Zef Preçi: Përfaqësim alla-Shqiptar…

611
Sigal

Çfarë mjerimi intelektual, politik, njerëzor dhe institucional me antarët e këshillave bashkiake! Kryetarët e bashkive, kushtetutshmërisht janë të vetmit trupa qeverisëse të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë në Republikën e Shqipërisë. Mirëpo edhe këta “zgjidhen” me të njëjtin mekanizëm kriminal, sipas të cilit zgjidhen dhe emërohet cilido politikan apo nënpunës i këtij vendi, dmth përmes sistemit feudal otoman të drejtimit ekstra-institucional nga kryetari i partisë. Pra, këshillat bashkiakë e kryetarët e tyre nuk i bashkon asgjë, disa madje as vendbanimi, me qytetarët të cilëve gjoja u janë angazhuar t’i përfaqësojnë politikisht dhe të mbrojnë interesat e tyre të ligjshme. Por për çfarë përfaqësimi mund të flitet kur këto këshilla binden verbërisht ndaj urdhërave politike edhe kur këto shkojnë kundër interesave të qytetarëve? Nuk po flas për rastet kur të shiturit njëherë lëvizin nga një parti në tjetrën “duke kërcyer si qeni i kallajxhiut”, siç thotë fjala e popullit… A mundet dikush të besojë, se populli i kënetës së Durrësit dëshiron të vetëhelmohet nga mali gjigant i mbetjeve që digjen në natyrë, ndërsa bashkia e atij qyteti harxhon miliona për betone që varrosin historinë mijëravjeçare të atij qyteti? Cilët qytetarë e kërkojnë këtë? Po në Tiranë, cilët qytetarë kërkojnë të mbajnë në këmbë një godinë teatri, shembja e të cilës duket se është vendosur, sepse oligarkëve klientë të qeverisë iu duhet trualli “në bash të vendit” për interesa fitimesh marramendëse, ndërsa bashkia konsultohet me …nëpunësit e vet (!?) A thuhet ndonjë fjalë mbi të mirën e përbashkët apo qytetarët e papërfaqësuar apo më keq akoma të përfaqësuar me të zgjedhur të oligarkisë dhe eunuke partiake pa emër duhet të marrin rrugët e botës nga humbja e shpresës, siç po i marrin? Përse nuk debaton këshilli bashkiak për dobinë publike të akteve të tilla, por kthehet në një garnizon të oligarkut të radhës, i cili ia ka vënë syrin pronës publike dhe për këtë grabitje ditën për diell askush nuk konsultohet me qyetarët tashmë “përtej të djathtës dhe përtej të majtës…”? Përse në të gjitha bashkitë e Shqipërisë nuk debatohet për borxhin publik të këtyre bashkive që bëjnë tenderë fiktive dhe deri para pak muajsh shuma e detyrimeve të papaguara arrinte në 2% të GDP-së ose më shumë se 280 milionë dollarë? Përse në të gjitha bashkitë e Shqipërisë kërkohet rritja e çmimit të ujit të pijshëm, në një kohë kur në çdo 3 litra ujë që hidhen në rrjet vetëm 1 litër faturohet dhe rritja e çmimit të ujit së bashku me taksat e tjera po varfëron pa fund familjet shqiptare?! A nuk po kuptohet vallë, se nga shtrenjtimi i jetesës, familjeve tona nuk u janë tharë vetëm xhepat, por edhe po iu thahet edhe zemra: shpresa se ky vend mund të bëhet një ditë? E në fund fare, “qershia mbi tortë” vendimi provokativ i Bashkisë së Hasit, që në emër të cilës pavarësi, merr vendim të shpallë “qytetar nderi” (pas vdekjës) një ish-deputet që ia ka nxirë fytyrën Hasit dhe politikës shqiptare… Mund të ketë njeri me dy pare mend në kokë të besojë, se të derguarit e partisë/partive veprojnë “në kokën e vet”? Apo thjesht një shashkë që largon vëmendjen nga skandalet e radhës dhe problemet serioze të qeverisjes? Nëse në një vend nuk mund të zgjedhin qytetarët, atëherë ata janë të privuar edhe nga çfarëdo formë e kërkesës së llogarisë ndaj pushtetit dhe është ky i fundit që “zgjedh” edhe popullin (a nuk dëgjojmë liderët të flasim “në emër të popullit” duke e ndarë në “popull i majtë” dhe “popull i djathtë”)? E mbas kësaj edhe llogaridhënia e stisur si prelud fushatë elektorale me para publike merr formën e “vijës së masave” (që në gjuhën e propagandës moderne quhet “bashkëqeverisje”). Ndërsa “konsultimi publik” dëgjeneron në monologje të pështira që duhet të kesh ngrënë ndonjë copë gazetë për të besuar në to… Ishte kjo një copëz Shqipërie në dyert e Evropës. Populli ynë thote se “kur vret veten, shkon gjaku hupe (dmth nuk ka se kush të hakmerret)”, e nëse shumica pajtohet me “malin që s’bëzan” qeverisja që prodhojnë këshilla e kryetarë të tillë e më lart, është plotësisht e merituar…