Zëri i Amerikës: Largimi i të rinjve nga Shqipëria pengon zhvillimin e turizmit, nuk ka më profesionistë

155
Sigal

Emigracioni është kthyer në një plagë të madhe të shoqërisë shqiptare, Zëri i Amerikës i ka kushtuar një artikull ku ndër të tjera thekson: Njësitë e shërbimeve në disa zona turistike në Shqipëri po përballen me vështirësi për të gjetur punëtorë sezonalë si rezultat i nivelit të lartë të emigrimit të të rinjve. Qarku i Gjirokastrës mbetet nga zonat më të prekura nga mungesa e fuqisë punëtore, ndërsa turizmi është gjithnjë e në rritje. Operatorët vendas thonë se veçanërisht profesionistët që kualifikohen largohen gjithnjë e më shumë jashtë vendit duke sjellë sfida të reja për sektorin turistik.Vikjana Nakaj është udhërrëfyese për një grup turistësh, që vizitojnë tunelin e Luftës së Ftohtë në Gjirokastër. Por ndërsa turizmi po rritet, sidomos në qendrën historike të Gjirokastrës, nevojat për shërbime turistike bëhen edhe më të mëdha. Shpëtim Hora, specialist pranë Qendrës së Formimit Profesional, që mbulon disa kurse përfshirë udhërrëfyesit turistik, thotë se nga janari deri në korrik të këtij viti nga rreth 600 kursantë të regjistruar rreth 170 kanë qenë në fushën e turizmit.Vetëm në kurset e udhërrëfyesve janë kualifikur 33 të rinj, thotë më tej zoti Hora . Por sipas tij largimi i të rinjve që kualifikohen jashtë vendit sjell probleme për sektorin turistik.“Fatkeqësisht kjo është një dukuri që po ndodh në kohët e sotme sidomos në Qarkun e Gjirokastrës. Vjen pak nga papunësia, pak nga dëshira për të parë diçka të re, nga pagat e ulta e shumë faktorë të tjerë.”Zoti Hora thotë se ata bashkëpunojnë me sipërmarrjet sidomos në aspektin e praktikave profesionale. Më të prekur nga nevojat për punonjës në shërbime turistike janë hotelet dhe restorantet. Hysen Kodra, sipërmarrës në dy hotele dhe një restorant thotë se sfida më e madhe po shfaqet me mungesën e punonjësve. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri në vitin 2021 ishte rreth 9 mijë, duke shënuar një rritje me 18,9 %, krahasuar me vitin 2020. Sipas INSTAT arsyeja për punësim ishte kryesorja e lejeve të qëndrimit të të huajve në Shqipëri gjatë vitit të shkuar me rreth 47,7 %. Ndërkohë që Gjirokastra shënon një rritje të ndjeshme të turistëve, këtë vit ajo po shfaq nevojën edhe të fuqisë punëtore sezonale. Drejtori i Turizmit dhe Trashëgimisë në Bashkinë Gjirokastër, Blerim Kore, thotë se mbi 220 sipërmarrje turistike kanë rritur ofertën për punë. Qarku i Gjrokastrës është më i prekuri në Shqipëri nga emigrimi sidomos i të rinjve.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT në janar të këtij viti qarku që përfshin Gjirokastrën, Përmetin dhe Tepelenën shënonte 55 mijë banorë nga rreth 58 mijë që regjistronte në 2021. Ndërsa në pesë vitet e fundit qarku ka humbur rreth 11 mijë banorë pjesa dërmuese e të cilëve janë të rinj. Ndryshe nga pesë vite më parë kur të rinjtë emigronin kryesisht në Greqinë fqinje dhe ktheheshin në Shqipëri edhe për punësim sezonal tani emigrimi i tyre është drejt vendeve të Europës Perëndimore dhe Veriore.