Zbulohet pronari i Audit luksoz në Vlorë/Makina u spërkat me benzinë para se t’i vihet zjarri

313
Sigal

Makina luksoze Audi R8 me targë “MKBT71” që iu vu zjarri në Lungomare ka pronar Burim Zyberin një shqiptar i Maqedonisë së Veriut, me banim në Gjermani i ardhur vetëm 4 ditë më parë për pushime.

Ai ka pranuar se nuk ka asnjë konflikt me askënd teksa ngjarjen e cilëson të dyshimtë e i kërkon policisë të mbledhë kamerat e sigurisë.

“Jam nga Maqedonia e Veriut, – tha ai për mediat – dhe kam ardhur për pushime prej katër ditësh. Ka ndodhur që automjetin e kanë djegur. Por s’kemi dyshime, nuk kemi zënka, nuk kemi asgjë me askënd.  Ne jetojmë në Gjermani dhe kemi ardhur për pushime. Është shumë keq të ndodhin këto. Policia po heton dhe kamerat e sigurisë e kanë kapur çfarë kanë ndodhur”, theksoi ai.

Audi R8 me vlerë dhjetra mijëra euro, është djegur në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Vlorësnë zonën e Ujit të Ftohtë në një prej parkimeve pas një pallati aty pranë.

Ambienti është i pajisur me kamera biznesesh të cilat janë marrë nga policia si provë materiale.

Djegia e automjetit duket e qëllimshme. Dyshohet se makina tip u spërkat me benzinë para se t’i vihej zjarri dhe është djegur thuajse e gjitha, më së tepërmi në pjesën e përparme të saj.

Vlora është ndër ato qytete me numrin më të lartë të automjeteve të djegura. Që prej fillimit të këtij viti më tepër se 10 makina janë djegur, që ose kanë pësuar defekte – shkëndija elektrike ose janë djegur qëllimisht, por edhe kur janë përdorur në atentate.