Vranësira dhe luhatje temperaturash në mesditë, si parashikohet moti për sot

96
Sigal

Vendi ynë mbetet në mbizotërimin e vranësirave të shpeshta, të cilat pritet që herë pas here të pësojnë zhvillime duke gjeneruar reshje të pakta në zonat veriore dhe në skajin jugor të Shqipërisë. Sipas MeteoAlb, në ultësirën perëndimore do të ketë edhe intervale me kthjellime. Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 0°C deri në 17°C. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 25 km/h nga drejtimi Juglindor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim të ulët.

Kosova

Territori i Kosovës do të jetë nën dominimin e kthjellimeve dhe kalimeve të vranësirave për gjatë gjithë 24-orëshit. Por në intervale të shkurtra kohore parashikohet të ketë dhe shtim të vranësirave, të cilat do të sjellin reshje të pakta në zonat Perëndimore dhe Jugore.

Maqedonia e Veriut

MV do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme për gjatë gjithë të hënës në pothuajse gjithë vendin, ku do të ketë vranësira të shumta. Vranësirat do të zhvillohen duke sjellë reshje shiu në të gjithë territorin, por priten dhe reshje dëbore.

Rajoni dhe Evropa

Evropa Jugore do të jetë nën ndikimin e vranësirave të shpeshta, të cilat do të gjenerojnë reshje shiu. Po ashtu në mbizotërimin e vranësirave dhe reshjeve të dëborës do të jetë pjesërisht Evropa Qendrore dhe vendet Nordike, ku dhe reshjet e dëborës do të jenë më të shumta. Ndërsa me alternime kthjellimesh dhe vranësirash do të jetë Evropa Lindore dhe Gadishulli Iberik.