Vijon pastrimi i administratës nga të besuarit e ish-ministrave/ Ja kush i mbijetoi furtunës

596
Sigal

Tre drejtorë të Përgjithshëm, ai i Doganave, Tatimeve dhe Hipotekës, janë larguar nga postet e tyre, duke iu bashkuar shumë prej ish-drejtuesve që janë shkarkuar ose lëvizur më parë, pas ndryshimeve në qeveri.

Kështu duket se ministrat e rinj të Edi Ramës, po largojnë nga pozicionet kyçe, të besuarit e ish-ministrave.

Fillimisht ndryshimet nisën nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila që në ditët e para largoi drejtuesit e institucioneve nën varësi, të cilët ishin emëruar nga Damian Gjiknuri.

Më pas, “reforma” u shtri në Ministrinë e Arsimit, vijoi në atë të Kulturës, ndërsa një ditë më parë ishte ministri në detyrë i Punëve të Jashtme që paralajmëroi largimin e mbi 20 diplomatëve me lidhje nepotike, shoqërore dhe miqësore që ishin emëruar në pozicione të ndryshme në dikasterin që drejtohej dikur nga Ditmir Bushati.

Rradhën sot e kishin drejtuesit e Doganave dhe Tatimeve, dy institucione nën varësinë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që dikur drejtohej nga Arben Ahmetaj, dhe sot nga Anila Denaj.

I fundit në rradhë për të lëvizur ishte Valdrin Pjetri, drejtor i Hipotekës, që pas shkrirjes së institucionit të tij me ALUIZN-in, dhe emërimin në krye të Kadastrës të Artan Lames, u çua si prefekt në Shkodër.

Nga të gjithë drejtuesit e institucioneve kryesore, ata  që i kanë mbijetuar “reformës” së ministrave të rinj, janë Artan Lame, i njohur për miqësinë që ka me Kryeministrin, dhe Ard Veliu, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë.

Ky i fundit u emërua në këtë post nga Fatmir Xhafaj, sapo mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme. Nuk dihet nëse Sandër Lleshaj, që zëvendësoi Xhafajn në këtë funksion, do të vijojë të punojë me Veliun, apo ai do të largohet nga ky funksion, pasi të ketë firmosur ndryshimet në nivelet e drejtimit të policisë në rrethe, Drejtor Qarku apo shefa Komisariatesh.