Xhevat Llurit i jepet titulli “Nderi i Qarkut“ Gjirokastër

799
Sigal

Më datën 20.12 2018, Këshilli i qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me organizatën e dëshmorëve dhe komitetin e veteranëve të rrethit organizuan në lokalin “Sofra” të qytetit ceremoninë për dhënien e titullit “Nderi i Qarkut” Xhevat Majko Llurit nga fshati Prongji i këtij rrethi. Merrnin pjesë anëtarë të organizatës dëshmorëve, veteranë e pasardhës të tyre nga komiteti veteranëve të rreth, familjarë e të afërm të Xhevatit etj. Nderuan me praninë e tyre edhe Sekretari i Këshillit Qarkut, Thodhori Millo, kryetarja e baskisë, Zamira Rami, Kryetari dhe sekretari organizatës dëshmorëve respektivisht; Hodo Liço e Tomorr Hoxha, Kryetari komitetit të veteranëve të rrethit, Shkëlqim Guçe, N/kryetarët e shoqatës atdhetare kulturore “Nderi Kombit“ Agim Çiraku e Robert Çelo, kryetari njësisë administrative Cepo; Artan Çafaj, Drejtori teatrit “Zihni Sako” Kudret Aliko e të ftuar të tjerë…Ceremoninë e çeli Sekretari Këshillit qarkut z.Thodhori Millo, i cili bëri me dije se me propozim të bërë nga Organizata e dëshmorëve dhe e Veteranëve të rrethit, Këshilli i Qarkut në mbledhjen e datës 09.12.2018 ME VENDIM Nr.39, vendosi t’i japë Xhevat Llurit titullin “Nderi i Qarkut “ me motivacionin: “Për kontributin e tij në fushën e njohjes, studimit dhe promovimit të figurave patriotike dhe dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e atdheut “ dhe fton Kryetarin e organizatës dëshmorëve për t’i dorëzuar titullin që u duartrokit nga të pranishmit.

Në fjalën e tij z. Hodo nënvizoi kontributin e dhënë në fushën e studimit e promovimit të figurave atdhetare e patriotike të lëna në harresë, siç ishte rasti i luftëtarit të Çetës Patriotike të heroit “Çerçiz Topulli”, Barjam Prongjia (ligu) që njihet në histori si atentatori vrasjes së bimbashit turk, në Mars 1908 në qytetin e Gjirokastrës, por që ishte lënë në harresë për vite të tëra. Me kujdesin direkt të tij sensibilizoi opinionin me shkrime të ndryshme në organet e shtypit dhe mori iniciativën për ta përjetësuar në një bust prej bronzi me kontributin e tij dhe të bashkëfshatarëve që u inaugurua në Korrik të këtij viti me një solemnitet të madh popullor, prandaj e falënderoj përzemërsisht Xhevatin dhe familjen e tij për kontributin e dhënë në shërbim të çështje atdhetare ku edhe babai tij është shpallur “Patriot i Shquar “ me vendim të këtij këshilli në vitin 2008. Ndërsa Kryetari Komitetit veteranëve të Rrethit, Shkëlqim Guçe solli në vëmendjen e të gjithëve, kontributin e Xhevatit në fushën e publicistikës edhe si anëtar i Komitetit Kombëtar të Organizatës Veteranëve të popullit shqiptar duke bërë të njohur për opinionin edhe figura të tjera patriotike siç ishte dhe rasti i Stefan Maliko GOGOS nga Prongjia që nuk u mburr kurrë, se kishte luftuar në krah të heroit Mujo Ulqinaku, që duke shërbyer në marinë në Durrës organizuan rezistencën e armatosur kundër pushtimit fashist të vendit më 7 Prill 1939 dhe kur Mujua u vra ai luftoi me mitralozin e tij kundër sorrave të zeza derisa edhe ai mbeti mbi mitraloz pa ndjenja i plagosur rëndë, por në vend që ta vrisnin e dërguan për kurim në Brindisi dhe arriti të mbijetonte. Pas kthimit në atdhe filloi kalvari vuajtjeve, por ai qëndroi besnik i idealeve atdhetare.

 

Vetëm në vitin 1997 aktiviteti tij del në dritë dhe bëhet vlerësimi figurës tij nga Presidenti Mejdani që i akordon “Urdhrin e artë të shqiponjës“ dhe 1 vit më vonë ndahet nga jeta dhe sot njihet Invalidi i parë i LANÇ nga Shoqata Kombëtare e Invalidëve. Kjo falë edhe punës së tij. Gjithashtu ka që bashkautor në botimin e librit Gjenocidi nazi-fashist dhe kolaboracionistë kundër popullit Shqiptar 7 Prill 1939 – 9 Maj 1945 botuar në vitin 2012. Ka botuar librin mbi historikun e fshatit: “Prongjia dhe banorët e saj“, botuar në vitin 2006. Ka qenë bashkautor me veteranin Vasil Rrapi e kanë realizuar filmin dokumentar për 55-vjetorin e krijimit të Organizatës Veteranëve të Popullit Shqiptar, në vitin 2012 si dhe filmin dokumentar për heroin e popullit, Shefqet Peçi, në Qershor 2016 me rastin e 110-vjetorit të lindjes themeluesi organizatës veteranëve. Ka botuar shkrime të ndryshme me karakter historik e kronika përkujtimore në organe të ndryshme të shtypit të përditshëm dhe atë periodik për figura historike e protagonistët kryesorë të këtyre ngjarjeve. Prandaj në e falënderojmë dhe me këtë rast i urojmë shëndet e të jetë gjithmonë aktiv si deri tani!

Në fjalën e tij Xhevati ndjehej shumë i emocionuar dhe falënderoj përzemërsisht Kryesinë e Këshillit të Qarkut dhe dhe të gjithë ata që kontribuan në dhënien e këtij titulli të lartë, “që do mbetet një kujtim i veçantë dhe i pa harruar për mua, familjen time dhe bashkëfshatarët e mi dhe kjo do të më obligojë akoma më shumë për të vazhduar punën studimore edhe në të ardhmen. Ju faleminderit të gjithëve dhe gëzime e shëndet në familjet tuaja! Falënderoj edhe për vlerësimet që më bënë në këtë rast solemn!” Kjo ceremoni u filmua dhe regjistrua nga televizioni lokal dhe u transmetua në emisionin e lajmeve. U bënë dhe fotografi të shumta. Në fund u shtrua një drekë në lokalin Sofra “Tek sheshi Çerçiz Topulli” dhe u përcoll me emocione nga të gjithë, me këngë polifonike të trevës Labërisë për dëshmorët e figurat patriotike të vendit.

Zabit Ahmeti, Sekretar i Komitetit veteranëve të rrethit Gjirokastër