VIDEO/ Kishte kthyer stallën në fermë për kultivim kanabisi, arrestohet 32-vjeçari. Sekuestrohen edhe dy armë

167
Sigal

Një 32-vjeçar u arrestua nga policia e Durrësit, në një operacion të koordinuar me Drejtorinë Rajonale të Agjensisë së Mbikqyrjes Policore, si dhe u procedua penalisht një efektiv i forcave të rendit.

Policia njoftoi se ka finalizuar operacioni e koduar “Led”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.

Sipas të dhënave zyrtare, janë zbuluar dy ambiente që dyshohet se shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba.

“Në kuadër të procedimit penal të regjistruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në muajin shkurt, nga ana e Drejtorisë Rajonale të AMP Durrës, bazuar në informacionet e grumbulluara gjatë hetimit me metoda proaktive, në bashkëpunim me DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Led”.

Gjatë këtij operacioni, në fshatin Hardhishtë të Njësisë Administrative Gjepalaj, Shijak, u ushtrua kontroll në disa banesa të dyshuara, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për kontrollin e disa banesave.

Si rezultat i kontrollit të banesave dhe informacioneve të marra në rrugë operative, u bë e mundur që në një vilë dhe në një ambient (stallë), të gjenden dhe të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale:

●186 gramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe 360 fara cannabis sativa;
●dy armë zjarri tip pushkë dhe 140 fishekë luftarak;
●dy aspiratorë, 15 llamba, 15 llamba me reflektor, 13 droslera, 10 reflektorë dhe dy automjete.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 32 vjeç, me banim ne Shijak, i cili posedonte këto ambiente.

Gjithashtu, nga Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Durrës, u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasi A. S., me detyrë Ndihmës Specialist i Policisë së Zonës.

Materialet kalojnë për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike””, njoftoi Policia.