Vrau me skaf 7-vjeçaren, polici Arjan Tase mbërrin në Gjykatën e Vlorës. Do të jepet masa e sigurisë

136
Sigal

Arjan Tase ka mbërritur rreth orës 10:20 në ambientet e Gjykatës së Vlorës e cila ka caktuar ditën e sotme më 5 gusht, për të zhvilluar seancën për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj ish-shefit të Komisariatit të Himarës.

Tase akuzohet për ngjarjen tragjike të 2 gushtit në plazhin e Potamit në Himarë, ku si pasojë e përplasjes me gomonen që drejtonte Tase, humbi jetën një vajzë 7-vjeçare.

Për Arjan Tasen, deri më tani është bërë publike akuza e ngritur nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila e ka klasifikuar ngjarjen si një vrasje nga pakujdesia, e cila parashikon një dënim nga gjobë deri në 5 vite burg.

Por burime pranë Prokurorisë së Vlorës, e cila ka marrë tashmë në dorë hetimet, shprehen se në varësi të dëshmive, dinamikës së ngjarjes, si dhe, natyrisht, dëshmive të personave prezentë në vendngjarje dhe të vetë drejtuesit të gomones, Tase, nuk përjashtohet mundësia edhe e ndryshimit të akuzës.

Kjo me argumentimin se pavarësisht faktit që ish-punonjësi i Policisë Tase nuk ka dëshiruar ardhjen e pasojës fatale ndaj 7- vjeçares, provat flasin se ai është futur me vetëdije të plotë në një zonë ku nuk duhej të qarkullonin mjete detare me motorë.

Për këtë arsye, ndaj Tases hetuesit po analizojnë edhe ngritjen e akuzës për vrasje me dashje në mënyrë indirekte.

Gjithsesi, seanca e sotme pritet të qartësojë akuzën zyrtare për momentin ku ndodhën hetimet.