Vidhet Kisha e “Shën Spiridhonit” në Berat, hajdutët marrin sende 300-vjeçare

694
Sigal

Një
epitaf kishtar me vlera të papërsëritshme rreth 300-vjeçare, i qëndisur me fije
ari dhe argjendi dhe Kryqi i Argjendit, janë vjedhur gjatë orëve të para të
mëngjesit të sotëm në Kishën e “Shën Spiridhonit”, në lagjen muzeale “Goricë”.
Persona ende të paidentifikuar kanë mundur të hyjnë nga muri rrethues i kishës,
nga një hyrje e pasme e saj dhe më pas janë futur në mjediset e brendshme të
kishës, një prej objekteve me vlera të rralla të kësaj lagjeje.

Personi i parë që ka konstatuar
vjedhjen mëngjesin e sotëm ka qenë punonjësi i Kishës, i cili pasi ka gjetur të
dëmtuar derën e brendshme të Kishës ka njoftuar menjëherë policinë.

Ekspertët hetimorë kanë mbërritur
në vendngjarje dhe kanë kryer hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët e
kësaj vjedhjeje.

Famulltari i Kishës së “Shën
Spiridhonit”, At Kristaq Subashi, saktësoi se, autorët pasi kanë hyrë brenda
duke shqyer derën e pasme të kishës, kanë arritur të vjedhin Epitafin e Kishës,
Kryqin prej argjendi që ndodhej në mes të Kishës, dhe kasën me lekët që
ndodheshin brenda, ku besimtarët apo vizitorët i hidhnin për mirësi.

At Kristaq Subashi shprehet se,
Epitafi ka vlera të papërsëritshme monetare e shpirtërore, ai i përket një
periudhe 300-vjeçare dhe shërben për t’u lutur gjatë riteve fetare të “së premtes
së zezë”. I së njëjtës periudhë ishte edhe kryqi prej argjendi, ndërkohë që
kasa, siç shprehet edhe famulltari i kishës, nuk kishte shumë vlerë monetare
brenda.

Kisha e “Shën Spiridhonit” në
lagjen muzeale “Goricë” në Berat, është vjedhur rreth 6 herë në harkun kohor të
5 viteve të fundit, por vjedhjet kanë patur objektiv vetëm kasën me shuma të
pakta monetare, pa u cënuar inkonat dhe sendet e saj me vlerë, ndërkohë që për
asnjë vjedhje nuk ka pasur autor të identifikuar dhe të arrestuar nga policia./BW/