Vrasja e 74-vjeçarit në Shkodër, autori erdhi në këmbë, qëlloi dhe u largua! Mister motivet e krimit

117
Sigal

Një i moshuar mbeti i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e shkuar në qytetin e Shkodrës. Viktima është Lulash Qepuri, rreth 73 vjeç, i cili ka mbetur i vrarë me disa plumba pistolete.

Ngjarja u regjistrua në fshatin Stom-Golem, rreth orës 22:00. Ka qenë djali i viktimës ai që ka dhënë alarmin në Polici, duke njoftuar forcat e rendit se babai i tij ishte vrarë.

Më pas, forcat e rendit kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Fillimisht, i moshuari mbeti i plagosur rëndë dhe u nis me urgjencë në drejtim të Spitalit Rajonal të Shkodrës, por ai ndërroi jetë gjatë rrugës si pasojë e plagëve të marra.

Burime nga Policia e Shkodrës bënë me dije se autori ka ardhur në këmbë në drejtim të lokalit, duke e qëlluar viktimën disa herë me armë zjarri pistoletë dhe më pas është larguar po në këmbë nga vendi i ngjarjes, duke humbur gjurmët.

Ndërkohë, pranë lokalit ku ndodhi krimi, forcat e rendit kanë gjetur një armë automatike, me të cilën dyshohet që viktima të jetë kundërpërgjigjur duke qëlluar në drejtim të autorëve që i morën jetën.

Të paktën, 16 plumba ka qëlluar Qepuri në drejtim të automjetit, me të cilin u krye vrasja e tij. Viktima ishte invalid dhe qarkullonte i armatosur. Ende nuk dihen motivet e krimit të rëndë që tronditi Shkodrën mbrëmjen që lamë pas.

Lulash Qepuri, banues në fshatin “Hot i Ri”, Komuna Rrethina, të rrethit Shkodër, u arrestua më 14 tetor të vitit 2011 për armëmbajtje pa leje, si dhe për lëndë narkotike.

Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet policore në lokalin dhe në banesën e tij ngjitur me lokalin, janë gjetur dhe sekuestruar armë zjarri, municione luftarake si dhe fara të bimës narkotike kanabis sativa.

Kështu, Policia sekuestroi në atë kohë 1 armë zjarri automatike mod. 56, 1 armë zjarri tip revolver shtatësh, 262 copë fishekë të modeleve të ndryshme, fitila zjarrpërcjellës, 111 copë kapsolla detonatorë, si dhe një qese prej 55 gramësh me fara të bimëve narkotike kanabis sativa.