Vodhën 36000 litra naftë, arrestohen dy trafikantët

331

 KUÇOVË/Inxhinieri kimist  e kolegu, kishin 4 vjet që vidhnin. Priten arrestime të tjera

Në kuadër të operacionit të koduar “Dekantimi”, dje në mesditë është bërë arrestimi i dy nëpunësve të lartë të naftës në Kuçovë, pasi akuzohen se në bashkëpunim me njeri tjetrin dhe persona të tjerë ende nën hetim, kanë grabitur e shitur një sasi të konsiderueshme nafte për interesa të tyre. Burime të policisë shtojnë se “dy trafikantë e arrestuar për shpërdorim detyre janë 52-vjeçari kimist Agron Metushi, banues në Kuçovë, inxhinier në Drejtorin e Naftës në Kuçovë dhe Idajet Paja 50 vjeç, banues në krye operator në Drejtorinë e Ndërmarrjes së Naftës në Kuçovë.

OPERACIONI
Polica në bashkëpunim me Prokurorin kishin kohë që po hetonin për vjedhjet e naftës bruto në këtë në këtë zonë. Minimalisht, prej 4 vitesh, janë denoncuar grabitje të sasive të konsiderueshme nafte në zonën e Kuçovës. Ky aktivitet kriminal me qëllime përfitimi, bëhej kryesisht natën, me automjete të rënda dhe në mënyrë të organizuar. “Pas hetimeve të kryera, gjurmët e këtij aktiviteti kriminal na çuan tek Agron Metushi dhe Idajet Paja. Në mënyrë të maskuar, në bashkëpunim dhe me të tjerë, këta trafikantë vidhnin naftën bruto dhe përfitimet nga shitja, i ndanin mes tyre. Nga hetimet, provat e faktet e grumbulluara, ata akuzohen se kanë grabitur së paku 36 mijë litra naftë. Mbi këtë bazë, u bë arrestimi i tyre ditën e djeshme. Ndërkohë, po punohet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë akt kriminal dhe nxjerrjen e tyre para përgjegjësisë”,- shtojnë burimet për gazetën “Telegraf”. Nga burime konfidenciale mësohet se, trafiku i naftës dhe arrestimi i dy drejtuesve kryesor të këtij rrjeti është bërë nga ana e policisë e prokurorisë, ndërkohë, që nuk ka pasur asnjë informacion zyrtar nga drejtuesit kryesorë të ndërmarrjes. Mendohet që të ketë dhe disa persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet, që që pritet të mësohet pas përfundimit të hetimeve.

GRABITJA E NAFTËS

Burimet zyrtare të policisë konfirmohen dhe  nga burime të besueshme të ‘Telegraf’ brenda ndërmarrjes. “Aktiviteti kriminal në grabitjen e naftës, me gjithë sofistikimin, ka rënë në sy. Kjo grabitje është bërë në sektorin e shitjes në Kuçovë. Në shumë sektorë të grumbullimit të naftës në rezervuar disa herë janë vjedhur sasi të mëdha nafte. Por, çuditërisht, këto vjedhje janë mbuluar nga të akuzuarit kryesorë. Në të tre sektorët e grumbullimit të naftës, disa herë janë diktuar vjedhjet e naftës, por as njëri nuk ka mbajtur përgjegjësi. Të paktën, ky aktivitet vazhdon prej 4 vitesh. Jo shumë kohë më parë, në sektorin e Kozarës janë vjedhur disa rezervuar të sapo mbushur me naftë
bruto. Vjedhja është bërë me autobote ose me bidonë kauçuku, e më pas transportohej me makina transporti për të mos rënë në sy”,- shtojnë burimet e besueshme për “Telegraf”.