Rreth 345 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollës. Ndërkohë, në Korçë viti i ri shkollor nis me një rënie të ndjeshme të numrit të nxënësve. Krahasuar me një vit më parë, janë 3 726 më pak, duke e ulur shifrën nga 21 080 në 17 354 nxënës.
Kjo situatë ka bërë që në qytetin e Korçës disa shkolla të bashkohen, ndërsa dhjetëra klasa të para nuk janë hapur pasi nuk kanë pasur regjistrime. Sipas nënkryetarit të sindikatës së mësuesve në Korçë, reduktimi me gati një të katërtën e nxënësve është një tregues alarmant që kërkon ndërhyrje emergjente në sistemin arsimor.
Ulja e numrit të nxënësve reflektohet edhe tek mësuesit, të cilët mbeten pa ngarkesë mësimore. Një pjesë e tyre pritet të kalojë si mësues ndihmës ose të angazhohet në programe pas shkollore.




















