Sipas BBC, shifrat e qeverisë britanike, të mbledhura nga BBC tregojnë se mbi 44 mijë persona kanë kaluar kanalin e La Manshit me varka të vogla gjatë këtij viti krahasuar me rreth 28.400 persona që mbërritën vitin e kaluar. Shifrat e larta të këtij viti shkaktuan mbipopullimin e qendrës së pritjes Manston në Kent, ku u grumbulluan rreth 4000 njerëz, sa dyfishi i kapacitetit. BBC thekson më tej se për Këshillin e Qarkut të zonës, zhdukja e 39 fëmijëve shqiptarë, të cilët ishin marrë në ngarkim, duhet të jetë jashtëzakonisht shqetësuese.