Po shkon drejt një fitoreje të sigurt të garës për Rektor të Universitetit të Tiranës prof. Mynyr Koni. Nga numërimi i votave të pedagogëve ai ka marrë 460 të tilla ndërsa rivalja e tij Klodeta Dibra numëron gati gjysmën e tyre me vetëm 243 vota. Universiteti i Tiranës ka 760 pedagogë dhe 28 mijë studentë. Megjithatë vota e studentëve ka vetëm 10% të vlerës totale në numërim kështu që edhe sikur të gjithë studentët të kenë votuar për Dibrën, Koni është matematikisht fitues i garës megjithëse procesi i numërimit nuk ka përfunduar ende.
Universitetet publike në vend zhvilluan zgjedhjet për drejtuesit e rinj të cilët përfshijnë: 14 rektorë, 55 dekanë dhe 155 shefa departamentesh. Ne 14 institucionet e arsimit te larte në vend procesi i votimit nisi normalisht në orën 8.00 dhe përfundoi në orën 16:00. Kandidatet për Rektorë dhe Dekanë kanë votuar në orët e paradites në qendrat e votimit ngritur në fakultetet përkatëse. Gara më e ashpër ishte në Universitetin e Tiranës.