Vlerësimi Abaz Ermenji për Naimin

626
Gëzim Llojdia

Vendi ynë po zhytej më thellë në diktaturë aty rreth viteve ’50 në gazetën:” Flamuri”, muaji prill 1950 prof Abaz Ermenji hedh në letër, një ese të mrekullueshme për poetin tonë të dëshirueshëm, Naimin. Ai thotë, se në dhjetorin që vjen mbushen plot pesëdhjetë vjet,që kur fytyra e Naimit u ftoh mbi letrat shqipe si flakë e bardhë e një qiriri. Në vjeshtën e fundit trupi i poetit do të shkonte në Madrivernqoi, por Ermeni vijon duke thënë se: “Qoftë mister, qoftë dëshirë e veçante që Perëndeshat e Parnasit kanë për miqtë e tyre, Naimit nuk iu lejua të shkelte pragun e kohës sonë, por mbet si monument në horizontin e shekullit, që shkoi, sikur desh të thosh; “këtu është kufiri im”. Si duket, fryma e tij pati për mision të zgjojë nga gjumi i parë vetëdijen e shurdhër kombëtare, pastaj u pre: Si ai zefiri i butë që përkëdhel natyrën e fjetur dhe e mbush me dridhma e njomështirë, n’avujt e parë të mugullimit, e pastaj shuhet n’agim të ditës.” Më tej Ermenji në vitet ’50 të shekullit XX tek “Flamuri” thotë se, “le ta çojmë një çast mendjen në shekullin XIX, duke kujtuar erën e nxehtë, që kishte nisur të frynte përmbi Evropën plakë.” Ermeni shprehet se trumbetat e kryengritjes po oshtinin në tërë Ballkanin duke e afruar këtë me shfaqjet e kohës së antikitetit, po shqiptarët çfarë bënin në atë kohë? Dhe përgjigja e qartësuar është sigurisht, që lëvizin. Dhe në këtë mishmash lëvizjeje armët e tyre shndrisin në të gjitha anët që larg deti i Mesdheut. Profesori këtu nxjerr një fakt që shqiptarët janë të njohur për mjeshtërinë e luftës, por kanë dhe një të keqe se luftojnë për botën dhe jo për veten e tyre. Duke shqyrtuar historinë e shkruar lexuesi merr edhe një mesazh nga historia e Skënderbeut, nga kjo kohë e lavdishme, kohë që u mbyll me një perëndim të përgjaktë, duke lënë pas një natë robërie nga më të errëtat. Kuptimi i heroikës së asaj kohe është më i qartë kur flitet për qëndresën ndaj pushtimeve pavarësisht se çfarë lloji ishte: I hapur a i mbuluar qoftë ai edhe me petkun e islamit. Ai shprehet se vetëdija kombëtare me kalimin e viteve erdhi dhe u zbehur e u thye boshti i idesë qendrore të shpresave për një shtet të lirë, të pavarur. Duke vijuar kronologjinë historike ai shprehet se shqiptarët u shpërndanë nëpër botë si kashta që merr era, si gjymtyrët e një trupi të këputur në mes. Fjalë për fjalë e germë për germë ai shprehet: “Dhe kudo që vanë e zunë qendër, u shquan e dolën përsipër mbi popujt vendas. Bij arbëreshi ishin shqipet e Sulit dhe delfinët e Hidras e të Species, që ngritën nga pluhuri i shekujve ballin e Helladhës famë-madhe, Shqiptarët qenë ata që zgjuan në lugun e Nilit, Egjiptin e Faraonëve ose ata që, duke ecur mbi gjurmët e Gjikëve, ju duall për zot fushave të begatëshme të Vllahisė ; prapë një pjesë e shqiptarëve që ajo që iu bë shtyllë Perandorisë s’otomanėve si stërgjyshet e tyre, Ilirët, që iu bënë shtyllë Perandorisë Romake. Kurse brenda n’atdhé, në Shqipërinë mëmë: Disa thonë kemi fe, disa thonë kemi din/Njani thotë jam turk, tjetri latin.”

Duke iu kthyer Naimit, trashëgimisë së poetit të zemrës sonë ai shfaq respektin për vargjet e tij me të cilat u këndon bijve të shqipes. Ardhja e Naimit në letrat shqipe duhet kuptuar ai një ardhje e mirëporositur, sepse pikërisht në atë errësirë të shëmtuar robërie ai flet me gjuhën e zemrës së zjarrtë.

