VOA: Emigrimi i fëmijëve të pashoqëruar, Shqipëria në krah të Sirisë dhe Afganistanit

97

Që prej vitit 2012 sipas të dhënave të Eurostat, në vendet e BE, kanë kërkuar azil mbi 230 mijë shtetas shqiptarë, mes tyre 66 mijë e 800 fëmijë, ose rreth 28.5%, pjesa më e madhe nën 14 vjeç.

Sigal

Në Shqipëri fenomeni i fëmijëve të pashoqëruar azilkërkues në vendet e BE-së, vijon të mbetet shqetësim për autoritetet dhe studiuesit e zhvillimeve shoqërore. Sipas të dhënave të Eurostat në 10 vitet e fundit, 2120 fëmijë të pashoqëruar kanë kërkuar azil në vendet e BE.

Kjo e bën Shqipërinë vendin e vetëm europian, sipas ekspertëve, me një numër kaq të lartë të fëmijëve emigrantë të pashoqëruar nga prindërit. Arsyet e largimit nga vendi lidhen kryesisht me mungesën e perspektivës për të ardhmen. Autoritetet njoftojnë përmirësim të politikave sociale dhe ndërgjegjësuese me familjet me qëllim parandalimin e këtij fenomeni, që i ekspozon fëmijët përballë rreziqeve si përdorimi i tyre nga grupe kriminale apo trafikimi.

Shqipëria vijon të përballet me një prej fenomeneve më shqetësuese të viteve të tranzicionit, atë të emigracionit. Studiuesit veçojnë në të, elementin e azilkërkuesve në vendet e BE, që sipas tyre meriton vëmendje.

Që prej vitit 2012 sipas të dhënave të Eurostat, në vendet e BE, kanë kërkuar azil mbi 230 mijë shtetas shqiptarë, mes tyre 66 mijë e 800 fëmijë, ose rreth 28.5%, pjesa më e madhe nën 14 vjeç. Këto shifra në lidhje me fëmijët emigrantë e vendosin Shqipërinë në vendin e pestë, menjëherë pas vendeve që kanë njohur luftëra e konflikte si Afganistani, Siria apo Iraku.

Sipas të dhënave kjo prirje vazhdoi edhe në vitin 2022. 11 600 shtetas shqiptarë kërkuan azil në vendet e BE-së, 34% e tyre fëmijë. Por për studiuesit fytyra më e trishtuar e këtij e emigracioni është ajo e fëmijëve të pashoqëruar. Sipas Eurostat 2 120 fëmijë të pashoqëruar nga Shqipëria kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, për periudhën 2012-2022. Kjo sipas studiuesve e bën Shqipërinë vendin e vetëm europian me një numër kaq të lartë të fëmijëve emigrantë të pashoqëruar nga familja.

Zëri i Amerikës bisedoi me një të ri shqiptar në Francë që kërkoi të mbetej anonim. Ai u largua në moshën 16 vjeçare nga Shqipëria për të kërkuar azil, i pashoqëruar nga prindërit. Arriti ta fitojë atë, ndërsa tregon arsyet pse ndërmori këtë rrugë plot rreziqe.

“Bëra shkollën 9 vjeçare dhe nuk kisha mundësi për shkollën e mesme. Edhe po ta vazhdoja, do merrja një diplomë, gjendje pune Shqipëria nuk ka. Shikoja shokët e mi, kishin vazhduar shkollën e lartë, kishin diplomë, por nuk kishin punë. Thjesht e kuptova dhe u nisa këtej. U largova nga Shqipëria, të kisha një të ardhme për veten time dhe të ndihmoja familjen”- tha për Zërin e Amerikës një i ri në Francë, që nuk dëshironte të identifikohej.

