Aeroportit i Kukësit/ Dy kompani shqiptare marrin drejtimin duke ofruar shërbim modern, udhëtime dhe bileta favorizuese

572
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Dy kompanitë shqiptare i japin jetë Aeroportit të Kukësit, shërbim modern e udhëtime “low cost”

Shqipëria ka biletat e avionëve më të shtrenjta në Evropë

Në Shqipëri, biletat e avionëve për çdo destinacion, në Evropë, Amerikë dhe gjetkë janë nga më të shtrenjtat në botë, edhe pse rrogat këtu janë më të ulëtat, ndërkohë, që shumë kompani ajrore kanë një shërbim shumë të keq për udhëtarët, duke mos qenë korrekte me orët e fluturimit, që i vonojnë edhe disa orë, apo i braktisin udhëtarët nëpër aerodrome, pa i lajmëruar, pa i dëmshpërblyer. Mijëra shqiptarë detyrohen që të shkojnë në aeroportet e Podgoricës, Shkupit, Prishtinës, ngaqë atje biletat janë disa herë më të lira, madje, edhe nga të Romës, Milanos, Athinës. Një nga shkaqet e biletës së shtrenjta janë tarifat e shërbimit të aeroportit nga koncesionarët.

Koncensione që shiten, pa bërë asnjë punë

Shumë shpesh ndodh që shumë koncesione, edhe në ndërtimin, menaxhimin e aeroporteve, janë dhënë, apo janë fituar nga disa, ndërkohë, që këta koncesionarë, ose nuk kanë bërë punë fare, ose punimet i kanë lënë përgjysmë, por, çuditërisht, ata i kanë shitur koncesionet e tyre, tek koncesionarë të tjerë, thua se koncesioni ka qënë domate e patate, që ata mund ta shisnin kujt të duan. Kjo është e kundërligjshme, sepse koncesionet janë fituar (nëse flasim për transparencë) në bazë të studimeve dhe ato duhet të kryejnë punimet, ose, nëse ikin pa mbaruar kontratën, koncesionari nuk e ka të drejtën ta shesë ai koncesionin e vet, por shteti.

Risia: Koncesioni i Aeroportit të Kukësit, mundësi për fluturime “low cost”

Në momentin e ndërtimit, Aeroporti i Kukësit “lindi i vdekur”, për shkak të një klauzole ligjore që i jepte ekskluzivitetin e fluturimeve ajrore civile vetëm Aeroportit të Rinasit. Por shpresat për rihapjen e Aeroportit të Kukësit tashmë janë bërë realitet. Në procedurën e hapur nga qeveria për të dhënë me koncesion për 35 vjet këtë aeroport, është paraqitur një ofertë nga një bashkim shoqërish shqiptare: “Global Technical Mechanics dhe Bami shpk”. Projekti i kompanive parashikon një investim fillestar në vlerën rreth tetë milionë euro, që do i japë mundësi zgjerimi dhe krijimi të një vepre moderne. Nuk është vetëm një investim rutinë, por shpresë dhe mundësi për të gjithë shqiptarët. Kompania ka në projekt zbatimin e idesë së zgjerimit të Aeroportit të Kukësit, çka do i japë mundësi fluturimeve “low cost” (tarifa të ulëta) të udhëtimit, aq shumë të kërkuar nga mijëra shqiptarë që për shkak të monopolit të fluturimeve prej afër dy dekadash detyrohen të paguajnë më shtrenjtë nga çdo vend tjetër në rajon dhe Evropë. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, bashkimi i shoqërive Global Technical Mechanics shpk dhe Bami shpk, në marrëveshjen e bashkëpunimit midis tyre kanë përcaktuar se 30% e punimeve, nëse do të akordohet kontrata e koncesionit, do të kryhen nga Global Technical Mechanics shpk dhe 70 % nga “Bami shpk”. “Një nga kriteret kualifikuese të kësaj procedure ishte pjesëmarrja e një shoqërie/ekspertësh me përvojë në fushën e operimit dhe manaxhimit të aeroporteve e pajisur me licencat përkatëse lëshuar nga autoritetet ndërkombëtare të aviacionit, nëpërmjet një marrëveshje/kontrate me operatorin ekonomik. Në dokumentet e dorëzuara nga konsorciumi që ka paraqitur ofertë në këtë procedurë gare është përfshirë dhe marrëveshja mes konsorciumit dhe kompanisë holandeze NACO me eksperiencë në fushën e menaxhimit dhe administrimit të aeroporteve.” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Konsorciumi me kompaninë e njohur holandeze i jep rëndësi këtij projekti që pas nënshkrimit të kontratës pritet të nisë punimet, nga ku parashikohet që në vitin 2020 të vijojnë fluturimet. Aeroporti i Kukësit ka rëndësi ekonomike jo vetëm për banorët e zonës që janë ndër më problematiket në aspektin social, por do u japë mundësi çdo shtetasi shqiptar dhe kosovar që të përdorin këtë aeroport, si për nga çmimet konkurruese ashtu edhe për shkak të shërbimit bashkëkohor që pritet të aplikohet.