Çfarë kërkon të sjellë gjuha poetike e Naimit sipas prof Ermenjit:
a- Kërkon të shpërndajë hijet, që kanë mbuluar gjykimin e shqiptarëve;
b- Kërkon të ngrohë ndjenjën kombëtare të mpirë nga robëri e ashpër;
b- Kërkon të kthejë mendjen, zemrën dhe hovin luftarak të bijve të shqipes, prej botës së jashtme, n’atdhenë e dashur, në vendin e bukur:
…Tek mërzen cjapi me zile edhe fryn veriu në verë, 
tek mbin lulja me gaz shumë, e me bukuri e m’erė…

Çfarë bën kësisoj Naimi, sipas prof Ermenjit?
Naimi shkund nga pluhuri i harresës historinë e ndritur të stërgjyshërve tonë dhe ua nxjerr si pasqyrë para syve t’errur të shqiptareve, u kallëzon sesa i lartë është fisi ynë që dikur mbushte botën me lavditë e tij, u këndon Skënderbenë, u përmend Pirro e Aleksandër dhe u tregon se ata kanë dalë prej racës sonë. Naimi këndon jetën dhe natyrën shqiptare, këndon bagëtinë e bujqësinë, këndon punën dhe virtytin dhe me të gjitha këto, kërkon të forcojë idenë e të përkëdhelë dëshirën e lirisë e të mëvehtësisë kombëtare. Kërkon t’u shtjerë ndërmend shqiptarëve se janë një komb më vete, më i lashtë e m’i fisëm nga të tjerët, dhe se duhet të punojnë për të krijuar një bosht jete kombëtare. Iu kujton se nderi e lavdia e tyre është në Shqipëri, dhe jo në botën e gjerë: 

Ti Shqipëri më ep nderë, më ep emrin shqiptar, 

Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr.
Duke shqyrtuar anët artistike ai shprehet se vargu i tij nuk ishte i gdhendur as i përsosur, është e thjeshtë, por i përzemërt e i dashur si fjalët e një foshnje, i ngrohtë e plot shpirt si psherëtima e një mëme. Duke kërkuar pozicionin mes letërsisë dhe historisë sipas Ermenjit ai i përket më tepër historisë se letërsisë. Duke hedhur këtë tezë i ai nis dhe e argumenton me fjalët se: “Në një kohë kur vetëdija kombëtare është shurdhuar, kur shqiptarët kanë harruar vet-veten, ai del si fytyrë apostulli dhe iu lexoi ungjillin e kombësisë. Del e hap dritën e një vatre shqiptare, përgatit fushën shpirtërore për një bosht mendimesh lirie e mëvetësie, rreth të cilit do të sillej jeta shqiptare në t’ardhmen. Këto ndjenja e mendime Naimi i përhap me anën e vjershës, të cilën e gjen si mjetin më të mirë për t’i shpurë drejt në zemër të popullit. Prandaj edhe gjuhë e tij është ajo e fshatarit të thjeshtë. Naimi, si ai mësuesi i mirë që ulet e bëhet një me nxënësit për të derdhur më lehtë në shpirt të tyre atë e ka në shpirt të tij, zbret në radhën e popullit dhe i hap pa druajtje zemrën e ëmbël e të qetë. Duke analizuar krejt veprën e Naimit ai shprehet vepra e Naimit është poetike në tërësinë e saj. Duke folur për vargëzimin naimian, prof. Ermenji ka bërë këtë zbërthim: “Zemra e tij është gjithmonë njëlloj, e patrazuar prej furtunash e valësh, e ndritur dhe e ëmbëlsuar kundrejt botës së jashtme nga një diell i përhershëm dashurie. Kur shqyrton në thellësi poezinë e Naimit ai shprehet se kjo gjendje që duket më tepër monotone, ndoshta i përket influencës së besimeve të vjetra persiane, që e shohin botën nën dy ngjyra. Duke e theksuar më poshtë ndikimin e bektashizmit, që ka një histori të mirëfilltë letrare, që rrjedh nga kohërat pas mjegullës, ai me vjershat morale kërkon të ëmbëlsojë shpirtrat e zgjuar, mëshirën, virtytin, t’iu zbutë shqiptarëve ndenjën e egërsisë. Duke qenë panteist ai shfaq dashurinë, për natyrën dhe këtë prof Ermenji e përmend, por diku nga mesi i këtij shkrimi, ai shprehet se ai ka theksime aq të forta sa na bëjnë që të mendojmë Shën Françeskun dhe mistikët e mëdhenj. Në të vërtetë ndikimi i Naimit ka qenë nga Rumiu e më tej nga poete persë, që sollën poetike krijime fantastike. Ajo linjë mbeti në themel edhe të krijimeve të bektashinjve, të cilët kanë edhe hynqarin e tyre, që ka pas shkruar vjersha, pa shqyrtuar dervishët e më pasmë apo mistikët e mëdhenj, madje gruaja mistike që u dashurua shumë pas Zotit, quhej Rabije, për t’u hedhur tek Jonuz Emre, që në Turqi ka disa tyrbe, ku bëjnë edhe falje, ndonëse ishte një poet. Kjo lidhje mes njerëzve që kishin ndikim nga fryma e mistikëve është e pranishme edhe tek poezia e Naimit. Mirëpo duke qenë më tepër bektashi dhe hartues i statutit të parë për bektashizmin shqiptar, ai është njëkohësisht gurë vendësi i parë i këtij komuniteti shqiptar, gjer gjuha e tij ishte përveç të tjerave dhimbja dhe shpresa. Prandaj ngrohtësia naimiane na sillet në vargëzime e këtillë, bardhësi që buronte nga mistika bektashiane, për të mirën të bukurën dhe kombëtaren. Duke kanalizuar në këtë udhë shkrimin e Prof Ermenjit, them se ai ka pasur njohuri të mjaftueshme kur thotë se, ndjenjat panteiste, që i kish të lindura në zemër” (ose i vinin nga besimi bektashian në lidhje me besimet e vjetra hindiane e persiane që Naimi kish thithur), i vlejnë këtë herë t’i japë një shpirt të vetëm gjithë natyrës shqiptare e t’i pajtojë të gjitha gjërat në frymën e ngrohtë të jetës. Në: “Bagëti e Bujqësi”, këngëtari i ynë prek nervin e jetës shqiptare dhe i frymëzuar nga malli i atdheut, i sheh të gjitha nënë një dritë: natyrë, njerëz, kafshë e gjëra, i lidh të gjitha në një harmoni të këndshme, u jep të gjithave një shpirt e një qëllim dhe i mbulon me afshin e nxehtë të dashurisë së tij. Shikoni se me ç’hov të natyrshëm… 

