“Zëri Amerikës” për 4 të vrarët e Velipojës

194
Sigal

Nga VOA-

Katër persona mbetën të vranë dhe dy të tjerë të plagosur gjatë një konflikti me armë, pak minuta pas mesnatës, në plazhin e Velipojës.

Drejtori i policisë së Shkodrës, Niko Brahimaj, bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur në mjediset e jashtme të hotel “Gocaj”, pas një konflikti të çastit, të lindur mes pronarëve të dy hoteleve për të drejtën e shfrytëzimit të hapësirës së rërës për vendosjen e shezllongeve dhe çadrave.

Mes të viktimave është edhe biznesmeni 59 vjeçar, Kujtim Ferracaku, pronar i hotelit “Fantazia” në Velipojë.

Gjithashtu, i plagosur në këtë konflikt ka mbetur dhe vëllai i tij, Hasan Ferracaku si dhe një 17 vjeçar.

Biznesmeni Ferracaku është babai i Arjan Ferracakut, 31-vjeçarit që u gjet i vrarë tre vite më parë në zonën e Livadhes, në periferi të qytetit të Shkodrës.

Në këtë ngjarje kriminale duket se janë përfshirë edhe persona të tjerë, për të cilët policia thotë se po kërkohen.

Në ndihmë të policisë vendore kanë shkuar forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe nje grup i forcave speciale “Renea”.

Në vendngjarje ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, si dhe drejtues të tjerë të policisë së shtetit.

Ndarja e bregut të rërës, në vijën bregdetare të Velipojës, prej vitesh është bërë burim konfliktesh mes pronarëve të hoteleve, pushuesve, por edhe grupeve kriminale që synojnë të shfrytëzojnë në mënyrë të jashtëligjshme vijën bregdetare.