Protestat në të gjithë Shqipërinë, Avokatja e Popullit: Qytetarët janë të zhgënjyer

270
Sigal

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, thotë se vrasja e Klodian Rashës nga një efektiv policie është një ngjarje e cila do të ngelet gjatë në memorien e njerëzve. Sipas saj kjo tragjedi do të mbahet mend jo vetëm për jetën e pafajshme që humbi por edhe për ato çfarë solli pas, protestat dhe revoltën qytetare. Ballanca tha se është thelbësore që çdo organ kompetent të bëjë hetimet e plota në mënyrë që i akuzuari të marrë dënimin e duhur dhe në vend të kthehet besimi se ngjarje të tilla nuk do të kenë më vend.

”Për hir të së vërtetës janë marrë masat konkrete dhe jo masa të vogla, ka dhënë dorëheqjen edhe Ministri i Brendshëm për këtë çështje, që është një akt që duhet t’ia kishte vlejtur për një numër të madh qytetarësh. Duket se kjo nuk ka mjaftuar dhe shkaku se përse kjo nuk ka mjaftuar duhet të gjendet në sjelljen dhe mënyrën se si ne si organe shtetërore kur është dashur të ngremë zërin nuk e kemi bërë”,-tha në ”Euronews Albania”.

Ajo tha se dhuna nuk mund të jetë e pranueshme dhe në këtë mënyrë i hiqet e drejta e tubimit edhe qytetarëve të tjerë që duan të ngrenë zërin përballë padrejtësive. “Thënë kjo, nga ana e Policisë ka pasur reagime të ndryshme në momente të ndryshme. Forcat e Policisë kanë për detyrë të mbrojnë rendin dhe sigurinë shtetërore dhe parimisht përdorimi prej tyre i forcës është i lejuar por ama forca duhet të jetë porpocionale”,-sqaroi Ballanca.

Ajo tha se nuk mund të mbahet një qëndrim absolut sa i takon kësaj pjese ama sidoqoftë theksoi se shoqërimi i të rinjve në komisariate vetëm sepse janë aty pari për të protestuar pa bërë diçka konkretisht nuk është një qasje porpocionale e Policisë. Së fundmi ajo tregoi se rastet e ushtrimit të dhunës së policisë ndaj qytetarëve janë duke i hetuar dhe apeloi për vetëpërmbajtje nga të dyja palët.