Vetëvrasja e oficerit në Durrës/ Taulant Balla: Duhet një komunikim me çdo punonjës të policisë për të kuptuar problematikat e tyre

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, pasi foli për analizën vjetore të Policisë së Durrësit, u ndal dhe te rasti i vetëvrasjes së ish-efektivit, Arben Pjeçi.

Ai e nisi duke shprehur ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit e të ndjerit. Zoti Balla tha se ai së bashku me Drejtorin e Përgjithsëm, kanë bërë verifikimet për të zbuluar shkaqet që çuan në një vendim të tillë.

NOA

Ministri i Brendshëm tha se duhet të ekzistojë një komunikim më i hapur me të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, në mënyrë që këta të fundit të shprehin shqetësimet dhe problematikat e tyre, duke u vënë në dispozicion dhe shërbimin psikologjik.

Ai theksoi se janë punonjësit e Policisë së Shtetit ata që nuk kanë orar në punë dhe që gjenden të parët për çdo ngjarje.

Fjala e ministrit Balla përpara gazetarëve:

Jo vetëm që kam një koment, më shumë se kaq, kam një ngushëllim për familjen. Prej atij momenti të parë, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm, kemi bërë të gjitha verifikimet tona, edhe si koleg, por edhe si qytetar, se kush janë shkaqet që e kanë çuar në atë vendim.

Të them të drejtën nuk na dha mundësinë që ta merrnim në konsideratë një ankesë prej tij, qoftë për faktin që Policia e Shtetit ka qenë e detyruar të zbatojë një vendim gjykate.

Por na duhet një përkujdesje më e madhe dhe një komunikim më i hapur dhe më miqësor me çdo punonjës Policie në të gjitha nivelet për të kuptuar në fakt edhe problematika të tjera, që ndoshta nuk lidhen me punën e policisë, edhe një qasje tjetër të shërbimit me psikolog.

Mos harroni asnjëherë, punonjësit e Policisë janë ata që nuk kanë asnjëherë as orar dhe më takon mua t’i jap një zgjidhje përfundimtare historisë së mospagesës së orëve jashtë orarit.

Kemi bërë një zgjidhje të parë për pagesën e ushqimit, më në fund, por duhet të japim zgjidhje të tjera. Mos harroni që punonjësit e Policisë janë të parët që thirren për çdo lloj problematike. Se bie zjarr, se bie shi, se përmbytet e problematika të tjera, Policia e Shtetit është e para që mbërrijnë.