Vrau dy motrat, Ademi para disa vitesh i kishte lënë në rrugë duke u shitur shtëpinë

233
Sigal

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në zonën e Astirit në Tiranë më 31 dhjetor të vitit 2020, ku një 59 vjeçar ka ekzekutuar me armë zjarri dy motra.

Autori i kësaj ngjarje të rëndë është Përparim Ademi i cili mësohet se ka pasur lidhje intime me të dy motrat e ekzekutuara me Zhaneta Metanin dhe me Kristina Bardhin. Ndër të tjera sipas dëshmive të para të vetë autorit dhe të familjarëve shkak për këtë ngjarje të rëndë është bërë një konflikt mes Përparimit dhe Zhanetës pasi kjo e fundit tashmë kishte krijuar një lidhje intime me një tjetër person.

Gjithashtu burime për gazetaren Xhensila Kodra bëjnë me dije se Përparim Ademi para disa vitesh u ka shitur apartamentin ku jetonin dy viktimat Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi. Një apartament në një pallat në afërsi të banesës së tij pranë ish-parkut të autobuzëve në Tiranë, i cili ishte në pronësi të dy motrave, Ademi e ka shitur disa vite më parë, duke i lënë ato në mes të rrugës.

Ndër të tjera gazetarja mëson se dy motrat kanë mbetur pa shtëpi, janë strehuar për një periudhë kohe në shtëpinë e Përparim Ademit, të gjithë bashkë. Më pas, njëra prej motrave është larguar në drejtim të Greqisë dhe ka mundur të bëj disa fitime parash dhe kanë blerë me kredi apartamentin në zonën e Astirit, të njëjtën banesë që dy motrat, Metani e Bardhi u ekzekutuan në vigjilje të Vitit të Ri.