Vrasja e Klodian Rashës, mediat e huaja: Kryengritje në Tiranë

273
Sigal

Protesta e mbrëmshme në rrugët e Tiranës ka marrë vëmendje maksimale nga mediat botërore, të cilat raportuan gjerësisht në lidhje me atë që ndodhi gjatë katër orëve në rrugët e kryeqytetit shqiptar.

Mediat greke raportojnë për kryengritje në Tiranë për shkak të vrasjes nga policia të 25 vjeçarit Klodian Rasha. “Zougla” shkruan se mijëra protestues dëmtuen godinën e kryeministrisë dhe disa ministrive duke kërkuar drejtësi për të riun.

“Reuters” raporton se fillimisht policia raportoi për një pistoletë të gjetur pranë viktimës Klodian Rasha, por më vonë u tha sërish prej organeve shtetërore se arma nuk i përkiste atij.

“DailyMail” bën një përmbledhje të të gjithë asaj që ka ndodhur gjatë dy ditëve të fundit në Shqipëri dhe thekson se i riu u vra sepse shkeli orën policore.

Ndërkohë, “AP” e vendos theksin tek përplasja e protestuesve me policinë në Tiranë duke iu referuar deklaratës së mbrëmshme të policisë sipas të cilës vrasja e Klodian Rashës nga një oficer policie nuk mund të shfrytëzohet si shkak për dhunë në rrugët e kryeqytetit.

“TRT” raporton në versionin e saj anglisht se pas bulevardit para kryeministrisë, protestuesit shkuan para godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit duke vijuar më pas me një marshim në orën 22:00 nga qendra për tek shtëpia e të ndjerit.