Zgjedhjet vendore/ Celibashi mesazh partive politike: Kandidatët të mos kenë rekorde kriminale

130
Sigal

Në një tryezë me temë “Mbrojtja e integritetit zgjedhor në Shqipëri”, kryekomisioneri Shtetëror Ilirjan Clibashi ka vënë theksin tek disa probleme të procesit zgjedhor.

Duke folur për zgjedhjet e 14 majit, Clibashi nënvizoi se është thelbësore që kandidatët që do u ofrohen qytetarëve të jenë të zgjedhur individë që nuk kanë rekorde kriminale.

“Thelbësore që kandidatët që do u paraqiten të jenë individë të përshtatshëm e me integritet që t’u shërbejnë interesave të zgjedhësve. Një kandidat i përshtatshëm zotëron kualifikimet zotësitë dhe atributet e nevojshme për të mbajtur poste publike, janë individë që kanë një histori të dëshmuar të sjelljes së tyre etike, integritetit dhe respektit për shtetin e së drejtës. Dikush që është i aftë të marrë vendime që të ndihmojë e bashkëpunojë me zgjedhësit.

Zgjedhja e kandidatëve të pastër ligjërisht thelbësore për funksionimin e duhur të një shoqërie demokratike. Këta individë kanë më shumë gjasa të mbështesin parimet e demokracisë dhe veprojnë në interesin më të mirë të zgjedhësve të tyre e të punojnë me zyrtare të tjerë në interes të qytetarëve.

Zgjedhja e kandidatëve të papërshtatshëm me rekorde të shkeljes së ligjit, veçanërisht në atë penal mund të ketë pasoja të rënda për procesin demokratik.

Zgjedhja e kandidatëve të papërshtatshëm mund të çojë në një sërë pasojash të rënda përfshirë korrupsionin dhe nepotizmin më së pari.

Individë të tillë mund të përdorin pozitat e tyre të shtetit për përfitime personale të përfshihen në praktika jo etike e t’u japin përparësi interesave të tyre. Kjo gërryen besimin e publikut në procesin zgjedhor e minon legjitimitetin e qeverisë së zgjedhur qoftë qendrore dhe ajo lokale“, tha Celibashi.

Celibashi ndër të tjera theksoi edhe se keqpërdorimi i burimeve shtetërore është një tjetër çështje serioze në zgjedhje dhe që është shkelje e sanksionueshme.

Ndërsa u shpreh se është thelbësore mbrojta e të dhënave të qytetarëve në zgjedhje.

“Shkeljet ose keqpërdorimi i të dhënave mund të dëmtojë qytetarët dhe të rrezikojë integritetin e procesit zgjedhor.

Përdorimi i të dhënave mund të çojë në krijimin e profileve digjitale të votuesve që mund të përdoret për t’i targetuar ata me mesazhe të personalizuara politike dhe elektorale. Ky lloj shënjestrimi mund të jetë ndërhyrës dhe manipulues”, tha ai.