Vidhnin monopatina në zona të ndryshme të Tiranës, pranga 2 ‘skifterëve’

51
Sigal

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2 dhe Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Monopatina 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë.

Vidhnin monopatina në zona të ndryshme të Tiranës, vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Procedohet në gjendje të lirë një 19-vjeçar, i cili shoqëronte njërin prej autorëve të dyshuar të vjedhjeve, gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë. Gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Sekuestrohen një biçikletë elektrike dhe 4 monopatina, të dyshuara të vjedhura, dhe sasia e lëndës narkotike kanabis.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe ato të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore se disa shtetas vidhnin biçikleta dhe monopatina në zona të ndryshme të Tiranës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Monopatina 2”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan shtetasit D. Sh., 18 vjeç dhe S. H., 19 vjeç, si dhe u shpall në kërkim një shtetas 17 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi K. L., 19 vjeç, banues në Tiranë.

2 shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me 17-vjeçarin e shpallur në kërkim, dyshohet se më datë 01.10.2023, kanë vjedhur një monopatinë në Rrugën e Kavajës. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi S. H. siguronte sendet e vjedhura nga shtetasi D. Sh. dhe nga 17-vjeçari, të cilat më pas i shiste kundrejt përfitimeve të ndryshme monetare.

Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, shtetasit K. L., i cili shoqëronte shtetasin D. Sh., iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. H., shërbimet e Policisë gjetën një biçikletë elektrike dhe 4 monopatina, të dyshuara të vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me lëndën narkotike.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.