Ky i ri arriti ta fitojë azilin në Francë, dhe sot në moshën 20 vjeçare punon me një kontratë të rregullt në sektorin e ndërtimit, por ai dhe mjaft të tjerë, kanë përshkuar një rrugë të vështirë. Mbi ta ka rënduar një peshë që e tejkalon moshën e tyre dhe jo të gjithë ja kanë dalë. Ata mbërrijnë në vende të BE, të pashoqëruar nga prindërit, por në shumicën e rasteve, të nxitur nga ata dhe me miratimin e tyre. Deklarohen në strukturat e vendit pritës si minorenë dhe merren në mbrojtje si të tillë. Kjo rrugë përdoret prej tyre me qëllim përfitimin e dokumentave të qëndrimit në këto vende më me lehtësi se një azilkërkues i rritur.

Elda Spaho. Bleta, gazetare dhe eksperte komunikimi, e angazhuar vullnetarisht në qendra ku strehohen të mitur të pashoqëruar në Francë, vendi i tretë destinacion në BE, për azilkërkuesit, thotë për Zërin e Amerikës, se fëmijët kanë të njëjtat arsye si të rriturit, kur kërkojnë azil, kryesisht për një të ardhme më të mirë. Por rruga e tyre, siç shprehet ajo është shpeshherë mjaft e rrezikshme.

Njohës të zhvillimeve shoqërore në Shqipëri konstatojnë se fenomeni i fëmijëve azilkërkues të pashoqëruar e ka burimin te gjendja ekonomike dhe sociale e familjes, varfëria, divorci apo konfliktet e ndryshme. Gëzim Tushi, sociolog ngarkon me përgjegjësi strukturat shtetërore, që siç thotë ai duhet ta parandalojnë këtë fenomen.

“Shteti nuk është pa përgjegjësi në shfaqjen e këtij fenomeni. Politikat për mbështetjen e familjes janë të domosdoshme. Duhet të jemi të vërtetë, jo të gjithë prindërit që i kanë lëshuar fëmijët të pashoqëruar në emigracion janë familje antifëmijë. Kanë situata të caktuara, kanë probleme ekonomike, nuk e mbajnë dot familjen. Një pjesë e tyre mund të jenë të paaftë për punë. Të ardhurat e tyre janë të kufizuara, prandaj duhen kombinuar politikat e autoritetit social me politikat e mbështetjes sociale dhe ekonomike për familjen”- u shpreh për Zërin e Amerikës Gëzim Tushi, studiues, sociolog.

Agjensia shtetërore për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës, thotë se në bashkëpunim me struktura të tjera shtetërore, po punon me familje dhe prindër në komunitet, për ndërgjegjësimin e tyre, mbi rrezikun, që i kanoset fëmijës kur emigron i vetëm. Sipas kryetares së kësaj agjensie Alma Tandili, po i kushtohet rëndësi politikave social-ekonomike dhe forcimit të kontrolleve në kufi, me qëllim parandalimin e këtij fenomeni.

Në Shqipëri ka disa përpjekje të strukturave shtetërore dhe të organizatave jo qeveritare për integrimin e emigrantëve të kthyer, përfshirë dhe fëmijët. Por drejtues të fondacionit “Terre des hommes” në Shqipëri i përfshirë në këto programe konstatojnë se shërbimet për këtë qëllim, nuk janë të shtrira në gjithë vendin.

Emigracioni, edhe pse ka patur ulje-ngritjet e veta, ka qenë një plagë që e ka shoqëruar në vijimësi në tre dekada Shqipërinë. Statusi i saj i dobët ekonomik dhe social, ka detyruar qindra mijra qytetarë të kërkojnë një të ardhme më të mirë në vendet e zhvilluara në perëndim. Këtë barrë të rëndë, në shifra të larta po e mbajnë dhe fëmijët dhe sipas studiuesve kjo është një hemoragji që duhet ndalur. Politikat shtetërore në mjaft raste të pamjaftueshme, sipas tyre, bëjnë që emigrimi i fëmijëve të pashoqëruar të vazhdojë, mes rreziqesh të panumërta për ta, në një botë ku shkojnë si fëmijë, dhe jetojnë si të rritur.