Vepror Hasani: Tmerri i gjysheve, nga Shqipëria po largohen edhe fëmijët e vegjël

83
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Shembulli më i dukshëm Bashkia Pustec, vetëm 12 lindje më 2020

Tashmë tmerri ka pushtuar edhe zemrat e gjysheve dhe gjyshërve, prej kohësh nga Shqipëria po largohen edhe fëmijët e vegjël, mbesat dhe nipat e tyre. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur largimi masiv i të vegjëlve. Nëpër fshatra po ndihet gjithnjë edhe më pak zëri i  tyre.  Gjysheve dhe gjyshërve u dridhet zëri kur flasin për mungesën e fëmijve dhe sytë u mbushen me lot. Më dukshëm fenomeni tragjik vërehet në fshatrat e bashkisë Pustec, por, ikja e fëmijëve ka prekur edhe  zona të tjera të qarkut Korçë, veçanërisht atje ku varfëria është më e thellë. Duket se parashikimi i OKB-ës për Shqipërinë me 500 banorët do të jetë një realitet. Sipas parashikimeve të saj  mbi ecurinë e popullsisë shqiptare, referuar normës së fertilitetit, në variantin pesimist, në Shqipëri në vitin 2100, do te kenë mbetur vetëm  560.000 banorë, ndërsa në variantin normal, parashikon që Shqipëria të jetë e populluar me vetëm 1.600.000 banorë. Kurse sipas një skenari optimist  me emigrim zero dhe ecuri normale të normave të fertilitetit, parashikohet që popullsia e vendit në vitin 2100, të jetë 2.500.000 banorë, nga rreth 2.9 milionë që ka sot. Pra, edhe skenari pozitiv, (me zero emigracion, që zor se mund të ndodhë), nuk do të arrijë dot të kap numrin e popullsisë që Shqipëria ka sot. Me politika që nuk kujdesen për ndaljen e emigrimit, parashikimi i Shqipërisë me 500 mijë banorë, mbetet i sigurtë. Edhe fëmijët janë duke ikur.

Gollomboçi,  fshat me 2 nxënës

Bashkia e Pustecit ka 5.200 banorë gjithsej, por ndërsa ne e përshkuam më këmbë këtë zonë, vumë re se njerëzit që punonin tokën, që mbillnin apo kryenin punë të tjera bujqësore, ishin të pakët. Për këtë arsye i pyetëm: “Pse në ara dhe pemtore ka pak njerëz që punojnë dhe pothuajse të gjithë janë të moshuar?” Përgjigjja e tyre ishte e trishtuar: “Kanë ikur të gjithë, biro, deri tani iknin vetëm djemtë e rinj, kurse nuset dhe fëmijët i linin në shtëpinë e prindërve. Për ta kujdeseshin nënën e tyre dhe ne gjyshet dhe gjyshërit, kurse tani ikin si familje, në fshat kthehen rrallë e më rrallë sa për të parë shtëpinë nëse ka pësuar ndonjë  dëm gjatë dimrit ose jo, shohin muret  dhe çatinë dhe ikin prapë, nuk arrijmë dot as të çmallemi. Fshati ynë, Gollomboç na duket se është katandisur keq edhe më keq.”. “Pse mendoni kështu?”- i pyetëm. “Sepse sot fshati ynë ka vetëm 100 banorë, shumica janë pleq, kurse fëmijë ka shumë pak. Na merr malli për mbesat dhe nipat tanë.  Kemi edhe shkollë për fëmijët, pak vite më parë mësonin më shumë se 35 nxënës, kurse sot shkojnë në shkollë vetëm 2 fëmijë, mësimet i marrin në shkollën e fshatit Goricë e Vogël, aty është edhe shkolla fillore edhe shkolla tetvjeçare. Me ikjen e fëmijëve në emigracion na duket fshati i pajetë”. Ndërkohë nga burime zyrtare mësuam se gjatë vitit 2020 në bashkinë Pustec pati vetëm 12 lindje, një shifër kjo tejet alarmante, gjë që flet paksimin e mundshme të popullatës.

