Zbardhet skema e mashtrimit ndërkombëtar e partnerit të Olsi Ramës dhe këshilltarit të Xhaçkës

1283
Sigal

Pas investigimit fillestar nga një konsorcium me gazetarë nga 23 vende, që tregonte se një kompani me qendër në Kiev të Ukrainës, e quajtur Milton Group, mashtronte njerëzit me kriptomonedha, vazhdon raportimi nga qendra e gazetarisë investigative-OCCRP (Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit). Këtë herë ata tregojnë se rrjeti i mashtrimit shtrihet edhe në Shqipëri.

Skema e mashtrimit është e ngjashme: Përdoren qendrat e telefonatave (callcenter) për të zhvatur klientët duke u premtuar investime që nuk ekzistojnë. Në qendër të historisë është Amant Josifi, këshilltar i Ministrisë së Mbrojtjes dhe ish-partner në biznes i vëllait të kryeministrit, Olsi Rama.

Ai është djali i Pranvera Strakoshës, Komisionere për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Një dëshmitar i brendshëm ka treguar se si funksionon skema. Lexojeni më poshtë. Në festën e vitit të ri 2020 të Milton Group në Kiev, teksa qindra punonjës të rinj kërcenin dhe pinin, disa nga njerëzit më të rëndësishëm në dhomë ‘rrëshqitën’ dhe pozuan për një foto së bashku. Me pamje thuajse identike, me kostume të zeza dhe kokat e rruara, të rrethuar nga truprojat, ata pozuan me një sfond të zbukuruar me pëlhura të arta.

“Gëzuar Vitin e Ri. Milton Group”, thuhej në dekorin festiv.

Ky imazh, i postuar në Instagram prej të paktën dy prej pjesëmarrësve, nuk ishte vetëm një moment feste, por një gjurmë e rëndësishme për gazetarët se aktivitetet e Milton shtriheshin përtej kufijve të Ukrainës, aty ku orkestrohej një mashtrim që vlonte dhe që u merrte viktimave kursimet e jetës së tyre.

Tani, duke përdorur të dhëna nga postimet në mediat sociale, intervista me të brendshëm dhe raportime të maskuara, OCCRP mundi të zbulojë se qendra e telefonatave në Milton Group në Kiev është pjesë e një rrjeti operacionesh të ngjashme në disa vende, që punësojnë një ushtri me shitës për të mashtruar në investime të dyshimta viktimat rreth e qark botës. Në foton e Instagramit, një këshilltar zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare shihet në qendër. Pranë tij është një person me emrin David Todua. Todua, një qytetar izraelit me origjinë nga Gjeorgjia, ishte në radarin e gazetarëve për shkak të dëshmisë së marrë nga një i brendshëm në callcenter (qendrat e telefonatave), i cili tha se ai ishte një zyrtar i rëndësishëm që vizitonte zyrat në Kiev.

‘Bilbilfryrësi’ gjithashtu raportoi rastin te autoritetet suedeze, duke thënë se Todua ishte njeriu që qëndronte pas operacionit. Edhe pse asnjë dokument zyrtar nuk e lidh Todua me Milton Group, ai zotëron platformën e pagesave në internet që përdoret për të trajtuar pagesat nga njerëzit e mashtruar nga Milton. Todua e mohon me forcë çdo përfshirë zyrtare ose jozyrtare në Milton Group.

Pas dorëzimit të një sasie dokumentesh te gazetarët, ‘bilbilfryrësi’ pranoi të kthehej në kryeqytetin ukrainas dhe të merrte pjesë – dhe të regjistronte fshehurazi- festën e përvitshme të firmës, e cila premtonte se do ishte luksoze. Tema ishte ‘Getsbi i madh’, nga romani klasik amerikan i teprimeve të Epokës së Xhazit. Në event përfshiheshin performanca të detajuara, drita neoni dhe çmime në para dhe makina. Kishte edhe fjalime nga drejtuesit e firmës dhe prezantimi i një torte të zbukuruar me tri qirinj, që shënonin përvjetorin e veprimtarisë së Milton. Drejtori i Përgjithshëm i Milton Group, Jacob Keselman, falënderoi pafundësisht ‘Davidin’, të cilin e quajti babanë e kompanisë- dhe i bëri një dhuratë së bashku me tortën festive.

‘Bilbilfryrësi’, që mori pjesë në festë, e identifikoi Davidin si David Todua. Ky i fundit konfirmoi se ka marrë pjesë në festë, por vetëm si i ftuar i Keselman. Keselman nga ana e tij u tha gazetarëve se nuk e njihte Todua. Keselman po ashtu la të kuptohet për ekzistencën e një rrjeti më të gjerë kur ai formalisht mirëpriti në festë të pranishmit nga Maqedonia, Shqipëria dhe Gjeorgjia.

“Vitin e kaluar, ne vërtetuam se jemi kompania numër një në Ukrainë. Le ta dëshmojmë këtë vit se jemi numri një në botë,” tha ai përpara një turme që brohoriste.

Nga Kievi në Tiranë: ‘E di që po i mashtrojmë këta njerëz’ Festa ‘Getsbi i madh’ nuk ishte festa e parë e këtij sezoni festimesh për Keselman. Në dhjetor, sipas postimeve në median sociale, ai mori pjesë në një tjetër festë të korporatës, këtë herë në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë. Prej andej postoi foto përkrah një burri të gjatë dhe me flokë biondë, i identifikuar në median sociale si Andrii Romanko, dhe i bëri tag flamurit të Shqipërisë. Biondi dukej familjar për gazetarët. Ai është fotografuar përkrah Keselman në disa raste, përfshi festën e Vitit të Ri 2019 të Milton Group, një festë të ngjashme në Tbilisi në dhjetor dhe një tjetër në plazh.

