“Vota, fuqia e vetme dhe më e fortë në demokraci”/ Meta përshëndet apelin e Kreut të KQZ për 6 marsin: Të garantohet e drejta kushtetuese për të zgjedhur

179
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përshëndetur mesazhin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i cili i bëri apel qytetarë në gjashtë bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme që të kontrollojnë kartat e identitetit.

Kreu i Shtetit thotë se duhet të garantohet e drejta kushtetuese për të zgjedhur, duke theksuar se vota është fuqia e vetme dhe më e fortë në demokraci.

“E përshëndes dhe mbështes plotësisht mesazhin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, z.Ilirjan Celibashi drejtuar qytetarëve me të drejtë vote në të gjashtë bashkitë ku do zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale, me qëllim garantimin e së drejtës kushtetuese për të zgjedhur. Vota është fuqia e vetme dhe më e fortë në demokraci!”, shkruan Presidenti.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve,  Ilirijan Celibashi i bëri apel qytetarëve të cilët kanë të drejtë të votojnë për zgjedhjet e pjesshme lokale që të kontrollojnë vlefshmërinë e dokumenteve të tyre të identifikimit.

“Të gjithë qytetarët e bashkisë Dibër, Shkodër, Durrës, Rrogozhinë, Vorë dhe Lushnje, të cilët gëzojnë të drejtën e votës, dhe/ose mbushin 18 vjeç në datën 6 Mars, nuk mund të votojnë për të zgjedhur kryetarin e bashkisë së tyre nëse dokumenti i identifikimi (kartë identiteti/pasaportë) nuk është i vlefshëm në datën e zgjedhjeve”, thuhet në apelin e Celibashit.

Ai sqaron se procesi i votimit nuk mund të kryhet pa një mjet identifikimi të vlefshëm në ditën e zgjedhjeve, ndaj i bën thirrje qytetarëve, që nëse vlefshmëria e dokumentit të identifikimit ka skaduar apo skadon në datën 6 Mars, të mos e lënë për në momentin e fundit, por të drejtohen pranë zyrave të kompanisë “Aleat” për të aplikuar për rinovimin e tyre.

“Të votosh është e drejtë por edhe përgjegjësi qytetare. Ndaj, sigurohuni që në ditën e votimit të keni dokumentin e identifikimit tuaj të vlefshëm”, mbyll apelin e tij Celibashi.