Duke qenë një armik i shpallur i regjimit, në rreshtat e fundit Prof thekson një ide që duhej ngulitur fortë në kokë. “Se çfarë do të bënin pasardhësit pas Naimit me Shqipërinë dhe fjalët –Mëmëdhe- sidomos regjimtarët e viteve 1945-1990, që e përdorën historinë për të luftuar armiqtë e tyre personalë.” Ja mbyllja që ka bërë A. Ermenji tek gazeta “Flamuri” në prill të vitit 1950. “Naimi jetoi në një kohë kur dashuria e atdheut ish romantike. Dhe ndoshta s’mendoj se pas tij do të vinin ditë ku tingujt e shenjtë: Shqipëri e Mëmëdhe, të përlyheshin nëpër buzë katilësh e kurtizanesh, si fjalët e Krishtit në gojën e Judës. S’mendoj se Shqipërinë, që ai e këndoi me aq dëshire e mallëngjim, do ta ledhatonin më vonë, dhe ndoshta me fjalë më të holla e më të gdhendura, gjuhë të ftohta lajkatarësh, gjuhët e atyre që e përdorin pendën si mjet fitimi, dhe përrallen e patriotizmës si plaçkë tregu!… Por le të shpresojmë. Jeta sillet. Kohët ndryshojnë si stinët e vitit. Kush tha se, pas këtij dimri nuk do të dalë një prendverë shqiptare e kaltër, e mbarsur me frymën e dashurisë së thjeshtë tė Naimit? Atëherë lulet që do të çeli jeta kombëtare e jona, do të kenë tjetër ngjyrë e njomështi, tjetër bukuri dhe erë. Vetëm gazi që vjen nga një dashuri e vërtetë i hedh popujt përpara, pjell e krijon; dhe ngre maja të larta ne historinë e njerëzisë. Kush tha se ky gas ngjallës e krijonjës nuk do tė hapet edhe një herë si zjarr i shenjtë nëpër zemrat shqiptare, duke zënë fill nga ajo shkëndijë e dashurisë së thjeshtë që rrodhi prej frymës së Naimit? Është një fakt që duhet pohuar se mërgimtarët shqiptarë që ikën nga vendlindjet e tyre për shkak të përndjekje të regjimit,hapën gazeta shqipe në Evropës,Amerikës e gjetkë me synimin për të ngjallur shpresën për kombin shqiptar, që kishte pasur rilindës,që kishte histori, por që një fatkeqësi e madhe i kishte rënë, ardhja e një regjimi,që mbylli kufijtë me botën dhe përndoqi deri në gen kundërshtarët e tij.

Sigal