Pas një informacioni se një callcenter e re ishte hapur në rrethinat e Tiranës, një reporter i OCCRP e filmoi të njëjtin person biond duke dalë nga një kafene në katin e parë. Zyrat mbikëqyreshin fort dhe ishin të pajisura me kamera sigurie. Dokumentet e kompanisë të ofruara nga një i brendshëm, dhe të para nga OCCRP, zbulojnë se qendra drejtohet nga dy firma, CTA Groupe Shpk dhe APA Liaison Shpk.

CTA Group është në pronësi të APA Liaison, e cila është plotësisht në pronësi të Amant Josifit, i njëjti këshilltar i Ministrisë së Mbrojtjes, i fotografuar me Toduan. 31-vjeçari Josifi ka lidhje të fuqishme në Shqipëri. Ai është këshilltar i Ministrisë së Mbrojtjes që prej dhjetorit 2017, kur u caktua nga Olta Xhaçka, një anëtare e Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama.

Josifi është po ashtu është një ish-partner në biznes i vëllait të kryeministrit, Ols (Olsi) Rama, me të cilin kishte në bashkëpronësi një firmë telekomunikacioni dhe telemarketingu, Pegasus Communications, derisa Josifi shiti aksionet e tij në dhjetor 2017.

Nëna e tij, Pranvera Strakosha është një ish-gjyqtare, e cila tani është Komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, një ombudsman i ngarkuar me mbrojtjen e të drejtave të punonjësve qeveritarë. Në përgjigje të pyetjeve nga OCCRP, Josifi konfirmoi se ai zotëronte një callcenter në Shqipëri dhe se kishte marrë pjesë në festën e Milton Group në janar. Por ai mohoi çdo lidhje zyrtare me Milton Group dhe tha se qendra e tij ishte plotësisht e palidhur. Ai tha se ishte thjesht me pushime në Kiev gjatë kohës së festës dhe se ishte njohur me David Todua.

“E kam takuar Todua në Izrael fillimisht, pastaj në disa aktivitete,” tha ai, pa sqaruar më tej.

Josifi insistoi se çdo përmendje e ndonjë callcenter në festën e organizuar nga Milton nuk i referohej biznesit të tij. Ai pranoi megjithatë se Romanko ishte i punësuar si ‘operator’ në qendrën e tij të telefonatave që nga viti 2018. Ai insistoi se Romanko nuk punon për Milton Group në Kiev.

Një i brendshëm nga callcenter, që foli në kushte anonimati nga frika e hakmarrjes, tha se Romanko ishte një prani e shpeshtë dhe e rëndësishme në zyrë dhe se ishte përgjegjës për sigurimin e shitësve me listën e numrave telefonikë të klientëve potencialë. OCCRP nuk ka parë asnjë provë dokumentare që e lidh qendrën e telefonatave në Tiranë me teknikat që përdoren në Kiev, ose që ka mashtuar ndokënd. Por i brendshmi, megjithatë i tha OCCRP se veprimet e qendrës ishin të strukturuara shumë si në Kiev, me qindra shitës të rinj që bënin deri në 500 telefonata në ditë për klientët në mbarë botën, duke tentuar t’i bindin që të dërgojnë para për investime, që nuk ekzistojnë në të vërtetë. Ata fitojnë një minimum prej 300 eurosh në ditë, me bonuse nëse sjellin më shumë para cash.

Si në Kiev, ‘tavolina’ të ndryshme shënjestrojnë folës të gjuhëve të ndryshme. Punonjësit i shesin këto investime përmes të ashtuquajturave ‘marka’, secila me faqen e dizenjuar me kujdes që të duket si një firmë e besueshme financiare. I brendshmi tha se callcenter në Tiranë ‘gjuante’ përmes tri markave të ndryshme: CryptoKartal, AurumPro dhe VirtualStocks.

“I marr njerëzit në telefon dhe u tregoj atyre një video ku duken njerëz të ndryshëm që fitojnë miliona euro duke iu bashkuar një burse Bitcoin, dhe u them se është një shans i mirë për të fituar”. “E di që po mashtrojmë njerëz”.

Dëshmitari i brendshëm po ashtu përshkroi një proces dyfazor të ngjashëm me atë në Kiev, me një grup të shitësve që përdorin ‘markat’ e reja për të tërhequr klientët dhe për të marrë një investim fillestar, dhe një grup tjetër që i mban ata të fiksuar për të nxjerrë më shumë para prej tyre.

“Ata marrin gjithçka që kanë klientët,” tha personi.

Autoritetet spanjolle kanë paralajmëruar klientët se CryptoKartal nuk është e licencuar siç duhet si një ndërmjetës investimesh; VirtualStocks dhe AurumPro janë shpallur me flamur të kuq në Itali. Një grua spanjolle, e cila u shfaq në një listë të rrjedhur të ‘klientëve’ të Milton Group, u tha gazetarëve se ka humbur 300 dollarë me CryptoKartal. (Është e mundur që qendrat e tjera të thirrjeve mashtruese të tregtojnë këtë markë dhe OCCRP nuk ka parë asnjë provë që viktima u kontaktua nga Shqipëria).

Josifi nuk iu përgjigj direkt pyetjeve nëse qendra e tij reklamonte CryptoKartal, VirtualStocks apo AurumPro. Ai tha se e kishte vendosur biznesin në një besim pasiv pasi kishte marrë postin si këshilltar qeveritar dhe se nuk ishte më i përfshirë direkt në menaxhimin e tij.