Veliaj: Çdo i ri me ide për një biznes të aplikojë për mbështetje financiare; Tirana do të ketë Kryebashkiakun e saj të Natës

523
Sigal

Bashkia e Tiranës, program për mbështetjen e grave sipërmarrëse për hapjen
e bizneseve

Falë mbështetjes së Bashkisë së Tiranës, 22 gra kanë mundur që sot të kenë
bizneset e tyre në kryeqytet, duke punësuar veten, por edhe duke krijuar
mundësi për t’u punësuar me dhjetëra të tjerë. Është finalizuar kështu me
sukses Fondi për Gratë Sipërmarrëse, si një nismë e Aleancës së Grave të
Këshillit Bashkiak, për të cilin për herë të parë Bashkia Tiranë miratoi një
fond 6 milion lek për mbështetjen e sipërmarrëseve gra nga 18 deri në 60 vjeç.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi një prej këtyre
bizneseve, e cila ofron guidë turistike për vizitorët e qytetit, duke promovuar
pikat më të mira turistike. Ndërsa, falenderoi sipërmarrëset e këtij biznesi që
aplikuan për t’u bërë pjesë e këtij fondi, kryebashkiaku Veliaj theksoi se
Bashkia do të vijojë të mbështesë politikat që sjellin, jo vetëm hapjen e
bizneseve nga grupe vulnerabël, por edhe që krijojnë punësim në Tiranë.

“Kemi dhënë 22 grante për 22 kompani që drejtohen nga zonja dhe zonjusha.
Besojmë se në këtë qytet është e rëndësishme që bashkia të zgjedhë aleatët e vetë
dhe aleatë të bashkisë janë ata njerëz që punojnë dhe që i hapin punë vetes në
kuptimin më të mirë të fjalës”, tha Veliaj. Në vijim të nxitjes

së hapjes së bizneseve të reja, por edhe të rritjes së punësimit, kryebashkiaku
i Tiranës bëri të ditur se shumë shpejt do të shpërndahet një fond i ngjashëm
edhe për të gjitha bizneset që hapen nga të rinjtë deri në moshën 35 vjeç. Ndaj,
ai ka ftuar të gjithë studentët apo ata djem dhe vajza që kanë një ide për të
hapur një aktivitet që sjell punësim të aplikojnë për të qenë përfitues e këtij
fondi të ri.

“Do të vazhdojmë jo vetëm në 22 kompanitë e para, por edhe me mbështetjen e
të rinjve. Do të hapim edhe një garë tjetër, e cila deri në fund të muajit pret
konkurrente, biznese që kanë filluar nga të rinjtë, pra start-up-et, dhe besoj se
duke vendosur bashkinë në krah të njerëzve të punës, shtojmë fuqinë që këto
kompani shpenzojnë dhe aktivitete që gjenerojnë për qytetin tonë”, tha kryetari
i bashkisë. Ndërkohë, për të promovuar mundësitë që ofron kryeqyteti, jo vetëm
gjatë ditës, por edhe në orët e natës, Veliaj u shpreh se Tirana, duke filluar
nga janari, do të ketë një person përgjegjës, që do të quhet Kryebashkiaku i Natës.

“Siç ndodh në Amsterdam, në Zyrih apo në Londër, ai do të merret vetëm me
promovimin e ekonomisë së natës. Kemi premtuar një qytet që punon me tre turne,
por edhe që jeton me tre turne. Në shumë prej vendeve të botës ekonomia e
natës, pra e festave, e lokaleve, gjeneron pafund të ardhura dhe vende pune
kryesisht për të rinjtë, studentët. Ndaj, duam që kjo të ndodhë në mënyrë të
përgjegjshme, të ketë një kryebashkiak nate që rri zgjuar në turnin e tretë dhe
menaxhon vetëm këto lloj aktivitetesh. Promovon ekonominë, e cila njihet si ekonomia
e turnit të tretë, për t’u siguruar që jo vetëm qyteti jeton 24 orë, por për
t’u siguruar gjithashtu për sa më shumë punësime e sa më shumë maksimizojmë
orët e ditës dhe hapësirat e qytetit për ekonominë e njerëzve tanë dhe të rinjve
që jetojnë në Tiranë”, tha Veliaj.

Fondi për Gratë Sipërmarrëse është një nismë e Aleancës së Grave të
Këshillit Bashkiak, ku për herë të parë Bashkia e Tiranës miratoi një fond prej
6 milion lekë për mbështetjen e sipërmarrëseve gra nga 18 deri në 60 vjeçe. Nga
ky fond u mbështetën 22 gra në krijimin e bizneseve në fushat e tregtisë,
prodhim veshjesh dhe sendesh popullore, teknologji informacioni e shërbime të
ndryshme. Këto biznese ishin Start-Up, por edhe biznese ekzistuese, të cilat
kërkonin një ndihmë nga Bashkia e Tiranës, e cila deri sot nuk i kishte pasur
në politikat e tyre mbështetëse.