Zgjedhjet/ Ndryshon ndarja e mandateve: Tirana merr një deputet plus nga Dibra, Durrësi “kërcënon” Fierin

508
Sigal

Duket se ka bërë lajm përqëndrimi i një artilerie të rëndë të politikës shqiptare në qarkun Durrës, që nga Edi Rama, Arben Ahmetaj, kreu i OSHE-së, apo edhe emrat kryesorë të opozitës, që nga Lulzim Basha apo dhe Monika Kryemadhi.

Durrësi përveç fuqisë politike të provokuar nga e ashtuquajtura dosja 339 apo tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar, ka edhe një ndryshim krejt të freskët fare që pritet të bëhet i ditur sa më shpejt.

Si qark, Durrësi sapo e ka kaluar popullsinë e Fierit. Aktualisht Durrësi ka 143.561 banorë, nga 143.256 që ka Fieri. Në zgjedhjet e shkuara, Fieri kishte 16 mandate dhe Durrësi 14. Sipas këtij ndryshimi i bie që Durrësit t’i shtohet një mandat, çka e rrit edhe më shumë fuqinë politike të tij, duke ja ulur Fierit. Logjika të çon se duhet t’i zbritet Fierit që njihet si hambari i votave të socialistëve, por se një mandat deputeti mund t’i hiqet dhe ndonjë qarku tjetër.

Sipas burimeve  partitë po punojnë për rishikimin e zonave dhe të mandateve. Mendohet se një mandat mund t’i hiqet qarkut Dibër, duke ia dhënë atë Tiranës. Metropoli shqiptar pohojnë burimet do të ketë në zgjedhjet e ardhshme 35 deputetë, ndërsa Dibra 5 nga 6 deputetë që kishte zgjedhjet e fundit.

Vendimin duhet ta marrë KQZ-ja e re që pritet të zgjidhet pas negociatave ndërmjet PS-së dhe PD-së në Këshillin Politik. Sipas Kodit Zgjedhor, numri i mandateve ndahen më shumë se 4 muaj para zgjedhjeve. Ka një formulë llogaritjeje, sipas të cilëve numri i përgjithshëm i banorëve pjesëtohet me numrin 140 dhe del numri i banorëve që i takon një deputet.

Sipas një vlerësimi paraprak mund të ketë edhe qarqe të tjera që mund të preken pasi ka pasur ndryshim popullsie por kjo do të vlerësohet nga ekspertët e KQZ-së e në fund nga anëtarët që i parkasin edhe PS-së e PD-së që duhet të japin konsensusin e tyre.

Për shembull, Kukësi është një  nga qarqet që ka pasur më shumë ulje popullsie gjatë këtyre viteve, ndërkohë që ndryshim ka pasur edhe Shkodra, Tirana, etj. Formula e përcaktimit të mandateve, megjithatë është mjaft e komplikuar dhe sipas gjasave nuk do të jetë e lehtë ndryshimi, që mund të provokojë edhe një debat të fortë në KQZ.

Megjithatë, palët duket se janë përgatitur për ndryshim, ndaj dhe kanë përqëndruar të gjitha bateritë në Durrës.

Duke qenë një qark që ka edhe një deputet më tepër, si logjikë gjithmonë një numër prodhon edhe inercinë e tij që është i dytë, ndaj është shumë i rëndësishëm për palët.

Nga ana tjetër nëse bëhet me numrër tek, pra nga 14 në 15, logjika për një fitore nga një palë dhe humbje nga pala tjetër ka më shumë peshë; se sido që të jetë puna me këtë konfigurim nuk do të ketë barazim.

Si janw zonat aktuale dhe numri i mandateve

Ndarja e re e mandateve e propozuar nga KQZ, për 12 zonat zgjedhore, sipas qarqeve është si më poshtë:

1.Zona zgjedhore qarku Berat 7 mandate

2.Zona zgjedhore qarku Dibër 6 mandate

3.Zona zgjedhore qarku Durrës 14 mandate

4.Zona zgjedhore qarku Elbasan 14 mandate

5.Zona zgjedhore qarku Fier 16 mandate

6.Zona zgjedhore qarku Gjirokastër 5 mandate

7.Zona zgjedhore qarku Korçë 11 mandate

8.Zona zgjedhore qarku Kukës 3 mandate

9.Zona zgjedhore qarku Lezhë 7 mandate

10.Zona zgjedhore qarku Shkodër 11 mandate

11.Zona zgjedhore qarku Tiranë 34 mandate

12.Zona zgjedhore qarku Vlorë 12 mandate.

Neni 75 i Kodit

Kriteret dhe procedura për caktimin e numrit të mandateve

1. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet në raport me numrin e shtetasve të secilës zonë zgjedhore. Çdo mandat përfaqëson një numër afërsisht të njëjtë shtetasish.

2. Numri total i shtetasve, sipas Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, pjesëtohet me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, duke përcaktuar numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati të Kuvendit.

3. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet duke pjesëtuar numrin e shtetasve me vendbanim në zonën zgjedhore, me numrin mesatar, të përftuar sipas pikës 2 të këtij neni.

4. Çdo zone zgjedhore i caktohet fillimisht një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga pjesëtimi, sipas pikës 3 të këtij neni.

5. Në rast se në përfundim të veprimit të kryer, sipas pikës 4 të këtij neni, një apo më shumë mandate mbeten pa u shpërndarë, ato u shpërndahen zonave mbi bazën e presjes dhjetore me të madhe të përftuar nga pjesëtimi, sipas pikës 3 të këtij neni. Shpërndarja e mandateve të mbetura kryhet në rend zbritës, duke filluar nga zona me presjen dhjetore më të madhe.

6. Në rast se edhe pas zbatimit të pikës 5 të këtij neni presja dhjetore e dy apo më shumë zonave është e njëjtë, mandati i fundit i caktohet asaj zone që, pas përllogaritjes sipas pikës 3 të këtij neni, ka numrin më të madh të mbetur të shtetasve që nuk kanë prodhuar mandat të plotë.

7. Në rast se dy apo më shumë zona zgjedhore, edhe pas zbatimit të pikës 6 të këtij neni, kanë numër të njëjtë shtetasish, të cilët nuk kanë prodhuar mandat të plotë, mandatet ndahen me short nga KQZ-ja. Hedhja e shortit bëhet kurdoherë publike dhe në prani të subjekteve që kanë përfaqësues të përhershëm në KQZ.