Vetëm 1% e të infektuarve janë në spitale, ku po trajtohen të infektuarit me Covid ?

47
Sigal

Kur tashmë kanë kaluar më shumë se sa 10 muaj nga rasti i parë me Covid në Shqipëri, mijëra persona janë infektuar deri më tani.

Ndërkohë, në raportimet e përditshme të ministrisë së Shëndetësisë për të infektuarit, të vdekurit, atyre në spital dhe të shëruarve, vihet re se pjesa më e madhe e shqiptarëve po e kalojnë virusin në shtëpitë e tyre.

Ditën e sotme (21 janar) u shënuan 5 viktima, 678 raste të reja dhe 285 pacientë ndodhen në spitalet Covid.

Në total, sipas ministrisë, janë 26 194 raste aktive momentalisht në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Përmes një llogarie të thjeshtë shohim se rreth vetëm 1% e shqiptarëve të infektuarve janë duke u trajnuar aktualisht në spitalet Covid, kurse pjesa tjetër në kushte shtëpie.

Mesa duket ky fenomen lidhet me mosbesimin te institucionet spitalore, pavarësisht propagandës nga ana e qeverisë për kushtet dhe cilësinë në spitalet Covid.

Mungesa e transparencës, pritjet e gjata, mungesa e informacionit në spitalet Covid, vdekja e mjekëve, kurimet jashtë vendit, mungesa e medikamenteve dhe personelit shëndetësor, si dhe disa skandale, kanë bërë siç duket, që besimi i shqiptarëve kundrejt sistemit shëndetësor të bjerë ndjeshëm.

Kujtojmë këtu edhe fotot e morgut të Tiranës të publikuara në media, hedhjet nga ballkonet e spitaleve Covid dhe rastin e një sanitareje që u hoq si infermiere te “Shefqet Ndroqi”, e cila i mori një qytetareje 8 milionë lekë përmes mashtrimit, edhe pse pacientja me Covid ndërroi jetë.

Raste të tilla ku familjarë kanë denoncuar në media apo rrjetet sociale fenomenin e ryshfetit në spitale kanë qenë të shumta.

Përpos kësaj tabloje, vlen të ngrihet pyetja, se si po trajtohen këta shqiptarë të infektuar në shtëpitë e tyre? Si e sigurojnë, nëse kanë nevojë, oksigjenin dhe medikamentet? Po kujdesin infermieror? Sa para u ka kushtuar infektimi e trajtimi? A rimbursohen këto medikamente nga shteti, ashtu sikurse premtoi qeveria?

Po ashtu, vlen të theksohet se ministria e shëndetësisë në raportimin e saj ditor, përfshin në numrin e viktima vetëm ata persona që kanë vdekur në spitalet Covid. Po vdekjet Covid, jashtë spitaleve Covid, nëse ka, pse nuk raportohen nga ministria e Shëndetësisë?