Qeveria s’na jep as automjet të heqim plehrat

Banorët e zonës, na treguan edhe arsyet e tjera të ikjes së fëmijëve: “Për shumë vite me radhë bijtë dhe djemtë tanë  u përpoqën shumë ta ndërtonin jetën këtu në bashkinë e Pustecit, shpresonin te turizmi dhe ardhja e turisteve, sepse në territorin e  bashkisë tonë gjenden atraksione të shumta, si: liqeni i Prespës me pamje panoramike, ndërtesat e hershme të shekujve 13 dhe 14, ishulli i Maligradit, kisha e Shën Mërisë, ishulli i Neolitit në afërsi të fshatit Kallamas, kompleksi nënujor në Staro Sello, rruga romake, shpellat dhe manastiret, pa folur për peisazhet piktoreske, për gërshetimin e vlerave tradicionale, kulturore e historike, me vlera të pasura arkeologjike dhe biospeleologjike, me biodiversitet shumë të pasur. Përreth vijës liqenore, Kallamasi-Liqenas, ekzistojnë plazhe ranore dhe shkëmbore të mundshme për t’u kthyer në pika të preferueshme për vizitorët, po kështu edhe  Parku natyror kombëtar i Prespës ka potenciale të tilla që mund të ndikojnë fort në rritjen ekonomike të popullatës lokale, por nga të gjitha këto u bë shumë pak, nuk pati përmirësimin e pritshëm të jetës së banorëve”, – shpjegojnë banorët e zonës. Gjithashtu  sqarojnë banorët e Pustecit, qeveria nuk na pajis dot as me një automjet që të heqim plehrat, sepse gjithkush e di që bashkia e Pustecit nuk e ble dot me fondet e saj, ja kjo është gjendja, ndaj të rriturit ikin bashkë me fëmijët e vegjël, sepse në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi atje ku janë punësuar, mbajnë vendet e punës dhe bizneset që kanë hapur, kur shumë mire mund të investonin këtu.

Bashkia dhe 2000 banorë me prona të paregjistruara

Arsyet e ikjes së banorëve të Pustecit bashkë me fëmijët janë të shumta. Edhe pse që nga dita e vendosjes së demokracisë kanë kaluar 30 vjet edhe  sot e kësaj dite 2000 banorë i kanë pronat të paregjistruara në Kadastër, por jo vetëm banorët edhe vetë bashkia Pustec pronat e saj i ka të paregjistruara, për rrjedhojë në prona të tilla nuk mund të investohet, pasi gjithçka mbetet e pasigurtë, sepse nesër mund të lindin probleme dhe konflikte. Megjithatë Bashkia e Pustecit e ndihumuar me fonde nga KFË dhe projekti TAP ka mundur të  kryejë investime në në fshatin Goricë e Madhe dhe te përroi i tij për ndaljen e shembjes së rrugës nga prurjet; po kështu edhe në fshatin Kallamas. Gjithashtu është parashikuar të ndërhyet edhe në pjesën e dytë të rrugës Goricë e Vogël, ku do të vendosen tubacione me qëllin ndalimin e daljes së ujërave në rrugë dhe ndotjen e mjedisit. Gjithashtu është investuar edhe për sistemimin dhe ndërtimin e mureve mbajtëse në rrugën dytësore që e lidh me Lagjen e Sipërme pranë liqenit të Prespës, etj. Megjithatë për ndaljen e emigrimit të fëmijëve kërkohen politika të mirëfillta për rritjen e mirëqenies dhe  mbështetjen e iniciativave dhe projekteve që vijnë nga vetë banorët, në të kundërt Shqipëria me 500 mijë banorë është duke pritur, sepse kur fëmijët  e vegjël po ikin nga Pusteci, që ka një liqen të mrekullueshe, peshkim dhe atraksion të shumta turistike, kuptohet ç’mund të ndodhë me zona më të varfëra që nuk kanë mundësi të tilla