Vjedhja e energjisë elektrike, 32 të dënuar në Gjykatën e Tiranës për vetëm 20 ditë

945
Në faqen zyrtare të Gjykatës së Tiranës ka një numër të konsiderueshëm të personave të dënuar për konsumimin e veprës penale të “Vjedhjes së energjisë elektrike”. Vetëm gjatë 20 ditëve të para të muajit qershor, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka dhënë masën e dënimit për rreth 32 persona, të cilët akuzohen nga organi i akuzës për vjedhje të energjisë elektrike. Këta persona nuk janë të vetëm që rezultojnë të shpallur fajtor për konsumimin e kësaj vepre penale, pasi shumë shtetas të tjerë kanë marrë dënimin e tyre dhe shumë prej tyre presin ditët në vijim të njihen me masën e dënimit që do ta mësojnë nga Gjykata e Tiranës. Sipas vendimeve të publikuara në faqen zyrtare të dhënies së vendimeve nga Gjykata e Tiranës, rezulton se gati në të gjitha rastet, shtetasit e akuzuar se kanë konsumuar veprën penale të “Vjedhjes së energjisë elektrike”, dhe të shpallur fajtor, janë dënuar nga gjykata duke u vëne në një periudhë prove. Sipas gjykatës, i pandehuri nuk duhet të kryejë asnjë vepër tjetër penale derisa është në këtë periudhë prove, e cila më së shumti është një provë prej 18 muajsh. Ditët në vijim Gjykata e Tiranës pritet të japë edhe shumë dënime të tjera në lidhje me konsumimit të veprës penale të “Vjedhjes së energjisë elektrike”. Dënimet Një nga rastet e dënimeve nga Gjykata e Tiranës për veprën “Vjedhja e energjisë elektrike”, është edhe ajo e dënimit të shtetasit Agron Luga, të cilin Gjykata e Tiranës e ka deklaruar fajtor duke e dënuar me 6 muaj burgim. Sipas vendimit përfundimtar të gjykatës, ky shtetas është gjykuar me procedurë të përshpejtuar (gjykim i shkurtuar), i cili ka fituar edhe uljen e 1/3 së dënimit të dhënë nga gjykata. I pandehuri Agron Luga, është dënuar përfundimisht nga gjykata me 4 muaj burgim. Në aplikim të nenit 59 (të ndryshimit) të Kodit Penal, Gjykata e Tiranës thekson se urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin e sipërpërmendur, duke e vënë në provë për një afat kohor prej 18 muajsh. Sipas gjykatës, ky i pandehur, Agron Luga, gjatë kësaj periudhe kohore duhet të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale. Ashtu si ky i pandehur, edhe për 31 të pandehur të tjerë të shpallur fajtorë nga Gjykata e Tiranës për të njëjtën vepër penale “Vjedhje e energjisë elektrike”, është ndjekur pothuajse e njëjta masë dënimi e dhënë nga ana e gjykatës. Për të pandehurin Lulzim Cami, edhe pse gjykata e ka dënuar përfundimisht vetëm me 2 muaj burgim, këtij të pandehuri i duhet të qëndrojë në provë për një periudhë kohore për dy vjet, me kusht që të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës dhe brenda kësaj periudhe si çdo i pandehur tjetër, i pandehuri nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale apo të shoqërohet me persona kryesisht të dënuar për këtë vepër penale. “Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, gjykata urdhëron pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin për një periudhë kohe prej 2 vjet, me kusht që të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës dhe brenda kësaj periudhe të mos kryejë vepër tjetër penale. Në zbatim të nenit 60 pika 9 të Kodit Penal,i pandehuri detyrohet të mos shoqërohet me persona kryesisht me të dënuar për këtë vepër penale”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Tiranës.
Sigal