Vjedhje në mes të ditës, 36-vjeçari në Tiranë merr makinën e parkuar me karrotrec

110
Sigal

Një 36-vjeçar është vënë në prangat e policisë së Tiranës pasi dyshohet për dy vjedhje të ndryshme.

Sipas policisë rreth një javë më parë ai ka vjedhur një automjet të parkuar duke përdorur një karrotrec. Në videon e publikuar nga kamerat e sigurisë, duket autori që merr makinën me karrotrec në mes të ditës.

Nga ana tjetër ditën e djeshme ai dyshohet se ka vjedhur një motoçikletë të cilën më pas ia ka shitur një personi tjetër.

Njoftimi i policisë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “Karrotreci”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Vodhi një automjet dhe një motomjet, vihet në pranga 38-vjeçari.

Procedohet në gjendje të lirë një shtetas tjetër, për përvetësim të mallrave të vjedhura.

Sekuestrohen automjeti i vjedhur dhe motomjeti i vjedhur, si dhe një aparat celular.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Karrotreci”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 38 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. S., 36 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasi E. B. dyshohet se është autor i dy vjedhjeve të ndodhura gjatë javës së fundit, konkretisht më datë 27.04.2023, në rrugën “Hoxha Tahsim”, dyshohet se ka vjedhur me një karrotrec, automjetin e shtetases T. N., ndërsa më datë 03.05.2023, në rrugën “28 Nëntori”, dyshohet se ka vjedhur motomjetin e shtetasit A. H., të cilin më pas ia ka shitur shtetasit F. S.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti i vjedhur dhe motomjeti i vjedhur, si dhe një aparat celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.