Vijojnë aksionet antikanabis: Në 24 orë policia sekuestron 371 kg kanabis dhe asgjëson 7500 bimë narkotike

504
Sigal

Vijojnë
aksionet antikanabis në të gjithë territorin e vendit. Policia e Shtetit
njoftoi se në 24 orët e fundit janë zhvilluar në total 6 operacione.

“Rreth 200 forca
policore po vijojnë kontrollet mbi bazën e informacioneve policore dhe
operative që disponon Policia për evidentimin dhe goditjen e vendmagazinimeve
të bimëve narkotike, si dhe për goditjen e trafikimit të lëndëve
narkotike” thuhet në njoftim.

Operacionet janë
zhvilluar 1 në Tepelenë, 2 në Memaliaj, 1 në Shkodër , 1 në Vlorë dhe 1 në
Lezhë.

Si rezultat i
tyre janë sekuestruar 371 kg kanabis sativa  në Shkodër, Lezhë, Vlorë,
Tepelenë e Memaliaj.

Po kështu janë
evidentuar katër kapanone me 7.500 bimë narkotike në proces tharje dhe
përpunimi.

Për lëndën
narkotike policia ka arrestuar 4 shtetas si dhe ka shpallur në kërkim një
tjetër.

Nga ana e
policisë po vijon puna për evidentimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të
përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Tepelenë dhe Memaliaj, asgjësohen 7500
bimë kanabis

Policia ka kryer
një operacion në fshatrat e Tepelenës dhe Memaliajt duke asgjësuar rreth 7500
rrënjë kanabis sativa.

Mësohet se është
sekuestruar edhe 35 kg kanabis. Operacionet kanë filluar që prej orëve të para
të mëngjesit dhe në Tepelenë e Memaliaj janë evidentuar katër kapanone që
shërbenin për tharjen e bimëve narkotike.

Operacioni i
parë është zhvilluar në vendin e quajtur “Gjymshirah Meleq”, Njësia
administrative Qendër, Tepelenë ku në një kapanon të përshtatur u gjetën 3 mijë
bimë narkotike në proces tharje, të cilat u asgjësuan në vend me anë të
djegies.

Gjithashtu u
gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe dy thasë me 20 kg
kanabis sativa.

Operacioni i
dytë u zhvilluar në territorin e fshatit Shals, Bashkia Memaliaj ku u evidentua
një kapanon me 2800 bimë në proces tharje.

Operacioni i
tretë në territorin e fshatit Arrëz e Madhe, Bashkia Memaliaj ku u evidentuan
dy kapanone me 1700 bimë narkotike në proces tharje, si dhe 15 kg kanabis
sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Bimët narkotike
janë asgjësuar në vend me anë të djegies. Vijon puna për evidentimin dhe kapjen
e autorëve.